Kontratat Kolektive janë menduar si mjet për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, por në shumë raste në Kosovë ato po shndërrohen në barrë për institucionet. Edhe pse janë nënshkruar në nivel qendror, obligimet që dalin prej tyre po bien mbi komunat, të cilat po përballen me vështirësi të mëdha financiare. Si rezultat, po dëmtohet funksionimi normal i komunave dhe po vonohen projektet zhvillimore në shumë zona të vendit.
Ibrahimi: 145 milion euro për zbatimin e kontratave kolektive – gjakderdhje financiare për komunat
Sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimit, deri tani komunave u janë marrë mbi 145 milionë euro për zbatimin e këtyre kontratave, përfshirë mbi 37 milionë euro vetëm gjatë këtij viti përmes vendimeve gjyqësore. Ai tha se kjo situatë po krijon një barrë të jashtëzakonshme për buxhetet komunale, duke pamundësuar realizimin e investimeve kapitale dhe duke rënduar financat e institucioneve lokale.
“Deri në muajin maj të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 37 milionë euro përmes vendimeve gjygjësore. Deri më tani Komunave iu janë marrë mbi 145 milionë euro për zbatimin e Kontratave Kolektive. Kjo shumë përbën një barrë jashtëzakonisht të rëndë për buxhetet komunale, duke pamundësuar realizimin e shumë projekteve zhvillimore dhe investimeve kapitale. Marrja e vazhdueshme e mjeteve për zbatimin e kotratave kolektive, e në veçanti shto koston edhe për proceset përmbarimeve tashmë po konsiderohet si një gjakderdhje financiare për komunat.”– tha ai.
Ibrahimi, thekson se pavarësisht që problemi është i njohur prej kohësh, niveli qendror ende nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për ta zgjidhur, andaj kjo po vështirëson gjendjen e komunave dhe si pasojë e kësaj, qytetarët do të pësojnë nga mosrealizimi i projekteve.
“Fatkeqësisht, deri më tani niveli qendror nuk ka treguar gatishmëri reale për ta trajtuar këtë problem. Si pasojë, shumë prej zotimeve të kryetarëve të komunave mbesin të papërmbushura, ndërsa edhe qytetarët do të pësojnë drejtpërdrejt nga mosrealizimi i projekteve jetike që lidhen me infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet publike në përgjithësi.” – shtoi ai.
Kastrati: Projektet te cilat i kemi planifikuar, po dështojnë si rezultat i pagesave të kontratës kolektive
Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës thotë se situata në komunë është jashtëzakonisht e vështirë, pasi po humbin shumë, sepse buxheti po shpenzohet pa planifikim, ndërsa projektet po dështojnë.
“Komuna po humb jashtëzakonisht tepër shumë se po bëhet shpenzimi i buxhetit pa planifikim edhe projektet të cilat i kemi planifikuar nga të gjitha kategoritë buxhetore po na dështojnë si rezultat i pagesave të kontratës kolektive, përkatësisht pagesave të përmbaruesve privat ” – tha ai
Ballazhi: Përmbaruesit po marrin një të tretën e mjeteve që u takojnë arsimtarëve
Mehmet Ballazhi, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit thekson se komunat po pësojnë humbje të mëdha për shkak të lëndëve përmbarimore që lidhen me kontratën kolektive.
Sipas tij, një pjesë e madhe e mjeteve që duhet t’u kalojnë arsimtarëve po përfundon te përmbaruesit privatë.
“Ne kemi shumë pasoja sidomos të lendeve përmbarimore për shkak se një pjesë të shumës së këtyre mjeteve që duhet ti merr kontrata kolektive në këtë rast arsimtaret i merr përmbaruesi. Ta zëmë një muaji e gjysmë – dy muaj përmbarimi i merr diku një të tretën e mjeteve të cilat ish dashtë me i marr arsimtarët.” – tha Ballazhi.
Muharremaj: Kemi paguar rreth 9 milionë euro për kontratën kolektive – dëmet janë shumë të mëdha
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se pagesat për kontratën kolektive po shkaktojnë humbje të mëdha për komunën që ai drejton. Sipas tij, deri tani kjo shumë ka arritur në rreth 8.5 deri në 9 milionë euro.
“Deri tash domethënë shifra e saj ka arritur deri diku përafërsisht 8.5 – 9 milion euro, vitin e kaluar 4.5 milion, në vitin 2023 1.5 milion edhe në këtë vit kanë marr deri tash 1.1 edhe i kanë dërguar dokumentet edhe për 1.5 milion.” – tha ai
Muharremaj thekson se kjo po krijon vështirësi, sidomos në raport me kontraktorët dhe shton se përgjegjësia nuk është e kryetarëve të komunave.
“Për neve janë humbje shumë të mëdha sepse buxheti për këtë vit ka kaluar vitin e kaluar në shtator ne e kemi planifikuar projektin për këtë vit kështu po është problem me pagesa me kontraktorë. Ne jemi të obliguar ti kryejmë punët qe i kemi parapa për këtë vit. Përgjegjësia nuk është e kryetarëve të komunave pasi që kjo kontratë është mes qeverisë dhe sindikatave, por dëmet janë shumë të mëdha” – përfundoi ai. / Front Online /