Avdullah Hoti
Ish-kryeministër i Republikës së Kosovës
Ditëlindja: 4 shkurt 1976
Vendlindja: Rahovec
Përkatësia: Lidhja Demokratike e Kosovës

Avdullah Hoti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 3 qershor 2020. Ardhjes së tij në këtë pozitë i parapriu rrëzimi i shpejtë (pas vetëm 50 ditësh) i Qeverisë së drejtuar për herë të parë nga Albin Kurti.

Pozitën e të parit të ekzekutivit, ai e mori si rezultat i koalicionit që LDK-ja bëri me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partitë nga radhët e komuniteteve pakicë. Këtij procesi i hapi rrugë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet të cilit u mundësua që një shumicë e re parlamentare, pa partinë e parë, mund ta formonte qeverinë.

Mandatin e kryeministrit, Hoti e mbajti vetëm deri në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, meqë në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje fitoj besimin e mbi 50 % të qytetarëve që morën pjesë në votime dhe u rikthye në pushtet.

Tre muaj pas marrjes së mandatit, më 4 shtator 2020, Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Washington, një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës.

Kjo marrëveshje, e cila ndër tjera përfshinte njohjen reciproke midis Izraelit dhe Kosovës, si dhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga ana e Serbisë dhe përpjekjeve të Kosovës për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare, u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Përpos në nivelin qendror, Hoti ka pasur funksione edhe në nivelin lokal.

Gjatë periudhës 2010-2013 ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Hoti ka doktoruar në fushën e ekonomisë dhe është profesor universitar.

Për një kohë ka qenë shef i Grupit parlamentar të LDK-së, ndërsa aktualisht është anëtar i Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës.

 

Banesë

1 banesë në vlerë prej 165 mijë euro

Parcela toke:

1 parcelë në vlerë prej 68 mijë euro

Vetura:

3 vetura në vlerë prej 29 mijë euro

Të hyrat

Rreth 33 mijë euro janë të hyrat që ish- kryeministri, njëherësh deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës i ka deklaruar në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Në këtë shumë hynë: paga e tij si kryeministër, angazhimi në Universitetin Publik si profesor, angazhimi në një kolegj privat, si dhe paga e bashkëshortes së tij. Në deklarimin e pasurisë më vitin 2022, Hoti ka deklaruar se i ka rreth 44 mijë euro para të gatshme, nga 26 mijë euro sa i kishte një vit më parë

Kreditë:

5000 euro është shuma e mjeteve që Hoti ka deklaruar t’ia ketë një personi fizik, ndonëse nuk e ka precizuar se për kë bëhet fjalë.

Kompanitë:

Në bazë të një hulumtimi, Instituti për Hulumtime “Front” ka gjetur se ish kryeministri Hoti nga viti 2001 deri në vitin 2010 ka qenë në mesin e katër aksionarëve të kompanisë “Intergra Consulting”. Ky biznes në bazë të dhënave të siguruara figuron të ketë operuar me dy njësi: njëra në Gjakovë dhe tjetra në Prizren. Si aktivitet primar i biznesit ka qenë hulumtimi i tregut dhe matja e opinionit publik, ndërsa si aktivitete sekondare janë shënuar: aktivitetet e kontabilitetit, libër mbajtjes dhe auditimit; këshillime tatimore. Biznesi në fjalë është shuar më 10 dhjetor 2010. Ky biznes nuk figuron në deklarimin e pasurisë së Avdullah Hotit në vitin 2010, atëherë kur ishte nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

I kontaktuar nga Instituti “Front”. Avdullah Hoti ka shpjeguar se biznesi në fjalë është shuar në vitin 2008.

“Biznesi “Integra Consulting” e ka pushuar aktivitetin në vitin 2008. Pas kësaj është bërë kërkesa për çregjistrim/mbyllje të biznesit në ATK, por procesi administrativ i çregjistrimit/mbylljes së biznesit ka zgjatur deri në vitin 2010 për shkak të procedurave të kontrollit që i ka ATK”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se çështja në fjalë është ngritur edhe nga vet Agjencia Antikorrupsion në vitin 2010, por më vonë rasti është mbyllur.

“Kjo çështje është ngritur edhe nga Agjencia Antikorrupcion në vitin 2010 me rastin e deklarimit të pasurisë nga ana ime si nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Pas disa komunikimeve që kam pasur me Agjencinë Antikorrupsion dhe sqarimeve që kam ofruar, Agjencia Antikorrupsion, më datë 27.01.2011, ka marrë vendimin me numër protokolli 01-206/2011, si në vijim: “VENDIM – mbyllet rasti me nr. protokolli AKK – 03 – 3891-10, i trajtuar për konflikt interesi për zyrtarin Z. Avdullah Hoti – Nënkryetar i Komunës së Prishtinës”.

 

 

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.