Konflikti i përshkallëzuar mes Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar tronditje në tregjet globale të naftës, ku çmimi i një fuçie ka arritur mbi 78 dollarë, duke shënuar një rritje të ndjeshme që po ndikon drejtpërdrejt edhe në vendet që varen nga importi, përfshirë edhe Kosovën. Si pasojë, çmimet e karburanteve në Kosovë kanë filluar të shfaqin tendenca rritjeje, ndërsa qytetarët dhe bizneset janë në pritje të pasojave që mund të ketë kjo situatë në buxhetet e tyre.
Litra e naftës s’bëhet 10 euro – Shoqata e Naftëtarëve qetëson qytetarët
Fadil Bejrani, përfaqësues i Shoqatës së Naftëtarëve, thekson se lëvizjet e çmimeve varen nga zhvillimet në tregjet globale, por nuk ka vend për panik.
“Çfarë çmime do të kemi në ditët në vijim s’mundemi me paragjykuar, sepse ka lëvizje të mëdha në bursë dhe ndikim të madh ka lufta Iran-Izrael. Nuk ka nevojë për panik, qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në rajon,” deklaroi Bejrani.
Ai bëri të ditura çmimet aktuale në tregun kosovar:
Bejrani i hodhi poshtë pretendimet për rritje ekstreme të çmimeve të naftës që janë përhapur në disa portale:
“Dikush nga portalet janë duke bërë panik te qytetarët se do të bëhet nafta 10 euro. Këto janë të pavërteta. Nuk ka asnjë shans teorik që nafta të arrijë këtë çmim, këto janë gënjeshtra të qëllimshme’’, deklaroi Bejrani.
Gerxhaliu: Rritja e çmimeve të naftës është goditja e parë e konfliktit Iran-Izrael për Kosovën
Lufta e re mes Iranit dhe Izraelit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e shumë vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Safet Gerxhaliu, ish-kryetar i OEK, thotë se çdo zhvillim i tillë reflektohet nëpërmjet bursave dhe tregjeve ndërkombëtare.
‘’Lufta e re mes Iranit dhe Izraelit e tëra kjo në çfarëdo mënyre do të ketë ndikim në ekonomitë e shumë vendeve përfshirë edhe atë të Kosovës, çka do që ndodh ndikon ne ekonominë e shumë vendeve qoftë përmes BERZAVE përmes tregjeve të ndryshëm’’, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, goditja e parë afatshkurtër do të jetë rritja e çmimit të naftës, pasi Irani është fuqia e katërt në botë për prodhimin dhe eksportin e naftës.
‘’Mendoj qe goditja e parë në një periudhë afat shkurte do të jetë ngritja e çmimit të naftës, Irani është fuqia e katërt në botë sa i përket prodhimit dhe eksportit të naftës’’, deklaroi ish-kryetari I OEK.
Gerxhaliu thekson se Kosova është në një pozicion të vështirë për shkak të tre faktorëve kryesorë: mungesës së rezervave strategjike, ngritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe tani luhatjeve të mundshme të çmimit të naftës.
‘’Kosova në këtë aspekt është në vend më të vështirë janë tri komponentë që e karakterizojnë e para mungesa e rezervave dhe ngrija e çmimit te energjisë elektrike shto kësaj lëvizjen e çmimit të naftës do te jetë shume me e vështirë ‘’, përfundoi Gërxhaliu.
Bellaqa: Lufta në Lindjen e Mesme dhe mungesa e konkurrencës rrisin çmimet në Kosovë
Rritja e çmimeve të derivateve në Kosovë nuk është rastësore. Sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ndikimi vjen si nga faktorët ndërkombëtarë, ashtu edhe nga problemet e brendshme.
“Çmimet po lëvizin si pasojë e luftës mes Iranit dhe Izraelit, tensioneve Rusi–Ukrainë, por edhe luhatjeve në bursat botërore dhe rritjes së kostove të transportit ndërkombëtar,” tha Bellaqa për FrontOnline.
Ai deklaron se në Kosovë situatën e rëndon edhe mungesa e konkurrencës së plotë në tregun e derivateve.
“Ka dominim nga disa kompani të mëdha, që ndikojnë drejtpërdrejt në çmime. Po ashtu ndikojnë akcizat, tatimet dhe kostoja e lartë operative për bizneset e varura nga transporti’’, tha Bellaqa.
Sipas Bellaqës, kjo situatë po ul fuqinë blerëse të qytetarëve dhe po kërcënon standardin socio-ekonomik në vend.
‘’Në këtë mënyrë ulet konkurrenca dhe dobësohet fuqia blerëse ku kjo ndikon të qytetaret dhe kercnon standardin socio ekonomik dhe jetësor’’, përfundoi Bellaqa.
Muhaxheri: Qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë për konfliktet me mijëra kilometra larg
Arton Muhaxheri, njohës i çështjeve ekonomike, thekson se rritja e çmimeve në tregjet globale zakonisht reflektohet edhe në Kosovë. Por ai shton se qytetarët nuk duhet të paguajnë domosdoshmërisht më shumë për një konflikt që ndodh mijëra kilometra larg.
‘’Rritja e çmimeve në tregjet globale zakonisht reflektohet edhe te ne. Por, a duhet qytetarët tanë të paguajnë më shtrenjtë për një konflikt që ndodh mijëra kilometra larg? Jo domosdoshmërish’’, deklaroi Muhaxheri.
Sipas Muhaxherit në vende me politika ekonomike mbrojtëse dhe me rezervat strategjike të menaxhuara mirë, ndikimi mund të zbutet ndjeshëm. Megjithatë, mungesa e rezervave strategjike në Kosovë bën që çdo krizë globale të ndjehet drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, duke rritur pasigurinë dhe çmimet.
‘’ Në vende me politika ekonomike mbrojtëse dhe me rezerva strategjike të menaxhuara mirë, ndikimi mund të zbutet ndjeshëm. Duke pasur mungesë më rezervat strategjike në Kosovë atëherë çdo krizë globale ndjehet drejtpërdrejt në ekonominë e vendit’’, deklaroi ai.