Muajt e fundit, Kosova po përballet me një krizë institucionale pas zgjedhjeve parlamentare të 9 Shkurtit 2025, ku asnjë parti nuk arriti shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri funksionale.
Partia Vetëvendosje, nën udhëheqjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvend, por përpjekjet për të krijuar koalicion me partitë opozitare janë bllokuar për shkak të mospajtimeve politike. Kjo ka çuar në një bllokadë politike që po zgjat qe sa muaj, gjë që ka tërhequr vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Që nga muajt e kaluar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për krijimin e një qeverie funksionale.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë deklaruar se bllokada po pengon përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Në takimet e ndryshme dhe në mesazhet publike, ata kanë paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të çojnë në pezullimin e fondeve zhvillimore.
Në këtë kontekst, Samiti Rajonal i Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 1 korrik 2025 në Tiranë, i riktheu sërish në qendër të vëmendjes këto thirrje për formim të qeverisë.
Në atë samit, komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Evropian pret që Kosova të formojë sa më parë qeverinë e re, në mënyrë që të përqendrohet në procesin e anëtarësimit në BE.
Dedaj: Bllokada e Kurtit po dëmton Kosovën, ndërkombëtarët kërkojnë institucione funksionale
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, në një prononcim për Front Online deklaroi se bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, e shkaktuar nga Albin Kurti dhe LVV, është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme për Republikën e Kosovës në të gjitha aspektet.
Ai e quan Kurtin “populist’’, rrënues i shtetit, uzurpator dhe keqpërdorues të detyrave shtetërore”, i cili vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit dhe deputetit kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
‘’ Bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe e Qeverisë së Kosovës, e shkaktuar nga deputeti ekstremist Albin Kurti dhe LVV, padyshim se është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme për Republikën e Kosovës, në të gjitha aspektet. Populisti Albin Kurti, i njohur tashmë si rrënues i shtetit, uzurpator dhe keqpërdorues i aseteve shtetërore dhe qeveritare, vazhdon kundërligjshëm dhe madje kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të ushtroj funksionin e kryeministrit dhe atë të deputetit’’, tha Dedaj.
Sipas Dedajt, LVV-ja nuk ka numrat e mjaftueshëm për të formuar institucione dhe po e mban Kosovën në bllokadë për të kënaqur “egon e sëmurë për pushtet” të Kurtit, i cili sipas tij e ka dëmtuar rëndë Republikën e Kosovës, veçanërisht në raportet me partnerët Euro-Atlantikë.
‘’ Siç po shihet LVV nuk i ka numrat e mjaftuar dhe e mbanë Kosovën në bllokadë duke i shkaktuar dëme të pariparueshme, për të ia plotësuar egon e sëmurë për pushtet Albin Kurtit, i cili edhe ashtu gjatë mandatit qeverisës e ka dëmtuar, denigruar dhe shkatërruar Republikën e Kosovës’’, deklaroi Dedaj për Front Online.
Ai thotë se partnerët dhe miqtë e Kosovës, SHBA dhe Bashkimi Evropian, janë të shqetësuar dhe kanë apeluar për konstituimin të institucioneve të Kosovës.
‘’Prandaj, partnerët dhe miqtë e Kosovës, SHBA dhe Bashkimi Evropian duken seriozisht të irrituar dhe të shqetësuar me politikat neokomuniste të Albin Kurtit dhe me të drejtë kanë apeluar për konstituimin sa më parë të institucioneve të Republikës së Kosovës’’, thotë ai.
Dedaj përfundon se largimi i Kurtit nga pushteti do të ishte një fitore historike për Kosovën dhe për riparimin e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO-n.
‘’ Largimi i Kurtit nga pushteti do jetë një fitore historike për Kosovën, për riparimin e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO-n, si dhe do krijohet një klime tjetër bashkëpunimi me vendet fqinje, rajonin dhe boten demokratike’’, përfundoi ai.
Avni Arifi: Aleatët e Kosovës të zhgënjyer nga bllokada politike
Ish-diplomati Avni Arifi vlerëson se vendet aleate janë të befasuara por edhe të zhgënjyera me mungesën e ndjenjës shtetformuese që është shfaqur këto 5 muaj. Ai thotë se thirrjet ndërkombëtare për krijim të institucioneve janë të pritshme.
‘’Vendet Aleate janë të befasuara por edhe të zhgënjyera me mungesën e ndjenjës shtet formuese që është shfaqur këta 5 muaj dhe thirrjet e tyre për krijim te institucioneve janë krejtësisht te pritshme’’, tha ish diplomati Arifi.
Arifi thotë se injorimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga partia që ka fituar zgjedhjet dhe deputeti Kurti, është rast i rrallë.
‘’Të injorohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga partia qe ka fituar zgjedhjet dhe deputeti Kurti i cili qe 5 vite ishte Kryeministër është një rast i rralle’’, deklaroi Arifi për Front Online.
Arifi: Pa Parlament, Kosova është shtet jo funksional, thirrjet e ndërkombëtarëve janë të qëlluara
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, vlerëson se thirrjet e ndërkombëtarëve janë pozitive dhe thekson rëndësinë e orientimit drejt formimit të institucioneve.
“Thirrjet e ndërkombëtarëve janë pozitive që të bëhet orientimi dhe fokusimi në një qëllim shumë të rëndësishëm si është ndërtimi i institucioneve, sepse Kosova është pa parlament dhe në këtë sens, nëse nuk ndodh diçka shumë shpejt sot apo nesër, sepse çdo ditë që e humbim ne jemi shtet jo funksional pa Kuvend. Kështu që thirrjet janë të qëlluara”, tha Arifi për Front Online.