Shpend Ahmeti
Ish-kryetar i Prishtinës
Ditëlindja: 18 Prill 1978
Vendlindja: Prishtinë

Shpend Ahmeti në moshën 35-vjeçare për herë të parë arriti të zgjidhet kryetar i Komunës së Prishtinës, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, duke i dhënë fund qeverisjes rreth 15-vjeçare të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me kryeqytetin e Kosovës.

Në krye të Prishtinës Ahmeti u zgjodh me votat e Lëvizjes Vetëvendosje!, duke qenë nënkryetar i kësaj partie. Më herët, Ahmeti ishte kryetar i Partisë Fryma e Re (FER), por për shkak të rezultatit të dobtë zgjedhor në vitin 2011, ky subjekt politik u shkri në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Ahmeti, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, fitoi mandatin e dytë në krye të Prishtinës, përderisa vetëm pak muaj pas fitores në këto zgjedhje, përkatësisht më 7 mars 2018 u tërhoq nga Lëvizja Vetëvendosje me shumë deputetë dhe aktivistë të kësaj të fundit për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme partiake, me ç’rast  u zgjodh kryetar i Partisë Social Demokrate (PSD).

Me këtë parti garuan në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, por nuk arritën të futen në Kuvendin e Kosovës. Për këtë shkak, Ahmeti dha dorëheqje edhe nga drejtimi i PSD-së.

Ai vazhdoi mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës deri në fund të vitit 2021, duke ia lënë “timonin” e kryeqytetit Përparim Ramës së LDK-së.

Për tetë vjet në krye të Prishtinës, ai është kritikuar nga kundërshtarët e tij politik për mospunë në drejtimin e Komunës më të madhe në Kosovë, si dhe për dhënien e shumë lejeve ndërtimore, duke e shkatërruar hapësirën e gjelbër.

Shpend Ahmeti ka përfunduar studimet master në politika publike në vitin 2004 në Universitetin Prestigjioz të Harvardit, ku është specializuar në zhvillimin politik dhe ekonomik.

Patundshmëritë

Shpend Ahmeti ka qenë ndër politikanët e pakët që ka deklaruar se nuk posedon pasuri të patundshme. Ai ka pohuar se me familje jeton në shtëpinë e vëllaut të tij në Prishtinë.

 Instituti për Hulumtime “Front” nuk arritur të zbulojë ndonjë patundshmëri që figuron në emër të Ahmetit.

Të hyrat:

17 510 euro ka deklaruar të hyra vjetore Shpend Ahmeti në vitin 2021, të cilat të hyra i ka siguruar nga paga si kryetar i Prishtinës. Më së shumti të hyra familjare, ai i ka deklaruar në vitin 2017, kur është zgjedhur për herë të dytë kryetar komune, përkatësisht mbi 25 mijë euro në vit, përfshirë këtu edhe pagën e bashkëshortes së tij prej 8400 euro në vit nga Instituti “Gap”, të cilin Institut e kishte udhëhequr vet Ahmeti më herët.

Paratë Cash:

8 550 € para në banka Ahmeti ka deklaruar në vitin 2021, derisa më së shumti para CASH kishte deklaruar në vitin 2014, përkatësisht 34 700 €.

Kreditë

Ahmeti në vitin 2021 ka deklaruar se është në kredi 23 765 €.  Këtë kredi ka thënë se e ka marr për blerjen e një veture.

Vetura

Shpend Ahmeti ka deklaruar se ka blerë një veturë të markës “Nissan” në vlerë prej mbi 23 mijë euro.

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.