Duke filluar nga muaji i ardhshëm, lehonat e punësuara dhe të papunësuara në Kosovë do të përfitojnë shtesa më të larta nga Qeveria e Kosovës.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, ku kryeministri Albin Kurti tha se qëllimi i kësaj rritjeje është të pasqyrojë ndryshimin e pagës minimale.
Sipas vendimit, lehonat e papunësuara do të marrin 325.9 euro në muaj për një periudhë gjashtëmujore, krahasuar me 170 euro sa kanë marrë deri tani. Ndërkohë, lehonat e punësuara do të përfitojnë të njëjtën shumë për tre muaj, krahas pagës minimale që u garanton Ligji i Punës.
Për zbatimin e këtij vendimi, Qeveria ka planifikuar të alokojë edhe 10 milionë euro shtesë deri në fund të vitit. Kurti tha se përfshirë edhe shtesat për fëmijë, mbështetja për lehonat arrin mbi 2.000 euro për secilën.
Në të njëjtën mbledhje, u miratua edhe ndarja e mjeteve për fazën e dytë të rritjes së pagave për punonjësit e sektorit publik për 55 euro, duke çuar pagën mesatare nga 755 në 865 euro.
Por, megjithëatë kjo po duket të jetë politike dhe parapërgaditje.
Shala: Mbështesim ndihmën për lehonat, por Qeveria po manipulon me opinionin në prag të zgjedhjeve
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, për FrontOnline ka folur pas vendimit të Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit për rritjen e shtesave për lehonat, duke e përshëndetur ndihmën për qytetarët, por duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe të vonuar.
“Ne e kemi përshëndetur çdo paketë sociale që shkon në destinacion të mirëfilltë dhe që shkon tek qytetarët. Ne e mbështesim,” deklaroi Shala, duke nënvizuar se PDK-ja nuk është kundër ndihmës sociale, por ka rezerva të mëdha për kohën dhe mënyrën e zbatimit të saj.
Sipas tij, Qeveria aktuale ka dështuar për pesë vite të qeverisjes që të adresojë nevojat e lehonave dhe të kategorive të tjera sociale.
“Koha dhe mënyra e ndarjes së subvencioneve është nga një Qeveri e cila për pesë vite në pushtet nuk e ka kryer obligimet që ka pasur ndaj kësaj kategorie,” theksoi ai për FrontOnline.
Shala akuzoi Qeverinë për tentativa manipulimi me opinionin publik në një moment politikisht të ndjeshëm.
“Sot po orvatet që në prag të zgjedhjeve lokale dhe formimit të institucioneve të reja të manipulojë me opinionin dhe kategoritë sociale, fatkeqësisht,” përfundoi ai.
Reçica për vendimin e Qeverisë për shtesat e lehonave: Kujdes social apo kalkulim elektoral – Pse gjithmonë ndodh në prag të zgjedhjeve
Pas vendimit të Qeverisë në detyrë për rritjen e shtesave për lehonat, për FrontOnline ka folur ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica duke e cilësuar mbështetjen si të nevojshme, por të vonuar dhe me motive të dyshimta politike.
“Çdo mbështetje shtesë për qytetarët, qoftë për shërbyesit civilë apo për lehonat është e mirëpritur,” deklaroi Reçica. Ai theksoi rëndësinë e ndihmës në kohë të vështira ekonomike, duke shtuar se “në një kohë me kosto të lartë jetese dhe pasiguri ekonomike, çdo ndihmë konkrete në buxhetin familjar është e nevojshme.” tha ai.
Megjithatë, sipas tij, masat e tilla nuk duhet të jenë të përkohshme dhe të lidhura me ciklet zgjedhore.
“Qytetarët kanë nevojë për politika të përgjegjshme dhe afatgjata, jo masa të fragmentuara që zbatohen vetëm kur afron koha e zgjedhjeve,” theksoi ai.
Reçica ngriti pikëpyetje serioze mbi momentin kur është marrë vendimi.
“Fatkeqësisht, vendimi për rritjen e pagave dhe shtesave për lehonat, ndonëse në thelb i drejtë, vjen në një moment që ngjall dyshime të arsyeshme: pikërisht në prag të shpalljes së datës për zgjedhjet lokale, apo ndoshta edhe atyre parlamentare, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit,” u shpreh ai.
