Kryetarët e “sefasë”, u shkoi gjysma e vitit pa punuar asgjë!
Lajme / 3 Gusht, 2023
admin

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë “ngelur” në fushën e investimeve kapitale. 29 prej tyre nuk kanë arritur të përmbushin as 50 % të investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2023. Madje Ferit Idrizi i Vushtrrisë, Mehmet Ballazhi i Hanit të Elezit e Dalibor Jevtiq i Shtërpcës janë kryetarët që shpenzuan veç 1 % të buxhetit për projekte kapitale.

Pasqyra e tillë nxirret nga të dhënat e publikuara në raportin e Thesarit të Shtetit, që operon brenda Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Përformancë më të mirë sa i përket realizimit të investimeve kapitale bazuar në origjininë e partive prej nga vijnë kanë treguar kryetarët e AAK-së, pastaj ata të LDK-së, Vetëvendosjes dhe krejt në fund ata të PDK-së.

Komunat e “VV-së”, mesatarja e investimeve kapitale 15.7 %

Komunat e drejtuara nga Vetëvendosje nuk është se kanë bërë diçka të madhe në fushën e investimeve kapitale.

Mesatarja e investimeve të tyre brenda periudhës janar – qershor 2023 është 15 %.

Fjala është për komunën e Shtimes (Qemajl Aliu) dhe Gjilanit (Alban Hyseni), të cilat kanë realizuar secila nga 21 % të investime kapitale, Podujeva (Shpejtim Bulliqi) 12 % dhe Kamenicë (Kadri Rahimaj) 9 sosh.

Komunat e “LDK-së”, mesatarja e investimeve kapitale 18 %

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) udhëheq gjithsej shtatë komuna.

Mesatarja e investimeve kapitale nga kryetarët e saj në Obiliq, Junik, Lipjan, Viti, Pejë, Istog, Fushe Kosovë dhe Prishtinë është 18 %.

Ndër të gjitha komunat e udhëhequra nga LDK-ja, Obliqi (Xhafer Gashi) prin me 61 % të investime kapitale, pastaj Juniku (Ruzhdi Shehu) 32 %, Lipjani (Imri Ahmeti) 20, Prishtina (Përparim Rama) 16 %, Vitia (Sokol Haliti) 15 , Peja (Gaz Muhaxheri) 10 %, Istogu (Ilir Ferati) 8 dhe Fushë Kosova (Burim Berisha) më e dobëta, me veç 4 % të investime kapitale të realizuara.

Komunat e “PDK-së”, mesatarja e investimeve kapitale 15.6 %

Partia Demokratike udhëheq më më së shumti komuna në vend, gjithsej 9.

Mesatarja e investimeve kapitale nga kryetarët e saj është 15.6 %.

Skenderaji (Fadil Nura) dhe Ferizaji (Agim Aliu) kanë realizuar nga 29 % të investime kapitale, Prizreni (Shaqir Totaj) 28, Drenas (Ramiz Lladrovci) 23 %, Kaçaniku (Besim Ilazi) 15, Mitrovica e Jugut (Bedri Hamza) 12 %, Dragashi ( Shaban Shabani ) 3 dhe Vushtrri (Ferit Idrizi) e Hani i Elezit (Mehmet Ballazhi) me nga 1 % të investimeve kapitale të kryera.

Komunat e “AAK-së”, mesatarja e investimeve kapitale 32.7 %

Mesatarja e komunave të udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është më e larta për investime kapitale, 32.7 %.

Prin komuna e Deçanit (Bashkim Ramosaj) me 52 % të investime kapitale të realizuara, Rahoveci (Smajl Latifi) me 49, Gjakova (Ardian Gjini) me 22 % dhe Suhareka (Bali Muharremaj) më e dobëta me 8 %.

Kryetari i Malishevës, kampion për investime kapitale

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati është kryetari kampion për investime kapitale në gjysmën e pare të vitit 2023.

Ai ka realizuar 79 % të investimeve kapitale.

Kastrati vjen nga Partia Nisma Socialdemokrate. Malisheva, njihet si bastion i kësaj partie.

Shperndaje: