Vendet e rajonit, kryesisht Shqipëria, janë shndërruar si destinacione atraktive për investitorët kosovarë.
Vitin e kaluar, bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), investimet direkte të rezidentëve nga Kosova jashtë vendit shënuan rritje të dukshme vjetore prej 18.1%, duke e arritur shumën e përgjithshme prej rreth 225 milionë euro, raporton portali FrontOnline.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, ky është një trend në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, që tregon zhvendosjen e një pjese të konsiderueshme të kapitalit privat kosovar jashtë vendit.
Kjo rritje e investimeve në tregjet rajonale të patundshmërisë, veçanërisht në bregdetin shqiptar reflekton një ndryshim të dukshëm në sjelljen investuese të qytetarëve të Kosovës dhe në tkurrjen e ekonomisë, vlerësojnë njohësit e ekonomisë.
Kreu i Odës amerikane: Pa reforma, Kosova s’mund të jetë atraktive për investitorët
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për “Front Online”, ka deklaruar se për të nxitur rritjen e investimeve të huaja dhe vendore, Kosova ka nevojë urgjente për një reformë të re fiskale.
Sipas tij, asnjë Qeveri nuk ka pasur guximin t’i zbatojë në dy dekadat e fundit.
“Sa i përket rritjes së investimeve të brendshme dhe të jashtme në Kosovë, ajo që duhet të shohim është një reformë e re fiskale në vend, e cila prezanton për herë të parë stimuj fiskalë të natyrës së pushimeve tatimore, për të cilat qeveri të ndryshme në gati dy dekada nuk kanë pasur vizionin dhe guximin që t’i aplikojnë”, u shpreh Zeka.
Ai tha se një sërë veprimesh institucionale gjatë viteve të fundit e kanë dëmtuar këtë aspekt kritik të ambientit të të bërit biznes.
“Një sërë veprimesh institucionale të viteve të fundit kanë bërë që ky faktor i rëndësishëm në të bërit biznes të shënojë përkeqësim. Prandaj, kërkohet respektim më i madh i kornizës ligjore, si dhe demonstrim në praktikë i vullnetit për tërheqje e përkrahje të investimeve të jashtme, por edhe të vlerësimit të investitorëve vendase”, përfundoi Zeka.
Njohësi i ekonomisë: Kapitali po ikën, qytetarët s’kanë besim të investojnë në Kosovë
Njohësi i ekonomisë, Artan Muhaxheri, ka folur për “Front Online” lidhur me trendin në rritje të qytetarëve të Kosovës që po investojnë në patundshmëri në Shqipëri dhe Mal të Zi, duke e quajtur këtë si pasqyrim të mungesës së besimit për të investuar brenda vendit.
“Blerja e patundshmërive nga qytetarët e Kosovës në Shqipëri dhe Mal të Zi nuk është vetëm tregues i një rritjeje të standardit të jetesës apo i dëshirës për pushime në bregdet. Ky trend pasqyron një mungesë besimi të mjaftueshëm për të investuar kapitalin e tyre në patundshmëri brenda vetë Kosovës”, deklaroi Muhaxheri.
Sipas tij, ky fenomen lidhet me perceptimin për pasiguri juridike dhe projekte të paqëndrueshme në tregun e brendshëm të patundshmërive.
“Kur qytetarët zgjedhin ta nxjerrin kapitalin jashtë vendit, kjo shpesh lidhet me perceptimin për pasiguri juridike, mungesë transparence dhe një mjedis të tregut të patundshmërisë që ende nuk ofron projekte të qëndrueshme dhe atraktive për investim afatgjatë”, vlerësoi ai.
Dreshaj: Mungesa e reformave po largon kapitalin nga Kosova
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka ngritur shqetësimin për ikjen e kapitalit vendor dhe uljen e investimeve të huaja, si pasojë e një klime jo të favorshme për biznes dhe mungesës.
Sipas tij, sulmet publike ndaj bizneseve të mëdha, po krijojnë një klimë pasigurie.
“Mungesa e reformave fiskale, mungesa e legjislacionit adekuat dhe klima jo e favorshme për të bërit biznes vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë që po ndikojnë në uljen e investimeve të huaja dhe në largimin e kapitalit të brendshëm jashtë vendit. Mungon një vullnet i qartë politik nga ana e Qeverisë për të bashkëpunuar me sektorin privat”, është shprehur Dreshaj.
Ai thotë se Kosova po humb investime dhe potencial ekonomik, ndërsa qytetarët dhe bizneset po orientohen drejt Shqipërisë, ku ofrohen projekte të gatshme.
“Shqipëria po ofron më shumë projekte të gatshme, me infrastrukturë moderne dhe procedura më efikase për investim. Kosova ka potencial të madh, por ai nuk mund të realizohet pa një orientim të qartë ekonomik nga qeveria, bashkëpunim të sinqertë me bizneset dhe krijim të një ambienti ku investimi vlerësohet, jo ndëshkohet”, thotë Dreshaj.