Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovës (KEDS) nga gushti i këtij viti ka filluar aplikimin e taksës në vlerë prej 17.7 € ndaj konsumatorëve që shkyçen nga rrjeti si kusht për ri-kyçje në rrjet.
Ndonëse shumë konsumatorë janë ankuar se u ka ndodhur që taksa e rikyçjes të jetë më e lartë se borxhi për të cilin janë shkyçur nga rrjeti elektrik, nga KEDS-i nuk kanë treguar për FrontOnline se sa konsumatorë janë shkyçur nga rrjeti nga gushti i këtij viti, kur ka filluar aplikimi i kësaj takse e deri në nëntor, përkatësisht për katër muaj, dhe sa para i ka grumbulluar kompania ne emër të taksës prej 17.7 euro nga konsumatorët.
FrontOnline për më shumë se dhjetë ditë ka kërkuar vazhdimisht përgjigje nga kompania në lidhje me numrin e konsumatorëve të shkyçur dhe pagesat për rikyçje në rrjet, por Margarita Rashiti nga KESCO ka refuzuar të përgjigjet konkretisht në pyetjet e dërguara, duke thënë se “pjesa më e madhe e konsumatorëve të tyre i paguajnë faturat e energjisë elektrike me kohë dhe rrjedhimisht nuk hyjnë në listën e shkyçjeve”.
Deputetët opozitarë dhe ekspertët e energjisë thonë se taksa prej 17.7 euro është e padrejtë dhe ndëshkim për konsumatorët e KEDS-it, të cilët nuk po arrijnë t’i paguajnë faturat e rrymës.
Ferat Shala: Taksa prej 17.7 euro është ndëshkim shtesë për konsumatorët që nuk po arrijnë t’i paguajnë faturat e rrymës
Kryetari i komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka deklaruar për FrontOnline se pagesa prej 17.7 euro është ndëshkim shtesë dhe i padrejtë për ata konsumatorë që përballen me vështirësi financiare dhe nuk janë në gjendje të paguajnë faturat me kohë.
‘’Pagesa për ri-kyçje e rrymës asgjë më shumë veçse një ndëshkim shtesë që në këtë mandat të Qeverisë të Kurtit e ka secili konsumator. Ky vendim nuk ka qenë asnjëherë dhe kjo është ndëshkim për qytetarët që edhe aksidentalisht apo rastësisht nuk mund të paguajë në kohë e duhet të bëjë ri-kyçje e të paguajë,pra gabime jo meritore që u jepen konsumatorëve të Kosovës nga sistemi energjetik I vendit’’, ka pohuar i Shala për FrontOnline.
Madje, sipas tij, duke i parë gjitha veprimet e Qeverisë “Kurti” nuk përjashtohet mundësia që sërish të kemi shtrenjtim të rrymës.
‘’Nisur nga ajo çfarë kemi parë në këtë mandat 4 vjeçar të qeverisë Kurti, nuk përjashtohet ngritja e çmimit të rrymës në këtë dimër përsëri’’, tha Shala për FrontOnline.
Gazetari Gjata: Taksa prej 17.7 euro nga KEDS-i është e padrejt dhe e paligjshme
Mehmet Gjata,gazetari që për kohë të gjatë e ka mbuluar sektorin e energjisë, ka thënë se taksa e rikyçjes në rrjet prej 17.7 euro është e padrejt dhe e paligjshme.
‘’Nuk ka qenë fare në rregull, mendojë as e ligjshme, aplikimi i kësaj metode (se në rast të shkyqjes së rrymës duhet paguar tarifa prej 17,7 euro, për të bërë ri-kyçje’’, tha Gjata për FrontOnline.
Sipas tij, kjo taksë është pasojë e një kontrate të nënshkruar në vitin 2013 për privatizimin e Distribucionit të Energjisë Elektrike, që i dha mundësi KEDS të krijonte një monopol në furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë në Kosovë.
‘’Me rastin e shitjes së Distribucionit kompanisë turke (KEDS) janë bërë shumë veprime të pa matura nga ana e kompetentëve të Kosovës dhe në dëm të vendit dhe konsumatorëve. Në radhë të parë, lejimi me kontratë i pasjes së monopolit të distribuimit të energjisë elektrike dhe furnizimit të konsumit të Kosovës vetëm të një kompanie, siç është rasti me pozitën e legjitimuar të KEDS_KESCO-së, ka pasojat e vazhdueshme për konsumatorin kosovar.
Gjata e shikon këtë si një pasojë të një vendimi të gabuar nga ana e autoriteteve kosovare, që në mënyrë të papërshtatshme e lejuan krijimin e një monopolisti të vetëm për distribucionin e energjisë elektrike. Ai thekson se kjo ka krijuar mundësi për KEDS që të veprojë si të dojë, duke shfrytëzuar pozitat e tij monopolistike dhe duke ngarkuar qytetarët me tarifa të papranueshme dhe të larta.
‘’ Pozita monopoliste e KEDS-KESCO-së. e lejuar nga zyrtarët e Kosovës (ata që e shitën ish “Elektrokosovën”), i ka krijuar mundësi kompanisë turke të veprojë sit ë dojë dhe të fitojë me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme’’, përfundoi Gjata.
Ish-kandidati për deputet i VV-së: Taksa prej 17.7 euro duhet përshëndetur si veprim i mirë
Njohësi i energjetikës, Agron Dida, i cili njëherit ka qenë kandidat për deputet nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë për FrontOnline se pagesa prej 17.7 për ri -kyçjen e energjisë elektrike është veprim i mire, sepse, siç thotë ai, vetëm me këtë formë kryhen pagesa me rregull.
‘’Pagesa e tarifës prej 17,7 euro për ri-kyçje e energjisë elektrike është veprim i mirë sepse vetëm në këtë mënyrë kryhen pagesat me rregull,kjo bile duhet përshëndetur sepse ka qenë një kohë në Kosovë kur pagesa e energjisë ka qenë nën 50% dhe gjithmonë ka qenë problem inkasimi I energjisë elektrike. Kjo është plotësisht normale sepse ata që nuk paguajnë duhet tua shkyçin rrymën elektrike kjo dihet. Kjo nuk duhet diskutuar fare’’, tha Dida për FrontOnline.