Më 31 mars Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.
Qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit.
Lidhur me këtë vendim të mërkurën ministri i Financave, Hekuran Murati ka insistuar që komunat t’i respektojnë afatet për heqjen e 100 eurove nga tatimi në pronë për qytetarët.
Ai tha se deri me 16 shtator komunat kanë afat që të ndërmarrin veprime për zbatimin e Ligjit.
Për këtë çështje Front Online ka kontaktuar disa nga kryetarët e komunave.
Muhaxhiri për tatimin në pronë: Ministri Murati pa ndihmën e komunave mund ta përfundojë këtë çështje
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, tha se ministri Murati pa ndihmën e komunave ka pasur mundësi ta përfundoj këtë proces.
Muhaxhiri thotë se seanca e cila do të mbahet për tatimin në pronë do kushtoj rreth 15 mijë euro.
Ai thotë se Hekuran Murati ka një inat për këtë temë.
“Duhet me e thirr seancën e jashtëzakonshme që të përfundoj kjo çështje se Hekuran Murati qenka përngut. Inati i një personi që e ka folur një fjalë dhe tash që është në pushtet me i shti qytetarët me i falë nga 100 euro ka pasur mundësi ai si ministër me përfunduar këtë çështje pa i fut komunat me këtë çështje e jo ne me mbajt seancë të jashtëzakonshme ku na kushton 15 mijë euro për me pasur mundësi me realizuar fjalën e ministrit”, thotë Muhaxheri.
Nura: Qeverisja e praktikanteve po luan me ndjenjat e qytetarëve për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë
Njëjtë si ai i Pejës, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka kritika për ministrin e Financave për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë.
Nura për Front Online tha se qeverisja e praktikanteve po luan me ndjenjat e qytetarëve.
Sipas tij, vendimi i ministrisë është jo serioz.
“Ne duhet t’i procedojmë deri më 15 shtator kjo çështje është të luash me ndjenjat e qytetarëve, institucioneve dhe vetë shtetit vendim i marr nga qeverisja e praktikanteve. Kjo qeveri po na shtinë me u marr me disa çështje që nuk kemi pasur nevojë të merremi faji dhe përgjegjësia direkt i shkojnë ministrit Murati. Ky vendim është jo serioz dhe tash kemi përgjegjësi para qytetarëve edhe pse na dëmton në të hyrat vetanake”, thotë Nura.
Idrizi: Procesi i faljes së 100 eurove të tatimit në pronë i pa logjikshëm
Kreu i komunës së Vushtrrisë, Ferat Idrizi në një prononcim për Front Online ka folur lidhur me deklaratën e ministrit Murati për tatimin në pronë.
Idrizi këtë proces e ka quajtur të pa logjikshëm.
Ai thotë se vetë ministria ka mundur t’i ekzekutojë pa përfshirjen e komunave.
“Ne deri në fund të muajit shtator e kemi buxhetin dhe do të bisedojmë atëherë dhe kur e kanë bërë ligjin s’ka pasur nevojë me i obliguar komunat kanë mundur vetëm me i ekzekutuar. Procesi i tatimit në pronë pa logjik është vetëm është dashur me ligj me ekzekutuar faljen e borxhit na e kishim ekzekutuar pa pasur nevojë me qitë në Kuvend fare”, theksoi Idrizi.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.
Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.
Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.
Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi pas reagimit të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë treguar se faturat e tyre të tatimit në pronë janë rritur.