Mimoza Kusari-Lila
Ish - zëvendëskryeministre
Ditëlindja: 16 tetor 1975
Vendlindja: Gjakovë
Përkatësia: Alternativa –Lëvizja “Vetëvendosje”

Mimoza Kusari-Lila është njëra ndër politikanet kosovare që ka ushtruar funksione të larta në nivel qendror dhe lokal, duke qenë e afërt me disa prej subjekteve parlamentare të Kosovës, veçmas nga viti 2010 e këndej.

Në vitin 2003, asaj iu besua pozita e zëdhënëses së Qeverisë dhe e këshilltares politike të kryeministrit tashmë të ndjerë, Bajram Rexhepi.

Përgjatë viteve 2011-2013 ka qenë zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë së Kosovës, përderisa në dhjetor 2013 është zgjedhur kryetare e Komunës së Gjakovës.

Karrierën partiake e ka nisur me AKR-në e Behgjet Pacollit. Më vonë ka themeluar partinë e saj “Alternativa”, e cila në periudha të ndryshme ka bashkëpunuar me LDK-në dhe LVV-në.

Aktualisht është shefe e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit më të madh politik i cili nga marsi i vitit 2021 udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Para se të angazhohej në politikë, Kusari Lila ka udhëhequr me Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës (2006-2009).

Mimoza Kusari-Lila studimet i ka mbaruar në Universitetin “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Ekonomik. Studimet post-diplomike i përfundoi në SHBA në fushën Administrim Biznesi, në Duquesne University, Pittsburgh, Pennsylvania.

Përndryshe, shefja e grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje” ka aktakuzë nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e njohur si afera e “Hidrocentraleve”. Bashkë me disa ish-ministra të Qeverisë së Kosovës, Kusari-Lila, akuzohet se me procedurën e privatizimit të katër hidrocentraleve: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sipas aktakuzës së ngritur më 10 prill 2020 pretendon se të njëjtit kanë dëmtuar KEK-un dhe Qeverinë e Kosovës, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro, ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

 

Patundshmëritë

245.000 € është vlera e përgjithshme e patundshmërive të deklaruara nga Mimoza Kusari-Lila në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2022. Aty përfshihet një shtëpi e trashëguar në vlerë prej 65 mijë euro dhe një banesë prej 200 metrash katror e blerë në vitin 2008.

Një vlerë të tillë të pasurisë së patundshme Kusari-Lila e ka deklaruar vazhdimisht që nga viti 2010 e këndej.

Të hyrat

33.415 € janë të hyrat vjetore familjare të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku përfshihet paga e saj si kryetare e Grupit Parlamentar dhe paga e bashkëshortit.

Paratë CASH

Rreth 14.000 € para të gatshme i ka deklaruar Kusari-Lila në Agjencinë Kundër Korrupsionit, përkatësisht në formularët e vitit 2022. Saktësisht, të njëjtën shumë të parave të gatshme e kishte deklaruar edhe në vitin 2021.

Kreditë

22.877 € është shumë e përgjithshme e kredive të deklaruara nga Kusari-Lila.

Më së shumti kredi, përkatësisht 60.000 €, ajo i ka deklaruar në vitin 2012, kur ka qenë zv/kryeministre e Qeverisë së Kosovës.

Vetura

Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë prej 9000 €.

Kompanitë

“MKL” është biznesi i regjistruar në vitin 2020 që është 100% në pronësi të Mimoza Kusari-Lilës.

Ky biznes figuron me emrin tregtar ‘Canadian Education in Europe’ dhe udhëhiqet nga bashkëshorti i saj, Arben Lila.

Në formularët e deklarimit të pasurisë, Kusari-Lila ka deklaruar se bashkëshorti i saj merr pagë vjetore prej rreth 11 mijë euro nga KADC (Kosovo Advocacy & Development Centre), si program menaxher.

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.