Kuvendi shfrytëzon kuletën e shtetit për blerjen e dhuratave për pension
Prokurim / 16 Mars, 2022
Lavdim Hamidi

Kuvendi i Kosovës nuk do t`i lë duarthatë punëtorët e tij të administratës që pritet të pensionohen gjatë këtij viti.

Për të nderuar kontributin e tre të tillëve, ky institucion ka porositur tri orë dore. Për to pagoi rreth 300 euro. Ishin para të taksapaguesve. Nuk u mblodhën nga kolektivi.

Dhuratat, legjislativit, do t`ia sjell biznesi “Ora Group”, të cilit edhe iu dha tenderi.

Nga shoqëria civile nuk janë në dijeni se ka bazë ligjore për këtë formë të shpenzimit.

“Me çfarë baze ligjore ti ki të drejtë me para të shtetit me ju bë dhurata, zyrtarëve shtetërorë. Duheni me pyet Kuvendin. Unë e di që nuk ka”, tha Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në Lëvizjen FOL.

“iFRONT” ka kontaktuar drejtpërdrejt me Zyrën e Prokurimit në Kuvend.

Përgjegjësja aty, Hajrije Haradinaj, krejt çfarë i tha portalit është që t`i drejtohet Zyrës për Medie.

Nga kjo e fundit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë të martës rreth bazës ligjore mbi të cilën janë bërë shpenzimet e kësaj natyre. Së këndejm, as për “firmën” e orëve.

Megjithatë në dosjen e tenderit, të cilën e ka siguruar “iFRONT”, është kërkuar që orët të jenë të përshtatshme për dedikime të tilla si për këtë rast të pensionimit.

Bile është kërkuar edhe një detaj shtesë, special.

Në kapakët e orëve prapa të shkruhet (gravohet) një tekst i shkurtër sipas kërkesës së Kuvendit.

Kompania fituese duhet t`i çojë këto tri vegla të posaçme aty brenda 10 ditësh dhe të garantojë një vit për to.

Kuvendi, “arenë” e shpenzimeve

Kuvendi i Kosovës ishte “arenë” e shpenzimeve edhe më herët.

Për 10 vjet, deputetët e këtij institucioni “dogjën” 1.1 milionë € derivate.

Kjo meqë disa nga ligjvënësit që jetonin jashtë Prishtinës, i mbuluan shpenzimet e udhëtimit me para të taksapaguesve.

Më së shumti karburante, ata harxhuan në vitet, 2021, 2018, 2015, 2013 dhe atë 2012, ku kërkuan kompensim në shumën mbi 100 mijë euro.

Shpenzimet e deputetëve për karburante ndër vite:

100.530 € = 2021 / 91.328 € = 2020/ 76.800€ = 2019/ 157.290 €= 2018 / 81.559 €= 2017 / 90.913 € = 2016 / 119.900 € = 2015 / 73.240 € = 2014 / 163.680 € = 2013 / 173.470 € = 2012 / 29.460 € = 2011.

Ora, dhuratë e lakmueshme për zyrtarët shtetërorë

Muaj më parë, Ministria e Arsimit kishte përzgjedhur blerjen e dy orëve të dorës si dhuratë për të nderuar punën e dy zyrtarëve të saj, të cilët dolën në pension, meqë mbushën 65 vjeç.

310 euro nga buxheti i shtetit u shpenzuan për to.

Shperndaje: