Nesër pritet të bëhet betimi i kryetarit të Komunës së veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.
Por jo edhe i të tjerëve.
E për ata, pritet të caktohet dita, ministri Elbert Krasniqi i cili pritet t’i njoftoj kryetarët e zgjedhur sot në orën 15:00.
Kështu ka thënë për Front Online, kryetari i zgjedhur i Zveçanit, ilir Peci.
“Jo, sot kemi pasë në 8:30 në mëngjes një takim me ministrin Krasniqi, dhe përfundimisht ka mbetë ministri me na njoftu sot në ora 15:00 vendin dhe ditën kur me u betu. Deri në ora 15:00 jemi mbetë me na tregu vendin, objektin dhe ditën”, tha ai për Front Online.
Peci thotë se situata në veri nuk është e mirë.
Megjithatë, ai tha se për këtë edhe po koordinohen me Qeverinë, që betimi të bëhet në mënyrë të sigurt.
“Një situatë jo e mirë ka qenë kohëve të fundit, mirëpo për atë edhe po dëshirojnë me shku në mënyrë të koordinuar me Qeverinë. Edhe me siguru, me polici me të gjitha, për atë jemi duke e prit, normal koha jonë për 15 ditë ka kaluar që kryetarët me i thirr asambletë”, deklaroi ai për Front Online.
Në pritje të betimit është edhe kryetari tjetër i zgjedhur i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga radhët e PDK-së.
Ai pa dhënë shumë detaje, thotë se shumë shpejt do të merret vendimi për betimin e tyre.
“Jemi në përgatitje të dokumentacioneve. Nesër ose pasnesër pritet të caktohet data, por do të ju japim informacione”, tha ai për Front Online.
Seanca solemne e betimit të kryetarit të ri në Mitrovicë të veriut, Erden Atiq do të mbahet në orën 11:00.
Lidhur me kryetarët e zgjedhur në katër komunave veriore të vendit, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se do të organizohet ceremoni betimi në secilën komunë.
“Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave, janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi fillon rrjedha e afatit prej 30 ditësh, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Me ta jemi dakorduar individualisht që me secilën komunë do ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit”, tha ai.
Për këtë, në një intervistë në një media ka folur edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier duke dërguar një mesazh të qartë.
Ai tha se çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët.
“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Hovenier.