Ai kërkoi rregullim të përhershëm ligjor për çështje të tilla, sidomos për shërbyesit civilë dhe nënat.
“Pagat e shërbyesve civil duhet të rriten në përputhje me inflacionin dhe të garantohen me ligj, në mënyrë që të mos përdoren si instrument manipulimi në periudha elektorale,” deklaroi Reçica, duke shtuar se “është urgjente të miratohet një ligj i posaçëm dhe gjithëpërfshirës për lehoninë, që garanton të drejtat elementare pa u ndikuar nga ciklet zgjedhore.”
Ai e cilësoi të papranueshme përdorimin e masave sociale për përfitime politike.
“Zgjidhjet e përkohshme nuk janë të mjaftueshme. Politikat duhet të jenë të qëndrueshme, transparente dhe të ndërtuara mbi nevojat reale të qytetarëve, për çdo ditë dhe jo vetëm në prag të fushatave elektorale,” tha ai, duke shtuar se “këto veprime kërkojnë analizë serioze dhe llogaridhënie. Pyetjet janë të qarta dhe legjitime: pse nuk u veprua më herët? Pse mungoi transparenca? Dhe pse gjithmonë ndodh në prag të zgjedhjeve?” përfundoi Reçica.
Muhaxheri: Rritja e pagave nuk është masë e re, shtesat për lehonat kërkojnë qartësi dhe analizë të qëndrueshme
Pas njoftimit nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri i Financave në detyrë Hekuran Murati për rritjen e pagave për shërbyesit civilë dhe shtesave për lehonat, për FrontOnline njohësi i ekonomisë Arton Muhaxheri, thekson se masat e prezantuara nuk janë të reja dhe kërkojnë më shumë transparencë.
“Sa i përket rritjes së pagave për shërbyesit civilë, duhet theksuar se kjo nuk është një rritje e re, por pjesë e një vendimi të marrë më herët,” tha Muhaxheri.
Ai rikujtoi se që në fillim të vitit është paralajmëruar ndarja e rritjes prej 100 eurosh në dy faza – 50 euro në janar dhe 50 të tjera nga muaji korrik.
“Pra, kjo është një temë e vjetër që po ri-trajtohet si e re, ndoshta me qëllim për të krijuar përshtypjen e një veprimi të ri pozitiv në sytë e publikut,” shtoi ai, duke ngritur dyshime për kohën dhe mënyrën e komunikimit të kësaj mase.
Lidhur me rritjen e shtesave për lehonat, Muhaxheri u shpreh se çdo formë mbështetjeje për këtë kategori është e mirëseardhur dhe e nevojshme. Megjithatë, ai theksoi se vendimet e tilla duhet të bazohen në analiza të qëndrueshme dhe të jenë pjesë e një politike të mirëplanifikuar, e jo të krijojnë përshtypjen se janë të lidhura me zhvillime të mundshme zgjedhore.
“Është me rëndësi që politika të tilla të jenë të mbështetura në analiza të qëndrueshme dhe të mos krijojnë përshtypjen se janë të lidhura me zhvillime eventuale zgjedhore,” përfundoi ai.
Muhaxhiri për shtesat e lehonave: Lajm i mirë socialisht, por politikisht zhgënjim i radhës nga Kurti
Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline ka folur pas vendimit të Qeverisë në detyrë për rritjen e shtesave për lehonat, duke e vlerësuar si një hap të mirëpritur në aspektin social, por të dështuar në atë politik.
“Në aspektin social është lajm i mirëseardhur sepse ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarëve,” u shpreh Muhaxhiri.
Megjithatë, sipas tij, ky vendim është dëshmi e një mungese të vizionit të qartë dhe e një përsëritjeje të qasjeve të vjetra politike.
“Në aspektin politik është shumë zhgënjyese sepse kjo qasje është tipike sikur e qeverive të kaluara,” tha ai, duke shtuar se “Kurti nuk ka asnjë ide për marrjen e investimeve të huaja, për zhvillimin ekonomik dhe për zhvillimin afatgjatë.” tha ai.
Muhaxhiri theksoi se një politikë sociale e qëndrueshme nuk duhet të ndalet vetëm në muajt e parë të jetës së një fëmije.
“Sa i përket vendimit për lehonat, shteti duhet të mendojë për kualitetin e jetës së fëmijëve edhe pas moshës 6 muajshe,” deklaroi ai.