Kadri Veseli
Ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Ditëlindja: 31 maj, 1967
Vendlindja: Mitrovicë
Përkatësia: Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Kadri Veseli u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Mitrovicë dhe Zveçan, ndërsa në vitin 1990 vijoj studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega- Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Për shkak të rrethanave politike të asaj kohe, ai u detyrua që studimet t’i vazhdojë në Universitetin e Tiranës, në degën e Agronomisë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë (1999), ka vazhduar studimet në nivelin master dhe ka arritur të bëhet kandidat për doktoratë në Universitetin e Lubjanës, në Slloveni.

Aktivitetin politik e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) duke u bërë njëri prej organizatorëve të protestave dhe demonstratave që zhvilloheshin në atë kohë kundër sistemit serb dhe jugosllav.

Gjatë viteve ’90, Veseli mori rol aktiv në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në periudhën e luftës ishte komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, ndërsa pas luftës ishte shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Këtë funksion e ushtroi deri më 2008, kur personalisht e shpalli të shuar SHIK-un.

Në vitin 2012, Veseli u anëtarësua në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në vitin 2013 u emërua zëvendëskryetar dhe në vitin 2016 u bë kryetar i kësaj partie.

Në legjislaturën e pestë (17.07.2014 – 10.05.2017) dhe në legjislaturën e gjashtë (03.08.2017 – 22.08.2019), ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2020, ndaj tij u ngreh aktakuzë nga Gjykata Speciale nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës në Kosovës. Aktualisht vazhdon të jetë në paraburgim në Hagë.

Kadri Veseli është i martuar dhe i ka katër fëmijë.

 

 

Pasuria e Paluajtshme:

Shtëpi: Kadri Veseli e ka deklaruar një shtëpi në pronësi të përbashkët. Vlerën e saj nuk e ka deklaruar fare. Kështu ka ndodhur që nga viti 2014 kur ka nisur ta plotësojë formularin e pasurisë.

Banesë: Kadri Veseli, në vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017 i ka deklaruar dy banesa në vlerë 222 mijë euro. Në vitet pasuese, 2018, 2019 dhe 2020 e ka deklaruar vetëm një banesë. Atë e ka vlerësuar me 97 mijë euro. Ka thënë se këtë banesë e ka blerë në vitin 2001, fill pas luftës.

Toka: Nga viti 2014 e deri më 2020, Kadri Veseli e ka paraqitur në formularin e pasurisë një tokë-mal, sipërfaqja e të cilës është 10 hektarë. Thotë se këtë pasuri e ka trashëguar, por nuk tregon sesa para i bën ajo.

Lokal + aneks: Kadri Veseli ka blerë mes vitit 2017 dhe atij 2018 edhe një lokal afarist. Edhe këtu ai nuk e ka treguar vlerën e tij. Krejt çka ka thënë është se e ka blerë nga kursimet, shitja e banesës 207 m2 dhe me kredi 140,000.00 euro në RFB ( Mars 2018 ). Në formularin e Veselit figuron edhe një aneks. Për të nuk tregon se sa ka paguar, megjithatë e bën të ditur se ka marrë kredi shtesë (26.12.2019). Objekti ende nuk është përfunduar.

Të hyrat

Kadri Veseli ka deklaruar se merr 35 mijë e 952 euro pagë vjetore nga Kuvendi. Të ardhurat vjetore të bashkëshortes së tij janë 20 mijë e 874 euro. Ato i gjeneron nga paga si mësimdhënëse në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë dhe një biznes që lidhet me teknologjinë, Kobit PC. Të dy së bashku marrin 56 mijë e 826 euro në vit. Fjala është për vitin 2020. Kadri Veseli më 2020 kishte 7273 euro para të gatshme që i mbante në dy banka. Para në dy institucione bankare mbante edhe gruaja e tij. Gjithsej 8 mijë e 360 euro.

Kreditë: Kadri Veseli më 2020 kishte thënë se ka një kredi 158 mijë e 237 euroshe, të cilën duhet ta lajë për 72 muaj. Atë thotë se e mori për blerjen e lokalit dhe aneksit banesor.

Vetura

Që nga fillimi ka paraqitur vetëm një veturë në vlerë 16 mijë e 300 euro.

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.