Kryeministri kosovar Albin Kurti bëri mirë kur hodhi poshtë më 2 maj në Bruksel draft-statutin për Asociacionin të hartuar nga ekipi menaxhues.
Kështu po vlerëson për “Front Online” ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, sipas të cilit, ai draft ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“E kam parë draftin e ekipit menaxhues dhe mendoj se nëse thirremi në marrëveshjen e 2013 dhe 2015, drafti ka qenë i papranueshëm dhe skandaloz, ku nuk flitej për të drejtat dhe mundësitë e komunave me u koordinu si Asociacion, po ishte gati, një getoizim as më Kosovë dhe as me Serbi”, u shpreh Ferati për “Front Online”.
Katër autorët serbë të draftit u shkarkuan nga Qeveria e Kosovës vetëm një ditë pasi prezantimit të modeli të tyre në kryeqendrën diplomatike evropiane.
Ferati beson se ekzekutivi u ngut pak me vendimin.
“Kjo është çështje e diskutueshme sepse me ujditë e kaluara parashikohet të ketë ekip menaxhues dhe të mos krijohet përshtypja se Asociacioni prezantohesh njëanshëm nga pala kosovare, por që serbët të dalin me propozim”, vlerësoi Ferati.
Tutje ai foli për versionin e vetëm të pranueshëm të Asociacionit.
“Statuti duhet të hartohet i tillë, ku nuk duhet të ketë asnjë nen që bie në kundërshtim me Kushtetutën. Pra pajtueshmeri në të gjitha nenet”, theksoi Ferati.
I tillë sipas kryeqevritarit Kurti është draft-vizioni i “frymëzuar” nga modeli kroat për pakicën serbe, të cilin ai e paraqiti në Bruksel, por që e refuzoi pala serbe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën se të dy versionet ishin “serioze” dhe se tash pritet që palët “të gjejnë një mes” duke rafinuar propozimet e tyre fillestare.
Kurse ndërmjetësi sllovak i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laçak në lidhje me Draft-Statutin e paraqitur më 2 maj tha se “nuk ishte përfundimtar” por “pikënisje e rëndësishme”.