Raportet Kurti-Osmani/ Përçarje dhe mosbesim, pak mundësi për bashkëpunim
Lajme / 22 Maj, 2024
admin

Ishte viti 2019-të dhe kohë fushate zgjedhore kur Albin Kurti për Vjosa Osmanin ishte një ‘’Hugo Chavez’’, por raportet e tyre morën kahje tjetër pasi Vjosa Osmani njoftoi dorëheqjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe krijimin e partisë së saj ‘’GUXO’’, për të bërë më pas koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e vitit 2021 e që ia mundësoj më pas Osmanit të bëhet Presidente e Kosovës, në prill të po të njëjtit vit.

Por siç duket raportet e mira mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nuk vazhduan edhe shumë gjatë. Javë më parë filluan të shpërfaqen zëra për krisje të raporteve Osmani-Kurti, pasi ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kishte dërguar një letër në drejtim të Këshillit të Evropës e ku më pas kishte reagim nga Presidenca se një letër e tillë ishte dërguar pa miratimin e Presidencës.

Pas kësaj, filluan të qarkullojnë zëra dhe deklarata se mes Kurtit dhe Osmani nisi krisja e raporteve e që për shumë kë shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla u pa si një ‘’ndërhyrje’’ mes ‘’mishit’’ dhe thonit’’

Deputetja e VV-së: S’ka përçarje Osmani-Kurti, do të bëjmë sërish koalicion parazgjedhor me GUXO

 Deputetja e VV-së, Mirlinda Tishukaj, për FrontOnline ka deklaruar se nuk ka krisje apo përçarje të raporteve mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.

‘’Ne kemi kundërthënie brenda familjes, por jo nuk ka përçarje mes tyre’’, thotë deputetja e Tishkuaj.

Ajo deklaron se ka bashkëpunim të mirë mes VV-së, GUXO dhe Alternatives si pjesë e koalicionit, por që mund të kenë pikëpamje të ndryshme për çështje të ndryshme.

‘’Ne jemi këtu bashkë me GUXO dhe Alternativën dhe normal se për projektligje dhe të tjera mund të kemi pikëpamje të ndryshme, por jo përçarje. Analistët diçka duhet me diskutuar në studiuar për me nxjerrë diçka, por jo nuk ka përçarje’’ potencon ajo.

Deputetja Tishukaj, thotë për FrontOnline se do të vazhdoj përsëri bashkëpunimi mes VV-së dhe Listës Guxo edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, duke lënë të nënkuptohet se mund të ketë koalicion para-zgjedhor mes tyre.

‘’ Unë besoj dhe shpresojë se do të vazhdojmë bashkëpunimin me ta siç kemi fillu nga viti 2021, por besoj se do ta vazhdojmë bashkëpunimin, nuk përjashtohet mundësia që edhe në ta ardhmen të vazhdojmë bashkëpunimin’’ përfundon ajo për FrontOnline.

Xhavit Haliti: Kurti e Osmani nuk kanë raporte të rregullta, letra e Gërvallës skandaloze

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline ka deklaruar se sipas të dhënave që ai ka, kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, nuk kanë raporte të rregullta.

‘’Sipas të dhënave që qarkullojnë Kurti dhe Osmani nuk kanë raporteve të rregullta’’, thotë ai

Deputeti Haliti, thotë se nuk e di kush kë po e përdor, por se deklarata e Gërvallës përmes letrës së saj dërguar në KiE ka qenë skandaloze.

‘’Unë nuk e di kush kë po e përdor, por e di që deklarata e Gërvallës ka qenë skandaloze’’, deklaron ai për FrontOnline.

Hyseni i LDK-së: Raportet Kurti-Osmani janë më ndryshe, nuk e kemi në diskutim rikthimin e Osmanit në LDK pas përfundimit të mandatit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ekrem Hyseni për FrontOnline thotë se e sheh se ka raporte më ndryshe mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.

 ‘’Kemi raporte më ndryshe mes Kurtit dhe Osmanit, por nuk kam ndonjë informatë me të saktë’’ thotë ai.

Hyseni për FrontOnline thotë se është i mendimit se duhet të ketë raport dhe është domosdoshmëri funksionimi i raporteve Presidencë-Kryeministri dhe se duhet pasur përgjigje nga ata për krizat e jashtme dhe të brendshme.

 ‘Unë mendoj se duhet me qenë domosdoshmëri e madhe funksionimi i kryeministrisë dhe Presidentes, që të japin përgjigje krizave që kemi të bëjmë edhe me aleatët tanë, por edhe krizave të brendshme’’ thekson ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, thotë se aktualisht nuk është se kanë diskutuar rreth mundësisë së rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK, pasi kësaj të fundit të i mbaroj mandati si Presidente e Kosovës.

‘’Kjo temë nuk është diskutim, sot nuk kemi as qëndrim e as mendim për këtë pjesë’’, potencon ai.

Analisti Raci: Nuk ka prishje të raporteve Kurti-Osmani

 Analisit politik Gazmir Raci, për FrontOnline konsideron se nuk ka prishje të raporteve mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.

’Jooo more çfarë prishje të raporteve Kurti-Osmani’’ shprehet ai.

Ai thotë se është mire kur ka diskutim për tema të mëdha dhe kishte me qenë i shqetësuar sikur mos të kishte diskutim mes Osmanit e Kurtit.

‘’Është mirë që ka diskutim, unë kisha qenë më i shqetësuar sikur të mos kishte diskutime rreth AKS-së, por kjo e ndihmon demokracinë dhe e forcon Kosovën për dialog’’ shton ai.

Analisti Raci shprehet i bindur se nuk ka përçarje mes Kurtit e Osmanit.

 ‘’Unë nuk di se ka prishje të raporteve Kurti-Osmani’’, përfundon ai për FrontOnline.

 

Shperndaje: