Mytaher Haskuka 
Ish-kryetar i Prizrenit
Ditëlindja: 12 tetor 1973
Vendlindja: Prizren
Përkatësia: Lëvizja Vetëvendosje

Mytaher Haskuka nga viti 2018 e deri në vitin 2021 ka qenë kryetar i Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Para se të vinte në krye të kësaj komune ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Këtë mandat e ka ushtruar nga viti 2014 deri në vitin 2017, si anëtar i LVV-së.

Haskuka ka doktoruar në shkenca të psikologjisë sociale në Universitetin “Ludwig Maximilian” në Mynih të Gjermanisë- drejtimi kryesor në Shkenca Psikologjike, ndërsa drejtimi dytësor në Shkenca Politike.

Studimet post-diplomike i ka kryer gjatë viteve 1998 – 2001 në Universitetin Bogazici në Stamboll, në drejtimin Psikologji Sociale, Metodat e Hulumtimit në shkenca sociale dhe Statistikë e Avancuar.

Më 8 tetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj Mytaher Haskukës dhe tre ish- deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nën akuzën se kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, me ç ‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvend.

Deri më tash, Gjykata nuk ka marrë ndonjë vendim final në lidhje me ketë rast.

Përndryshe, Haskuka aktualisht nuk ka ndonjë funksion publik.

 

 

Patundshmëritë:

Në vitin 2014 dhe 2015, Haskuka ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se e posedon vetëm një shtëpi në Prizren. Por, një vit më vonë pasuria e tij e deklaruar është rritur për rreth 2 milionë euro. Në këtë vlerë hyjnë: shtëpi, lokale, e toka, që sipas formularit janë në emër të prindit të tij.

I kontaktuar nga Instituti “Front”, Mytaher Haskuka ka thënë se në vitin 2016, deklarimit të pasurisë ia ka shtuar edhe pronat në posedim të familjes, pra të prindërve të tij.

“Pra dallimi qëndron në atë që në vitin 2014 kur kam bërë deklarimin e pasurisë nuk kam shënuar atë të prindërve, në vitin 2016 më kanë këshilluar që nëse nuk është bërë ndarja e trashëgimisë (babain e kam pas të gjallë) të shënoj edhe pronat e prindërve dhe familjes”.

 

Të hyrat:

Të hyrat e tij dhe të bashkëshortes janë llogaritur 40 deri në 60 mijë euro brenda një viti, Nga fillimi i deklarimit të pasurisë e deri më tash vlera e mjeteve të kursyera në llogarit të tij dhe të bashkëshortes kanë variuar nga 2 mijë deri në 24 mijë euro sa ka pas vitin e fundit.

Haskuka ka thënë se të hyrat e tij para se t’i hynte politikës kanë qenë nga UNDP-ja e UP-ja, dhe nga këto të hyra ka gjeneruar edhe kursime në banka, të cilat më pastaj i ka investuar në patundshmëri.

Për më shumë, para politikës kam punuar në UNDP më shumë se 10 vite dhe në kontribute në fondin UNSCF ku kam pas më shumë se 45,000 Euro, gjersa paga vjetore në UNDP ka qenë rreth 30,000 Euro dhe ligjërues UP 9,600 Euro, prandaj kam pasur edhe kursime në bankë. Pasi që e kam lënë punën në UNDP, kam bërë kërkesën që t’i marr këto fonde dhe me to kam investuar në një banesë dhe toke. Në vitin 2016 mund të shihni që nuk kam më këto fonde dhe bashkë me bashkëshorten kemi marr kredi në vlerë prej 40,000 euro të cilat i kemi investuar dhe një parcelë”, ka thënë ai.

 

Bizneset:

Nga viti 2014 e deri në vitin 2018 Mytaher Haskuka në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se bashkëshortja e tij posedon 33 % të aksioneve në kompaninë “Aplikative Research Solutions”. Por, në deklarimet e tri viteve të fundit ky biznes nuk figuron fare.

I kontaktuar nga Instituti “Front”, Mytaher Haskuka ka thënë se bashkëshortja e tij i ka shitur aksionet në kompaninë e lartpërmendur dhe nuk është më aksionare.

“Nëse kontrolloni mirë për “Aplikative Research Solutions”, bashkëshortja ka shitur aksionet e saja dhe ato janë paraqitur një vit më vonë si të ardhura, tani ajo nuk është aksionare në këtë kompani”, tha ai.

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.