Pushteti me numra të mjaftueshëm, i mban projektligjet jetike nëpër sirtare
Lajme / 17 Maj, 2023
admin

Shumë projektligje jetike të cilat presin për të marrë miratimin e legjislativit kanë mbetur në sirtarë, duke mos u proceduar për votim në Kuvend.

Projektligji për pagën minimale është vetëm një ndër më të rëndësishmit i cili ndikon në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve në kohë krize ekonomike.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje anipse ka shumicën e votave tash e sa kohë i ka bllokuar shumë projektligje.

Ngjashëm po veprohet edhe me kodin civil.

Nga opozita thonë se kjo po ndodhë për shkak që ka deputetë që janë brenda partisë në pushtet por që kanë qëndrim tjetër nga partia.

Kujtim Shala: Projektligjet s’po kalojnë, disa deputetë të pushtetit kanë qëndrim tjetër nga partia

Deputeti i LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, ka thënë për Front Online se projektligjet nuk po kalojnë për shkak që mazhoranca s’po i bind as deputetët e vet për të votuar.

“Mendoj që shumica nuk po arrin t’i bind deputetët e saj që të votojnë ligjet për të cilat po pyesni ju”, ka thënë Shala, për Front Online.

Sipas tij, duket që disa deputetë kanë qëndrim ndryshe nga partia, për disa projektligje.

“Duket që një pjesë e deputetëve të shumicës ka qëndrim tjetër lidhur me një numër ligjesh”, ka shtuar ai.

Ferat Shala: 90% të deputetëve që po mungojnë në seanca janë të mazhorancës

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka deklaruar se shumica e seancave po dështojnë për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndërsa, thotë se 90% të mungesave janë të deputetëve të mazhorancës.

“Është e vërtetë se numër i madh i seancave kanë dështuar në mungesë të kuorumit dhe një numër i madh i projektligjeve kanë mbetur pa u miratuar, po ashtu si rezultat i mazhorancës të cilët nuk kanë qenë të disiplinuar në seancat parlamentare për të cilat e kanë obligim. Pra, mungesat në raste 90% janë të deputetëve të mazhorancës të cilët nuk po gjejnë mundësi që të jenë të gjithë së bashku për të kaluar legjislacionin, gjegjësisht ligjet që janë në rend dite”, është shprehur Shala.

Ai, tregon edhe arsyen se përse pushteti pavarësisht që ka numrat e mjaftueshëm nuk po mund t’i kalojë projektligjet.

“Në rend të parë mungesa e përgjegjësisë, pastaj është çështja e problemeve dhe grupeve të interesit që po dominojnë tashmë brenda grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe papërgjegjësia individuale e deputetëve në raport më situatën për të cilën janë zgjedhur”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, kjo legjislaturë ka dështuar.

“Definitivisht legjislatura deri në këtë moment ka dështuar në të gjitha hapat e saj dhe mund të themi plotësisht që ka dështuar mazhoranca, ka dështuar Qeveria dhe parlament për përmbushjen e detyrave kushtetuese që i ka”, ka shtuar deputeti Shala.

Deputetja e AAK-së: Mosbindja e deputetëve të mazhorancës për të votuar projektligjet tregon se ka përçarje

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, mos votimin e projektligjeve po e sheh si problem brenda partiak tek mazhoranca.

Bytyqi, thotë për Front Online se tashmë rastet kur deputetët e mazhorancës i kanë dalë kundër partisë, janë të njohura.

“Mendoj që mazhoranca ka problem brendapartiak, d.m.th. po vërehet një përçarje brenda deputetëve të kësaj partie të cilët nuk janë në linjë mes veti për të votuar projektligje të caktuara. Tashmë i kemi të njohura rastet kur deputetë të mazhorancës kanë dalë kundër vetë partisë së tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Bytyqit, derisa partia nuk po i bind deputetët e saj për të marrë pjesë në votimin e projektligjeve, kjo tregon se ka përçarje brenda tyre.

“Pra mosvotimi i projektligjeve është diçka shqetësuese por ky është një sinjal që Qeveria duhet të bashkëpunojë me opozitën, ndërkaq sa i përket mosbindjes së deputetëve të tyre kjo tregon shumë për gjendjen e funksionimit të tyre e cila çdo ditë po përçahet”, është shprehur Bytyqi.

Seanca e fundit e Kuvendit është mbajtur më 4 maj.

Mungesa e kuorumit në vendimmarrje gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka bërë që shtyhen vazhdimisht seancat plenare dhe të grumbullohen pika të shumta të pa shqyrtuara./Front Online/

 

Shperndaje: