Kosova po përjeton një nga periudhat më të vështira në sektorin energjetik në dekadën e fundit. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se gjatë ditës së martë ka arritur të mbulojë 83% të kërkesës për energji elektrike në vend.
Në anën tjetër, kompania KEDS nuk ka dhënë asnjë informacion për konsumatorët lidhur me sasinë e importuar të energjisë apo nivelin e konsumit aktual, edhe pse situata është dukshëm e tensionuar.
Njohës të sistemit elektro-energjetik thonë se kjo krizë është rezultat i mungesës së mirëmbajtjes dhe investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën energjetike. Sipas tyre, paralajmërimet për kolaps të sistemit kanë qenë të hershme, por janë injoruar.
Ndërkohë, përfaqësues të opozitës akuzojnë qeverinë për keqmenaxhim të sektorit, si dhe për keqpërdorime të mundshme në proceset e prokurimit dhe investimeve energjetike. Ata kërkojnë llogaridhënie urgjente dhe masa konkrete për të shmangur thellimin e krizës.
KEK: Ne prodhojmë 83% të energjisë së kërkuar nga FSHU
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në një përgjigje për Front Online ka bërë të ditur se aktualisht po prodhon rreth 400 MË energji elektrike përmes dy njësive gjeneruese, B1 dhe A5. Sipas kompanisë, prodhimi ditor është 8,208 MËh, që mbulon rreth 83% të kërkesës së deklaruar prej 9,856 MËh nga KESCO për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU).
Në përgjigje për Front Online, nga KEK-u thanë se ekipet e tyre po mundohen që ta kthejnë sa më shpejt në funksion Termocentralin A.
“Ekipet tona janë duke punuar pa ndërprerje për rikthimin në funksionim të një njësi tjetër në Termocentralin ‘Kosova A’, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe stabil të energjisë për qytetarët dhe bizneset’’, thanë nga KEK.
Gjithashtu, KEK njoftoi se në Termocentralin “Kosova B” po vazhdon një projekt kapital për rehabilitimin e turbinave në njësinë B2, me një vlerë mbi 56 milionë euro, që synon përmirësimin e kapaciteteve prodhuese dhe stabilitetin energjetik të vendit.
‘’Në Termocentralin Kosova B, për herë të parë pas 40 vitesh, po zbatohet projekti kapital për rehabilitimin e turbinave në të dy njësinë e prodhimit të (njëra tashmë në zbatim në njësinë B2), me një vlerë mbi 56 milionë euro’’, thanë nga KEK-u.
Gjata: Kriza e energjisë shkak i menaxhimit të dobët dhe ndikimeve politike
Mehmet Gjata, gazetar që ka mbuluar sektorin e energjetikës me vite, ka dhënë një vlerësim për krizën aktuale të furnizimit me energji elektrike në Kosovë, duke e cilësuar atë si një gjendje të rëndë të ndërtuar për vite të tëra mbi mungesën e investimeve strukturore dhe paaftësinë për të reformuar sistemin energjetik.
Sipas Gjatës, kriza nuk është pasojë e një ngjarjeje të papritur, por rrjedhojë logjike e neglizhencës institucionale, vjetërsisë së infrastrukturës dhe menaxhimit joprofesional ndër vite.
“Gjendja aktuale e furnizimit të Kosovës me energji elektrike është e rëndë dhe, praktikisht, krizë evidente e ka përfshirë vendin sa i përket furnizimit me rrymë,” deklaron ai.
Ai tregon se në ditët e fundit, KEK është reduktuar në minimumin funksional: vetëm një njësi prodhuese (A4) është në operim, ndërsa të gjitha blloqet e tjera janë jashtë funksionit. Blloku B2, që ka kapacitet të konsiderueshëm, është në remont të thelluar që nga muaji prill dhe nuk pritet të rikthehet para tetorit. Në të njëjtën kohë, blloku B1 dhe disa njësi të Kosova A janë ndalur për shkak të defekteve teknike të paplanifikuara.
“Kriza është pasojë e mungesës së energjisë së prodhuar nga termocentralet e stërvjetruara të KEK-ut. Këto ditë kanë dështuar të gjitha blloqet kryesore – Kosova A dhe B1 i Kosovës B – ndërsa B2 është në remont të thelluar që nga prilli dhe nuk pritet të rikthehet deri në tetor,” sqaron Gjata.
Për më tepër, temperaturat e larta dhe vala e verës kanë shtuar ndjeshëm kërkesën për energji, duke e bërë hendekun ndërmjet prodhimit dhe konsumit edhe më të madh.
