Vjosa Osmani-Sadriu
Presidente
Ditëlindja: 17 Maj 1982
Vendlindja: Mitrovicë

Vjosa Osmani-Sadriu ka marrë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës më 4 prill 2021. Ajo ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së në pesë mandate, përderisa më 3 shkurt 2020, është zgjedhur kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me 5 nëntor 2020, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit, shkaku i aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë, Osmani, konform Kushtetutës u bë Ushtruese e Detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, funksion të cilin e ushtroi deri me 22 mars 2021.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare e ish-presidentit, Fatmir Sejdiu. Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Vjosa Osmani shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Mitrovicë, Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka mbaruar në Universitetin e Pittsburgh-ut në Pensilvani, ShBA.

Është e martuar me Prindon Sadriun me të cilin kanë dy vajza binjake, Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Jeton në Prishtinë.

 

Patundshmëritë

Shtëpi

2 shtëpi (të bashkëshortit) në vlerë 300,000 €

Banesë

2 banesa (personale+ bashkëshortit)  në vlerë prej 112.500 euro

Parcela toke

1 parcelë toke në vlerë prej 35 mijë euro

447,500 € është vlera e patundshmërive të familjes së presidentes Vjosa Osmani-Sadriu.

Në formualarin e deklarimit të pasurisë pasurisë për vitin 2022, presidentja Osmani nuk e ka deklaruar vlerën e shtëpisë së blerë në lagjen më ekskluzive të Prishtinës “Marigona Hill”, ku në bazë të konsultimeve me disa blerës në atë lagje periferike çmimi minimal i një shtëpie kalon vlerën prej 300 mijë euro. Blerjen e kësaj shtëpie, presidentja Osmani e ka përshkruar në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2022, si: “banim në varg- e kontraktuar por nuk është ende në pronësi të deklaruesit- Nuk ka vlerë reale-në ndërtim të vrazhdë”.

Në anën tjetër në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2020, Osmani kishte bërë të ditur se kishte marrë mbi 115 mijë euro kredi për blerjen e kësaj shtëpie me 4 ari tokë në lagjen “Marigona Hill”, ndonëse nuk e kishte precizuar vlerën e shtëpisë.

Është interesant fakti se presidentja Osmani në vitin 2012 kishte deklaruar pasuri të patundshme në vlerë prej rreth 990 mijë euro, apo më shumë se dyfishin e vlerës së pasurisë së patundshme të deklaruar në vitin 2022. Asokohe, Osmani i kishte deklaruar 3 shtëpi të bashkëshortit në vlerë prej 775 mijë euro, 4 banesa (personale, prindit dhe bashkëshortit) në vlerë prej 214 mijë euro, 1 parcelë toke e prindit në vlerë prej 8 mijë euro dhe dy garazha të bashkëshortit në vlerë prej 12 mijë euro.

Të hyrat

85.540 € janë të hyrat vjetore familjare të Vjosa Osmani-Sadriut, ku përfshihet paga e saj dhe mëditjet si presidente, paga e bashkëshortit si diplomat i Kosovës, si dhe të hyrat nga qiraja e objekteve në Australi.

Në vitin 2015, para se të merrte funksion të lartë shtetëror, Osmani kishte deklaruar rreth 37 mijë euro të hyra vjetore, të cilat i siguronte nga puna e saj dhe e bashkëshortit.

Bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu, i cili aktualisht është diplomat i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, 5 vjet më parë kishte deklaruar pagë vjetore prej 11,260 €, apo rreth 940 € në muaj, si punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Paratë e gatshme

Mbi 73 mijë euro të mbajtura në bankat komerciale i ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani në vitin 2022. Maksimumin e parave CASH në sektorin bankar të vendit presidentja Osmani e ka deklaruar në vitin 2019, përkatësisht mbi 120 mijë euro. Ndërsa në vitin 2010, kur ishte këshilltare e ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani kishte deklaruar vetëm 1000 euro në bankë.

Kreditë

88.900 € është vlera e përgjithshme e kredive të deklaruara nga presidentja Osmani në vitin 2022, të cilat ka thënë t’i ketë marrë për blerjen  e shtëpisë në “Marigona Hill” dhe një parcele toke në një lagje tjetër ekskluzive në Prishtinë “Lagja e Gjelbër”.

 

Vetura

Nuk ka veturë personale.

 

Bizneset

 Nga viti 2010 deri në vitin 2019, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se i ka 20% të aksioneve në biznesin “First Legal Solutions” SH.PK. Sipas deklarimeve të saj, këto aksione që vlerë prej 200 eurosh, nuk janë në pronësinë e deklaruesit që nga 29 korriku 2019.

Instituti për Hulumtime “Front” ka arritur të sigurojë dëshmi se biznesi “First Legal Solutions” SH.PK, të cilin gjatë periudhës 2010-2019 e ka udhëhequr Vjosa Osmani, tash është në pronësi të plotë të motrës së saj, Blinera Osmani-Bislimi.

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.