Bankat në Kosovë vjet fituan rreth 120 milionë €
Ekonomi / 15 Shkurt, 2022
Lavdim Hamidi

Bankat komerciale në Kosovë kanë përmbyllur vitin 2021 me fitim rekord.

Si asnjëherë më parë, shtatë bankat kryesore komerciale në vend gjatë vitit të kaluar kanë fituar hiç më pak se 118.4 milionë euro, apo 36 milionë euro, përkatësisht 53%, më shumë se gjatë vitit 2020.

 

Këto fitime marramendëse bankat i kanë shënuar gjatë vitit 2021, madje fitime shumë më të larta se që kanë shënuar gjatë dy dekadave të fundit , përderisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë ka marrë vendim që bizneseve mos t’u shtrenjtohet rryma, përfshirë këtu edhe bankat.
Në anën tjetër, ekonomive familjare, të cilat shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike në muaj rryma do t’i shtrenjtohet rreth 100%.

Front Online ka hulumtuar raportet financiare të gjitha bankave komerciale dhe fitimet e tyre neto për vitin 2021 janë si në vijim:

“Raiffeisen Bank” mbi 26.3 milionë euro fitim neto vitin e kaluar

Banka austriake “Raiffeisen Bank” është banka që ka fituar më së shumti gjatë vitit 2021. Sipas pasqyrave financiare të këtij institucioni, kjo bankë gjatë vitit të kaluar ka fituar mbi 26.3 milionë euro. Këto fitime janë realizuar falë normave të larta të interesit në kredi, por edhe për shkak të shtrenjtimit të shërbimeve bankare, raporton Front Online.

Krahasuar me vitin 2020, gjatë vitit 2021 “Raiffeisen Bank” ka rritur fitimet e pastra për rreth 10 milionë euro.

 

“NLB Prishtina”, banka e dytë në Kosovë me më së shumti fitim

 Banka sllovene në Kosovë “NLB Bank” është banka e dytë me më së shumti fitime të realizuara gjatë vitit 2021 në Kosovë. Bazuar në pasqyrat financiare të kësaj banke, fitimet e pastra të saj gjatë vitit 2021 kanë arritur në mbi 24.4 milionë euro. Edhe “NLB Banka” vitin 2021 ka fituar mbi 11 milionë euro më shumë se gjatë vitit 2020.
Kjo bankë që udhëhiqet nga Albert Lumezi, vëllau i kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, gjatë viteve të fundit ka rritur ndjeshëm fitimet, si pasojë e rritjes së kreditimit, por edhe shërbimeve bankare, raporton Front Online.

Banka “TEB” rreth 18 milionë € fitim neto vitin e kaluar

Banka turke “TEB” ka zënë pozitën e tretë si institucioni financiar me më së shumti fitime të realizuara gjatë vitit 2021. Bazuar në raportet financiare, kjo bankë vitin që lamë pas e ka përmbyllur me rreth 17.9 milionë euro fitime të pastra, raporton portali Front Online.
Fitimet neto të “Teb Bank” gjatë vitit 2020 kanë qenë mbi 13.5 milionë euro, apo mbi 4.3 milionë euro më pak se gjatë vitit 2021.

 

“ProCredit Bank”, shkëlqimi dhe rënia e bankës së parë në Kosovë

Banka gjermane “ProCredit Bank”, banka e parë në Kosovë ka disa vite që nuk është edhe banka më e madhe në vend, të cilën pozitë e kishte mbajtur gjatë në tregun bankar të Kosovës.
Bazuar në pasqyrat financiare për vitin 2021, vitin e kaluar kjo bankë e ka përmbyllur me 17.5 milionë euro fitime neto, duke u renditur si banka e katërt me fitimet më të larta, raporton Front Online. Gjatë vitit 2020 kjo bankë kishte arritur 13.6 milionë euro fitime neto, apo rreth 3.9 milionë euro më pak se gjatë vitit të kaluar.

Banka Kombëtare Tregtare mbi 17 milionë euro fitim neto

Banka tjetër turke (Banka Kombëtare Tregtare- BKT) vitin 2021 e ka përmbyllur me rreth 17.2 milionë euro fitime neto. Kjo bankë deri vonë ka funksionuar si degë e BKT-së në Shqipëri, raporton Front Online. Fitimet e kësaj banke janë rritur dukshëm gjatë vitit të kaluar, kryesisht nga rritja e kreditimit për bizneset dhe ekonomitë familjare, por edhe nga shtrenjtimi i shërbimeve bankare. Rreth 6.2 milionë euro më shumë fime të pastra ka arritur BKT gjatë vitit 2021, krahasuar me një vit më parë (2020).

BpB-ja mbi 7.7 milionë euro fitim të pastër vitin e kaluar

Banka vendore- Banka për Biznes- (BpB) vitin 2021 e ka përmbyllur me mbi 7.7 milionë euro fitime të pastra. Shumica e aksionarëve në këtë bankë janë vendor, raporton Front Online.
Fitimet neto të BPB-së gjatë vitit 2020 ishin mbi 5 milionë euro, apo rreth 2.7 milionë euro më pak se vitin e kaluar.

Banka e Behgjet Pacollit mbi 7.2 milionë euro fitim të pastër

Banka Ekonomike, ku shumicën e aksioneve e ka ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe familjarët e tij, e ka përmbyllur vitin 2021 me mbi 7.2 milionë euro fitime të pastra, raporton Front Online.  Bazuar në raportet financiare, Banka Ekonomike është banka e shtatë me fitime milionëshe të realizuara gjatë vitit të kaluar në Kosovë. Gjatë vitit 2020 fitimet e pastra të Bankës Ekonomike ishin mbi 4 milionë euro, apo rreth 3.2 milionë euro më pak se vitin e kaluar (2021).

Banka “Credins” rreth 1.2 milionë euro humbje në vit

Banka “Credins”, e cila së fundi ka filluar aktivitetin e saj në tregun bankar të Kosovës, e ka përmbyllur vitin 2021 me rreth 1.2 milionë euro humbje, raporton portali Front Online. Kjo njëherit është banka e vetme nga Shqipëria që vepron në Kosovë.

/Front Online/

Shperndaje: