Avni Kastrati
Ish-kryetar i Mitrovicës
Ditëlindja: 03.10.1948
Vendlindja: Mitrovicë
Përkatësia: Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Kryetar i Mitrovicës së Jugut, zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe ambasador i Kosovës në Slloveni. Këto janë tri pozitat e larta shtetërore që i ka mbajtur Avni Kastrati në dekadën e fundit, derisa vitin e kaluar është shkarkuar nga pozita e ambasadorit me vendim të ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz.

Para se të zgjidhej kryetar i Mitrovicës, Kastrati më tepër njihej si biznesmen. Ai zotëronte dy kompani: Eko-Kosova për prodhimin e konstruksioneve metalike dhe Oil Trade për tregti me karburante dhe lëndë djegëse të gazta e të lëngëta, pronësinë ndaj të cilave nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, me pretekstin se ka shuar aktivitetin afarist, megjithëse kompanitë figuronin me emrin e tij në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Në maj të vitit 2012, Kastrati i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se bizneset në emër të tij nuk ishin çregjistruar për shkak të neglizhencës së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Pas përfundimit të mandatit si kryetar i Mitrovicës së Jugut, ai u emërua zv/ministër i Tregtisë dhe Industrisë, derisa në fund ka shërbyer si diplomat.

Patundshmëritë

350.000 € është vlera e patundshmërive të deklaruara nga Kastrati në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, përfshirë këtu një shtëpi.

Gjatë një hulumtimi disa mujor Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut. Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive, Kastrati ka në emër të tij një shtëpi në vendlindjen e tij me sipërfaqe prej 526 metrash katror, e cila nga institucionet shtetërore i është vlerësuar mbi 200 mijë €, më pak se vlera të cilën e ka deklaruar Kastrati.

 Veturat

Kastrati e ka deklaruar dy vetura në vlerë prej 12000 €.

Të hyrat

88.000 €  janë të hyrat vjetore familjare të deklaruara nga Kastrati në vitin 2021  Këto të hyra ai i ka pasur vazhdimisht gjatë periudhës 2018-2021 sa ka qenë ambasador në Slloveni, përfshirë këtu pagën e ambasadorit dhe pensionin e moshës, pensionin e bashkëshortes dhe pagat e fëmijëve.

 

Paratë Cash

Kastrati i ka deklaruar 12665 € para të gatshme në sistemin bankar të Kosovës.

 

Kreditë

Në vitin 2021, Kastrati nuk ka deklaruar kredi, përderisa gjatë viteve 2018-2019 shuma e përgjithshme e kredive të deklaruara ka qenë 96000 €.

 

 

 

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.