Isa Mustafa
Ish-kryeministër i Republikës së Kosovës
Ditëlindja: 15 maj 1951
Vendlindja: Prishtinë
Përkatësia: LDK

Isa Mustafa është njëri ndër politikanët me përvojën më të gjatë politike në Kosovë, si dhe me kohën më të gjatë të qëndrimit në pushtet ekzekutiv. Në ish sistemin komunist, 1984-1988 ka qenë kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinë, drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë në ekzil të Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Bujar Bukoshi (1991-1999). Në dhjetor të vitit 2007 është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës, të cilën pozitë e ka mbajtur për dy mandate të plota, deri në fund te vitit 2013. Nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2017 ishte kryeministër i Republikës së Kosovës. Gjatë periudhës 2009-2021 ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Patundshmëritë

Shtëpi

Një shtëpi dhe një parcelë toke në vlerë prej 503 mijë euro është deklarimi i fundit i pasurisë së patundshme nga Isa Mustafa, në vitin e fundit të mandatit të tij si kryeministër i Kosovës (2017). Ndërkaq, në vitin 2011, sa ishte kryetar i Prishtinës kishte deklaruar një shtëpi dhe dy parcela toke në vlerë prej 590 mijë euro.

Gjatë një hulumtimi disamujor, Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-kryeministri Isa Mustafa. Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive, Mustafa ka në emrin e tij një shtëpi dhe tri parcela në bashkëpronësi në Prishtinë, të cilat janë të vlerësuara mbi 2.8 milionë euro, si dhe një tokë bujqësore me vlerë mbi 15 mijë euro.

Me gjithë pasurinë e patundshme në vlerë prej rreth 3 milionë euro, në pjesë të së cilës e ka në bashkëpronësi, ish-kryeministri Mustafa rezulton të ketë borxhe tatimore ndaj shtetit. Sipas një fature të tatimit në pronë, e cila e mbanë datën 18.01.2022, të cilën e ka siguruar Instituti për Hulumtime “Front”, borxhi i tij i parashikuar deri në fund të këtij viti kalon shumën prej 5000 euro, derisa borxhi i tatimit në pronë për vitin e kaluar është rreth 2500 euro.

I kontaktuar për këtë çështje nga Instituti “Front”, Isa Mustafa ka thënë se nuk i ka dokumentet e tatimit në pronë dhe se nuk e di për çfarë bëhet fjalë.

“Nuk i kam marrë akoma dokumentet e tatimit në pronë dhe nuk e di cilave dokumente iu referoheni. Pasi t’i marr, ju njoftoj”, ishte përgjigja e tij në lidhje me interesimin e Institutit.

Mirëpo, pas publikimit të hulumtimit për pasurinë e tij nga Instituti për Hulumtime “Front”, Mustafa ka kontaktuar redaksinë e kësaj të fundit, duke mohuar raportimet mbi pasurinë e tij.

Përkundër faktit se prona e paluajtshme në vlerë prej 2.8 milionë € ende figuron në emrin e tij në dokumentet e Tatimit në Pronë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, ai thotë se në emër të tij ka vetëm 1.2 hektarë tokë të trashëguar dhe se sipas tij, aktualisht nuk ka as shtëpi, pasi shtëpinë me tokë e ka dhënë për ndërtim dhe si kundërvlerë për pjesën e tij ka marrë apartamente. Megjithatë, Mustafa nuk ka treguar se sa është vlera totale e apartamenteve që i ka marrë si kundërvlerë pasi ka dhënë tokën për ndërtim.

 

Të hyrat

36.327 € kanë qenë të hyrat e përgjithshme vjetore të Isa Mustafës në vitin 2017, gjatë kohës kur ka qenë kryeministër i vendit.

 

Kreditë

Ekonomisti Isa Mustafa në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2017 nuk ka deklaruar asnjë kredi.

 

Veturat

S’ka veturë.

 

Aksionet në biznese private

Në vitin 2017, Mustafa ka deklaruar se i posedon 6.4% të aksioneve në kolegjin privat “Riinvest”, në vlerë prej rreth 40 mijë euro. Në deklarimin e mëhershëm të pasurisë, në vitin 2011, figurojnë edhe 49 % aksione të fëmijëve të tij në “Mac Car”, biznes që e ka ekskluzivitetin për shitjen e automjeteve dhe pjesëve të markës së njohur gjermane “BMW”. Gjatë viteve 2011 dhe 2012 sa ka qenë kryetar i Prishtinës ka pasur aksione në emër të djalit të tij, në klubin më të madh të futbollit “Prishtina” , ku 1.6% të aksioneve i kishte vlerësuar 7370 €.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.