Janë bërë gati tri javë që kur qytetarëve kosovar u është mundësuar lëvizja e lirë pa viza në Zonën Schengen.
Krahasuar me vitet paraprake numri i udhëtarëve për të shkuar në Evropë këtë fillim vit, është rritur dukshëm, raporton Front Online.
Rriten shkuarjet, bien ardhjet në Kosovë
Gjatë dyjavëshit të parë të vitit 2024, përkatësisht nga 1-15 janar, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë regjistruar 103.248 udhëtarë në shkuarje, apo 20.531 udhëtarë më shumë se dyjavëshin e parë të vitit 2023. Ndërsa ardhjet në Kosovë gjatë periudhës 1-15 janar 2024 kanë qenë 52.568, apo rreth 2000 udhëtarë më pak se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar, bëjnë të ditur për Front Online zyrtarë për medie nga Aeroporti.
Nga Aeroporti “Adem Jashari” kanë bërë të ditura edhe statistikat e fundit, përkatësisht nga 1-18 janar 2024.
“Nga data 1-18 janar 2024 kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 000 udhetarë më shumë. Ky është një trend i zakonshëm i rritjes së numrit të udhëtarëve në Aeroportin tonë prej vitesh”, kanë potencuar zyrtarët e Aeroportit.
E nga agjencitë e fluturimeve kanë treguar për Front Online se rreth 50% është rritur kërkesa e qytetarëve për të udhëtuar.
Agjencitë turistike: Kërkesat janë rriur mbi 50%, Zvicra, Gjermania, destinacionet më të kërkuara
Nga agjensioni “Go Travel” thanë se që nga fillimi i vitit kërkesat e klientëve për udhëtime në shtetet e BE-së janë rritur dukshëm.
Çmimet, sipas tyre, nuk do të ndryshojnë ani pse ka kërkesa të shumta.
Gjermani e Zvicra janë destinacionet më të frekuentuara nga kosovarët aktualisht.
“Nga 1 janari ka pasur kërkesë të rritjes të madhe për rezervime për biletat jashtë vendit. Dallimi mes viteve më herët vërehet më shumë se 50% ndryshim rritjes së interesimit për me dalë jashtë Kosovës. Gjermania dhe Zvicra janë destinacioni më i kërkuar. Çmimet nuk e kemi synim t’i rrisim çmimet ani pse interesimit të madh”, thuhet në përgjigjën e tyre.
Kërkesa për vizitë Barcelonës, pas njohjes së pasaportave nga Spanja
Krahasuar me muajin janar të vitit 2023, në muajin po të njëjtë i vitit 2024 ka interesim të madh të qytetarëve për udhëtimet jashtë vendit.
Kështu po thonë për Front Online nga agjensioni “Fibula Travel”.
Italinë e Barcelonën po e kërkojnë kosovarët, thonë nga agjensioni.
“Ka një interesim të dukshëm dhe ngritje të madhe të interesimit të qytetarëve për rezervime krahasuar me janarin 2023. Vendi më i preferuar që kanë kërkuar qytetarët të vizitojnë këtë muaj deri më tash kanë qenë Itali dhe Barcelona. Me i krahasuar çmimet me vitin e kaluar janë më të lira këtë vit”, treguan nga agjensioni.
Ndryshe nga dy agjensionet paraprake “Next Travel”, thotë se nuk ka interesim të madh të qytetarëve për rezervime.
“Nuk ka ndryshim të madh pak po, por jo shumë për rezervimet e avionit. Gjermania, Zvicra e Suedia kanë qenë vendet më të kërkuara të këtij muaji”.
Qytetarët të cilët posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini, Spanja dhe Islanda.
/FrontOnline/