Kuvendi në ngërç, deputetët e rinj angazhojnë 74 asistentë personal me paga të majme- (Lista me emrat e asistentëve)
Ekonomi / 10 Qershor, 2025
admin

Po bëhen dy muaj prej se Kuvendi i Kosovës po dështon të konstituohet si pasojë e përçarjes së spektrit politik në vend, megjithatë, deputetët përpos pagave që vazhdojnë të marrin pa “punuar fare”, janë kujdesur të angazhojnë edhe asistentë personal, të cilët poashtu paguhen me paga të majme.

FrontOnline ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës listën e asistentëve të rinj të deputetëve, paga e së cilëve, sipas raportimeve të mëhershme të FrontOnline, sillet nga 640 € deri në 850 €, përfshirë këtu edhe benificionet shtesë.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë portalit FrontOnline se 74 deputetë, nga 120 sa janë gjithsej, tashmë kanë angazhuar zyrtarë të lartë personalë – përkatësisht këshilltarë, asistentë e koordinatorë, të paguar me nga 638 euro bruto në muaj, secili.

Përndryshe, angazhimi i asistentëve bazohet në Rregulloren Nr. 08/Rr-004 për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë angazhuar asistentë

 

Cakolli: Nuk ka asnjë logjikë dhe as arsye që të angazhohen asistentë për deputetë të cilët nuk po i ushtrojnë funksionet e tyre

Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për FrontOnline kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me angazhimin e asistentëve personalë të deputetëve në një situatë ku Kuvendi ende nuk është funksionalizuar plotësisht.

Eugen Cakolli nga KDI theksoi se për FrontOnline se ndonëse ligjërisht nuk ka ndalesë për një veprim të tillë, ai mbetet i diskutueshëm për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore dhe administrative.

“Ligjërisht, duke qenë se deputetët tashmë e kanë marrë mandatin e tyre, nuk ka një ndalesë të drejtpërdrejtë që do ta pengonte angazhimin e asistentëve të tyre. Megjithatë, në këtë fazë mungon një bazë e qartë ligjore dhe administrative për një veprim të tillë, pasi Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe nuk janë funksionalizuar organet e tij,” u shpreh Cakolli për FrontOnline.

Ai shtoi se përtej aspektit ligjor çështja është edhe më problematike në aspektin parimor dhe etik.

“Nuk ka asnjë logjikë dhe as arsye që të angazhohen asistentë për deputetë të cilët aktualisht nuk po ushtrojnë funksionet e tyre, përtej pjesëmarrjes në seanca tejet të shkurtra. Edhe pse seancat po thirren çdo 48 orë, ato po zgjasin vetëm disa minuta, pa asnjë aktivitet parlamentar substancial,” theksoi ai.

Në përmbyllje, Cakolli paralajmëroi për pasoja në administrimin e fondeve publike në një kohë kur institucionet ndodhen në bllokadë.

“Në këto rrethana, angazhimi i stafit mbështetës jo vetëm që është i panevojshëm, por ngre edhe pikëpyetje serioze etike dhe praktike për mënyrën si menaxhohet paraja publike në kushte të një bllokade institucionale,” përfundoi ai për FrontOnline.

 

AVONET: Deputetët nuk do të duhej të kenë asistent personal, sepse nuk e kanë filluar punën

Rrjeti i organizatave joqeveritare “Avonet” për FrontOnline ka ngritur shqetësime lidhur me angazhimin e asistentëve personalë për deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke e vlerësuar këtë praktikë si të paarsyeshme dhe në kundërshtim me rolin e deputetit në sistemin parlamentar.

Kenan Gashi nga Avonet u shpreh se deputetët nuk kanë nevojë për asistentë personalë, pasi angazhimi i tyre si përfaqësues të zgjedhur duhet të fokusohet në punën brenda komisioneve parlamentare.

“Deputetët e Kuvendit nuk mund të kenë asistent të tyre, sepse roli i tyre si deputet duhet të funksionojë mbi bazën e punës së tyre në Komisionet Parlamentare. Në bazë të kësaj, asistentët janë të angazhuar për t’i kryer punët që lidhen me komisionet,” deklaroi Gashi për FrontOnline.

Ai theksoi më tej se shumë prej deputetëve aktualë nuk po e ushtrojnë plotësisht funksionin e tyre, duke e lënë të kuptohet se angazhimi i asistentëve është më shumë simbolik sesa funksional.

“Deputetët nuk e kanë marrë rolin e plotë si deputetë, sepse nuk janë duke e luajtur rolin e tyre. Krejt këta që kanë marrë asistentë nuk i takojnë një partie të mirë dhe ruajtës së buxhetit,” shtoi ai.

 

Demhasaj: Angazhimi i asistentëve personalë për deputetët është i paarsyeshëm pa konstituimin e Kuvendit

Analisti politik Arton Demhasaj për FrontOnline ka kritikuar vendimin për angazhimin e asistentëve personalë për deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si të parakohshëm dhe të pajustifikuar, për aq kohë sa legjislatura nuk është ende funksionale.

“Për aq kohë sa Kuvendi nuk konstituohet, deputetët nuk ka qenë dashur me angazhu asistentë,” deklaroi Demhasaj për FrontOnline, duke shtuar se funksioni i asistentëve merr kuptim vetëm pasi të jenë themeluar komisionet parlamentare dhe grupet punuese.

Sipas tij, asistenti ka rol në ndihmën teknike dhe përgatitjen e dokumentacionit për punën legjislative, por në mungesë të strukturave të brendshme të Kuvendit, angazhimi i tyre është i panevojshëm.

“Asistenti konsiderohet se do të mund të ndihmonte deputetin kur të krijohen komisionet parlamentare e pastaj edhe grupet punuese për ligje të caktuara. Por përderisa Kuvendi nuk është konstituar, nuk ka pasur nevojë të angazhohen asistentë sepse nuk kanë punë ose ndihmë që munden me ua jep asistentëve,” u shpreh ai.

Shperndaje: