Podujeva e “përjetimeve”/ Gropa e pluhur në autostradën që nuk përfundon kurrë!

Tash e disa vite ka filluar ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, por për gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, e tëra çfarë është mundur të shihni në këtë rrugë, kanë qenë gropat në mes të saj dhe makineritë e kompanisë kontraktuese për skaj të saj.

Për shumë ditë e netë, kjo rrugë ka ngjallur zemërim e nervozë tek banorët që janë detyruar të kalojnë në këtë rrugë të paktën dy herë në ditë.

Por edhe pas gjithë këtyre viteve, kjo rrugë nuk ka përfunduar, përkundër shumë premtimeve se do të përfundonte sa më 2022, sa me 2023 e tash sa më 2024.

Por, pas një ‘’durimi’’ 20 vjeçar, siç duket kësaj rruge i ka ardhur fundi dhe po shkon drejt përfundimit, ndonëse nuk dihet sakt se kur do të ndodhë përurimi i saj: Këtë vit, vitin tjetër, apo pas disa viteve.

Shpejtim Bulliqi kryetar i Podujeves: Kemi duruar që 20 vjet, durojmë edhe pak muaj – Brenda këtij viti shtrohet me asfalt rruga Podujevë-Prishtinë

 Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për FrontOnline, ka folur për punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë dhe kohën se kur mund të përfundojnë ato.

Bulliqi, thotë se ka kaluar sot nga ajo rrugë dhe se sipas tij punët janë duke ecur mirë.

‘’A je dalë hiç me vizitu rrugën? Edhe unë sot në mëngjes kalova, mirë është kah shkon puna, me intensitet të mirë po ecin punët’’ tha ai.

Bulliqi, thotë se kanë duruar që 20 vite për asfaltimin e asaj rruge dhe duhet duruar edhe pak, përkundër se ai ishte në pushtet edhe kur partitë tjera udhëhiqnin me Podujevën e po ashtu edhe me qeverinë qendrore.

‘’Paj nuk di se nuk se nuk është projekt i imi, është projekt i Ministrisë. Ne problem e kemi pasur që 20 vjet, kemi duruar që 20 vjet, durojmë edhe disa muaj sepse po kryet rruga kysmet’’ thotë ai.

Kreu i Podujevës, shprehet optimist se deri në fund të këtij viti do të asfaltohet e tërë rruga, derisa disa punë tjera edhe mund të mbesin për vitin tjetër.

‘’Ne nuk po premtojmë në hava sikur ata nga 2015-ta, por po i bëjmë punët dhe po shpresoj shumë që së paku lidhja e trasesë me asfalt ka me u bërë deri në fund të vitit, ndoshta punët tjera mbesin për vitin tjetër, e rëndësishme asfalti kryhet këto ditë, nga intensiteti i punës se nuk është se kam biseduar këto ditë me ministrin. Po shpresoj shumë, me këtë intensitet, e na premtojnë kushtet atmosferike. Tash kanë mbetur edhe tri segmente. Goxha jam optimist që asfalti ka me u lidhë brenda këtij viti’’ theksoj Bulliqi për FrontOnline.

Isak Shabani i PDK-se për rrugën Prishtinë-Podujevë: Kanë pasur me e përfundu me 2022, zor që mbarojnë punimet këtë vit

Deputeti i PDK-së, njëherit edhe kryetar i kësaj partie në Podujev, Isak Shabani, për Front Online shprehet skeptik për përfundimin e rrugës Prishtinë-Podujevë brenda këtij viti.

‘’Po me thënë të drejtën premtime ka pasur me 2022 që do të përufundon e sot jemi në vitin 2024. Si duket kjo rrugë nuk pritet të përfundoj brenda këtij viti. Ata po thonë se pjesët e asfaltimit do të përfundojnë këtë vit, por urat do i rregullojnë vitin e ardhshëm’’ thotë ai.

Shabani, shprehet se për shkak të kësaj rruge janë duke pësuar shumë qytetarët dhe bizneset.

‘’Por mbi të gjitha, po pësojnë shumë qytetarët dhe bizneset. Është maltretim i veçantë, prandaj nuk do shumë koment’’ potencon ai.

Sipas deputetit të PDK-së, njëherit kryetari  kësaj partie në Podujevë, Isak Shabani, nga përvoja e deri tanishme, nuk shprehet optimist për mbarimin e kësaj rruge.

‘’Pritet koha me e vërtetu këtë, a do e realizojnë këtë, por nga përvoja deri tanishme, zor që e realizojnë’’ deklaroj ai për FrontOnline.

Adem Grabovci – ish zevendesminister i PDK-se për rrugën Prishtinë-Podujevë: Me PDK-në në pushtet, kjo rrugë moti ishte harru

Ish-zëvendësministri i infrastrukturës në qeverinë kur shteti udhëhiqej nga koalicioni PDK-LDK, për FrontOnline thotë se po të ishte PDK-ja në pushtet, rruga Prishtinë-Podujevë, si dhe disa autostrada tjera, do të ishin harruar që moti nga përfundimi i tyre.

‘’Me përgjegjësi të plotë e them, se rruga Prishtinë-Podujevë, autostrada për Gjilan, për Mitrovicë, për Dukagjin, absolutisht këto me PDK-në do të ishin të harruara, e do të ishin realizuar edhe shumë projekte tjera’’ thotë ai.

Grabovci, e quan fatkeqësi këtë që po ndodhë me rrugën Prishtinë-Podujevë.

‘’Kjo është fatkeqësi’’ u shpreh ai

Ai thotë se qytetarët duhet të gjykojnë dhe vlerësojnë mbi veprat dhe punët e qeverive, duke thënë se duhet shikuar se kush ka kontribuar më shumë, duke e vlerësuar qeverisjen e PDK-së si të pa përsëritshme.

‘’Unë i bëjë thirrje qytetarëve që të i vlerësojnë veprat dhe punët, le ti gjykojnë ato se kush sa ka kontribu e po ashtu bindshëm e them se qeverisja e PDK-së në atë kohë është pa përsëritshme’’, u shpreh Grabovci për FrontOnline.

/FrontOnline/

Dokumentet
Fronti.org, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.