Shqipëria, Kosova dhe Bosnja kanë hyrë në mesin e dhjetë vendeve në botë të cilave po u pakësohet me shpejtësi popullata.
Më 2023, Ukraina ishte shteti që po e humbiste popullatën më së shpejti në botë teksa pushtimi rus po i dëbonte qytetarët e saj.
Konflikti mund të jetë forcë e fuqishme për ndryshimin e demografisë së një vendi duke krijuar refugjatë, por edhe pasoja.
Shpejtësia e humbjes së popullatës flet edhe për stagnim ekonomik, izolim dhe emigrim, kurse shkalla e ulët e lindshmërisë dhe plakja e popullatës luajnë rol shtesë në pakësimin e banorëve rezidentë, shkruan ‘Statista’.
Sipas artikullit të gazetares Katharina Buchholz, Evropa është i vetmi kontinent që po e humb popullatën, me një rënie prej 0.2 për qind në vitin 2023.
Sipas të dhënave të United Nations Population Division, Evropa ka humbur popullsi që prej 2021-s.
Mes 10 vendeve që po rrudhen më shpejtësi në botë, gjashtë ndodhen në Evropë. Ato janë Greqia, San Marino, Bellarusia si dhe tri nga Ballkani Bosnje-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova.
“Derisa rënia e shkallës së lindshmërisë dhe plakja e popullatave që hyjnë në spirale të tatëpjetës demografike luajnë rol të madh në Evropë, emigrimi nga Ballkani ka luajtur po ashtu rol në mpakjen e madhësisë së popullatës atje”, shkruan artikulli.
Greqia radhitet e treta në listën e vendeve me rënie më të shpejtë të popullatës.
Edhe në fillim të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Statistikave në vendin helenik paralajmëroi se vendi vuan nga kolapsi i popullatës.
Greqia me rreth 10 milionë banorë pritet të humbasë rreth 1 milion prej tyre deri më 2050, që mund të ndikojë seriozisht në të hyrat e qeverisë, tregun e punës dhe funksionimin e shërbimeve.
Prej 2011-s deri më 2021, shkalla e lindshmërisë në Greqi ra për 30 për qind.
“Derisa ndryshimet e përgjithshme shoqërore kanë bërë që të bie shkalla e lindjeve në Evropë e gjetkë, kriza financiare greke e 2010-s dhe masat shtrënguese që pasuan besohet të kenë përshpejtuar këtë dukuri duke i dekurajuar të rinjtë në krijimin e familjeve apo të largohen nga familjet në kërkim të punës.”
Ngjarje të tilla traumatike, sipas artikullit, mund të identifikohen edhe për vende të tjera evropiane në listë.
“Pas rënies së komunizmit në fillimvitet ’90 dhe luftrave të përgjakshme, Bosnia, Kosova dhe Shqipëria tani kanë disa nga diasporat më të mëdha në botë, duke shpërfaqur një numër të lartë njerëzish që kanë ikur (dhe vazhdojnë të ikin) e që po e ndryshojnë thellësisht strukturën lokale moshore.”
Diasporat e mëdha janë realitet edhe për shumë shtete ishullore ku mungesa e mundësive ekonomike shtohet nga izolimi.
Vendi i dytë me rënien më të shpejtë në botë për vitin 2023 ishte Tuvalu, ku një faktor i tretë – siç është ndryshimi klimatik – me gjasë do ta përkeqësojë edhe më shumë emigrimin.
Me rreth 10 mijë banorë, Tuvalu në Oqeanin Paqësor besohet të jetë një nga vendet e para në botë që do të zhduket për shkak të ndryshimit të klimës dhe rritjes së nivelit të oqeanit.
Ministri i Jashtëm i Tuvalus më 2021 mbajti një fjalim në ujë me qëllim që të përkapte vëmendjen për mjerimin e ujdhesës, duke e shpërfaqur ndjesinë e dëshpërimit që i ka kapluar shumë njerëz në këtë pjesë të botës. /NACIONALE/