“Konsumi i rritur ndjeshëm si rrjedhojë e temperaturave të larta, i kombinuar me mungesën e prodhimit në termocentrale, ka qitë në sipërfaqe të gjithë dobësinë strukturore të sistemit energjetik të Kosovës,” thotë ai.
Gjata thekson se kriza është më shumë një simptomë e mungesës së vizionit afatgjatë dhe e dështimit të projekteve madhore për dekada me radhë.
“Të gjitha qeveritë e deritashme janë fajtore për gjendjen aktuale elektroenergjetike. Asnjëra nuk ka bërë asgjë substanciale për të siguruar kapacitete të reja prodhuese. Sot Kosova është pa një termocentral të ri dhe pa projekte madhore të energjisë së gjelbër, përveç ndonjë kapaciteti të vogël në erë në Shalë të Bajgorës ose në Kitkë të Kamenicës.”
Ai paralajmëron se derisa mungon edhe vullneti politik për të reformuar sektorin, problemet nuk do të zgjidhen, përkundrazi do të thellohen:
“Nuk ka pasur gjithmonë përzgjedhje të kuadrove të shkathëta dhe të ditura menaxheriale. Përkundrazi, në shumë raste kanë dominuar përkatësitë partiake, qoftë në KEK, qoftë në KOSTT dhe ZRRE.”
Në fund, Gjata thotë se kjo krizë mund të menaxhohet, por vetëm nëse secili institucion merr përsipër rolin që i takon, pa u fshehur pas deklaratave politike apo akuzave të ndërsjella.
Shala: Situata në KEK po u konvenon atyre që duan të shpenzojnë buxhetin e Kosovës në importin e rrymës
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Sipas tij, problemet teknologjike dhe menaxheriale në këtë ndërmarrje po përkeqësohen në mënyrë të pakontrolluar.
“Problematikat teknologjike dhe menaxheriale në KEK tashmë kanë eskaluar në mënyrë të pakontrullouar’’, deklaroi Shala.
Shala thekson se keqmenaxhimi dhe mungesa e investimeve në mirëmbajtjen e infrastrukturës janë faktorë kryesorë që po kontribuojnë në këtë krizë. Ai thekson se qeveria aktuale nuk ka kapacitet për ta normalizuar situatën në një afat të shkurtër, duke paralajmëruar se kjo gjendje po favorizon ata që synojnë të shpenzojnë buxhetin e Kosovës në import të energjisë elektrike.
‘’ Situata është e lartë në kuptimin e tensionimit dhe keq menaxhimit ,nuk llogaris që në një afat të shkurtër kjo qeveri dhe këto instance mund ta kthejnë në normalitet. Kemi paralajmëruar edhe më herët për këto situata të keq menaxhimit dhe të mos investimit në reparte të caktuar mirëmbajtje e menaxhim’’, thotë Shala.
Ismet Mulaj: Mungesa e investimeve dhe keq menaxhimit kanë sjellë KEK-un para kolapsit, Kosova rrezikon mungesën e energjisë
Ismet Mulaj, njohës i çështjeve të energjetikës, thekson se mungesa e investimeve strategjike gjatë 20 viteve pas luftës dhe menaxhimi i dobët kanë çuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në një gjendje kritike.
“Mungesa e investimeve strategjike është arsyeja kryesore që KEK ka rënë në kapacitet minimal prodhimi. Në këto dy dekada nuk ka pasur investime të mjaftueshme, blloqet janë shumë të vjetra, dhe menaxhimi ka qenë i papërshtatshëm,” shpjegon Mulaj.
Ai thekson më tej se kjo situatë ka sjellë degradimin e blloqeve të prodhimit të energjisë, disa prej të cilëve janë tashmë para kolapsit.
“Si pasojë e keq menaxhimit dhe mungesës së investimeve, prodhimi ka rënë ndjeshëm. Ekonomia e Kosovës varet plotësisht nga këto termocentrale, pasi kapacitetet tjera prodhuese, si ato nga energjia e erës apo ujit, nuk arrijnë të mbulojnë as 20% të kërkesës së tregut,” thotë eksperti.
Sipas Mulajt, situata paraqet një rrezik serioz për furnizimin me energji elektrike në vend, pasi rënia e blloqeve ka qenë e papritur dhe mund të shkaktojë mungesë energjie.
“Mungesa e energjisë vendore na detyron të importojmë rrymë me çmime shumë të larta, të cilat përfundojnë në faturat e konsumatorëve, duke ndikuar negativisht në ekonomi,” paralajmëron ai.