Krimet Ekonomike kanë zbarkuar në Ministrinë e Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga ministri në detyrë, Faton Peci.
Aksioni u zhvillua me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe kishte në shënjestër dyshimet për shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin e një fabrike për mbetjet shtazore.
Gjatë bastisjes, janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat pritet të analizohen për prova lidhur me procedurat e dyshuara të keqpërdorimit të fondeve publike.
Lidhur me këtë kanë folur edhe nga Prokuroria Speciale. Prokurori i rastit Admir Shala, ka treguar se përveç Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-it, janë kryer kontrolle edhe në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.
‘’Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu me autorizimin tonë, Policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i vetenerinarisë ë kompanisë përfituese”, tha prokurori i rastit Admir Shala.
Kurse nga policia kanë thënë se bastisjet janë kryer mbi dyshimet për keqpërodim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, thanë nga Policia e Kosovës.
Pas kësaj, nga Prokuroria Speciale është intervistuar edhe vetë ministri në detyrë i bujqësisë, Faton Peci.
Ndryshe, një ditë më parë anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli ka denoncuar siç tha një skandal milionësh të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili pa ankand publik ia ka dhënë pronën publike me qira, impiantin e mbetjeve shtazore, kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” për 20 vjet.
Shala pas bastisjeve: Po del se Qeveria “Kurti” është e korruptuar skajshmërisht
Pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në Ministrinë e Bujqësisë, që lidhet me hetimet mbi një fabrikë për mbetjet shtazore, për FrontOnline ka folur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.
Shala ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për përfshirje të thellë në afera korruptive, duke thënë se bastisjet e fundit vetëm sa konfirmojnë degradimin institucional dhe mungesën e kontrollit nga ekzekutivi.
“Kurti ka premtuar qeverisje të pastër, por po del se Qeveria është e korruptuar skajshmërisht dhe tashmë aferat korruptive të kësaj qeverie janë bërë problem sa as vetë Qeveria s’po arrin me i ndalë, apo me i mbulu, apo me i minimizu,” u shpreh Shala për FrontOnline.
Ai i bëri thirrje drejtësisë që të trajtojë me seriozitet çdo rast.
“Shpresojmë se drejtësia duhet parë gjitha këto. Punët e këqija janë të prekshme dhe nuk duhet të i frikësohet askush drejtësisë,” tha Shala.
Bajrami pas aksionit në Ministrinë e Bujqësisë: Asnjë befasi për ne, Qeveria “Kurti” është përfshirë në skandale që kapin shifra milionëshe
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, për FrontOnline ka folur pas aksionit të Policisë dhe Prokurorisë në Ministrinë e Bujqësisë, duke thënë se për LDK-në kjo nuk ishte aspak befasi.
Ajo akuzoi Qeverinë Kurti për dështime të njëpasnjëshme dhe skandale të shumta.
“Pas asaj që u shpërfaq rreth kontratave në Ministrinë e Bujqësisë, për ne nuk ishte absolut asnjë befasi. Për Qeverinë Kurti që ka premtuar qeveri me duar të pastra, kjo është demantuar për plot katër vitet e kaluara,” tha Bajrami.
Sipas saj, qeverisja aktuale është përfshirë në skandale të shumta financiare që kapin shifra marramendëse.
“Tashmë kemi skandale për mbi 250 milionë euro të tenderave njëburimor, e kemi skandalet e mëdha që mbulojnë secilën fushë, si në energjetikë. Nuk ka fushë që këta nuk e kanë keqpërdor, që nuk kanë keqqeverisur dhe gjithashtu kanë tejkaluar autorizimet që i kanë pasur,” deklaroi deputetja e LDK-së për FrontOnline.
Ajo shtoi se është e lumtur që institucionet e drejtësisë po veprojnë.
“Jam e lumtur që organet e rendit me këtë që po bëjnë…” – u shpreh Bajrami, duke nënkuptuar se këto veprime janë të nevojshme për të rikthyer besimin në institucione.
Ish-zëvendësministri Galushi pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë: Çdo dyshim duhet hetuar
Pas bastisjeve të zhvilluara sot në Ministrinë e Bujqësisë, të konfirmuara nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, për FrontOnline ka folur ish-zëvendësministri i kësaj ministrie, Erxhan Galushi.
Galushi theksoi rëndësinë e hetimeve të gjithanshme, kur ekzistojnë dyshime të bazuara, jo vetëm në Ministrinë e Bujqësisë, por në çdo institucion shtetëror.
“Secili hetim që bëhet dhe ekziston dyshimi i bazuar, jo vetëm në Ministrinë e Bujqësisë, por në secilën ministri duhet me u bërë hetime. Edhe këtu kanë dalur disa çështje që unë i kam parë përmes mediave. Në rast se janë ose nuk janë faktike, duhet me u hetu çdo sen. Është mirë me u hetuar çdo gjë, pse jo,” deklaroi Galushi për FrontOnline.
Aksioni hetimor lidhet me dyshimet për një fabrikë për përpunimin e mbetjeve shtazore.