Vitin e kaluar remitencat nga diaspora në Kosovë arritën vlerën e përgjithshme prej 1.35 miliardë euro, duke shënuar një rritje të ngadalësuar prej 1.4 për qind nga viti 2023. Ndërsa në vitin 2023 rritja e remitencave kishte qenë 9.2 për qind në raport me vitin 2022, bëhet e ditur në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2024, raporton FrontOnline.
Sipas BQK-së, ky ngadalësim mund të jetë pasojë e pasigurisë ekonomike dhe inflacionit ende të lartë në vendet ku jeton dhe punon diaspora kosovare, duke reduktuar mundësinë e tyre për të dërguar remitenca.
Gjermania dhe Zvicra vazhdojnë të jenë burimet kryesore të remitencave, të cilat përbëjnë 56.2 përqind të gjithsej remitencave, e ndjekur nga SHBA-të dhe vendet tjera të BE-së.
Remitencat përmes kanaleve formale, si bankat dhe agjencitë për transferim të parave, shënuan rritje vjetore prej 2.0 përqind, ndërsa remitencat përmes kanaleve joformale qëndruan në nivelin e njëjtë me vitin e kaluar.
Përndryshe, kryeministri Kurti dhe partia e tij viteve të fundit kanë qenë më të votuarit në diasporë. I njejti shpeshherë kishte deklaruar se me fitoren e partisë së tij dhe udhëheqjen e Qeverisë nga ai do të rriten investimet nga diaspora, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë qeverisjes 4-vjeçare te Albin Kurtit./FrontOnline/