Edita Tahiri
Ish-zëvendëskryeministre e Kosovës
Ditëlindja: 29 korrik 1956
Vendlindja: Prizren
Përkatësia: Alternativa Demokratike e Kosovës

Edita Tahiri është politikane, diplomate dhe negociatore e njohur nga Kosova. Para luftës dhe disa vjet edhe pas luftës ka qenë veprimtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është njohur si bashkëpunëtore e afërt e ish-presidentit tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Ajo ka qenë anëtare e delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe në zgjedhjet e para është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës.

Më vonë, për disa vjet me radhë ka mbajtur pozita të larta në Qeverinë e Kosovës.

Tahiri ka qenë zëvendëskryeministre për politikën e jashtme dhe sigurinë nacionale, ministre për Dialog dhe ministre e Administratës Publike.

Përgjatë periudhës 2011-2017 ka qenë shefe e palës kosovare për negociata me Serbinë. Disa nga marrëveshjet e arritura gjatë kësaj periudhe janë kritikuar ashpër nga opozita e atëhershme, përkatësisht Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila aktualisht udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Gjatë periudhës sa Tahiri ka qenë shefe e negociatave të palës kosovare me Serbinë, në Bruksel është nënshkruar marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, asociacion ky që fillimisht e kishte marrë pëlqimin nga ish-kryeministri Hashim Thaçi e më pas edhe nga Isa Mustafa.

Kjo marrëveshje është vlerësuar nga opozita se e bosnjëzon Kosovën, përderisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës në fund të vitit 2015 ka konstatuar se disa pjesë të marrëveshjes së Asociacionit janë antikushtetuese. Megjithatë, faktorët ndërkombëtarët vazhdojnë të insistojnë që Marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen nga të dyja palët.

Një Marrëveshje tjetër e arritur me Serbinë dhe që kritikohet nga opozita ishte ajo për fusnotën, e cila ishte arritur më 24 shkurt të vitit 2012 në Bruksel. Marrëveshja nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Fusnotën, Edita Tahiri kishte deklaruar se “fusnota është një flluskë bore që do të shkrimet me kalimin e dimrit”. Por, nga ajo kohë në takime rajonale dhe ndërkombëtare Kosova vazhdon të përfaqësohet me fusnotë.

Është e diplomuar në Kolegjin për Studime Ndërkombëtare dhe të Sigurisë së Qendrës ‘Georg C. Marshal’, në Gjermani, ndërsa studimet pasuniversitare për administrim publik i ka mbaruar në Universitetin e Harvardit.

Patundshmëritë

505 mijë euro është vlera e përgjithshme e pasurisë së patundshme që Edita Tahiri e ka deklaruar në vitin 2017 në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ajo ka deklaruar se posedon një shtëpi në vendlindjen e saj në Prizren në vlerë prej 300 mijë euro, një parcelë toke që vlen 200  mijë euro dhe një truall në vlerë prej 5 mijë euro. Këto prona të paluajtshme, Tahiri i ka deklaruar vazhdimisht si prona familjare nga viti 2011-2017, sa ka mbajtur funksione të larta shtetërore.

Në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2016 ka deklaruar se ka marrë kredi prej më shumë se 24 mijë euro në një bankë komerciale të Kosovës me qëllim të pagesës së kësteve për blerje të banesës. Tahiri, në vitin 2012 ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë për blerje të banesës në qendër të Prishtinës me një sipërfaqe prej 98.55 m2 katror, në vlerë prej rreth 148 mijë euro, me ç’rast një vit më vonë i është aprovuar një kredi ne vlerë prej 20 mijë euro.

Gjatë një hulumtimi disamujor, Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Sipas dokumenteve ekskluzive, Tahiri ka një banesë në emër të saj me një sipërfaqe prej 191 metra katror, apo edhe një herë më shumë se që kishte deklaruar në formularët e mëparshëm të pasurisë, vlera e së cilës shkon në rreth 180 mijë euro.

Çmimi i një metri katror të këtij apartamenti vlerësohet nga Departamenti i Tatimit në Pronë 850 euro, përderisa çmimi real i tregut është dyfish më i lartë.

Në faturën e tatimit në pronë, Tahirit i figurojnë edhe rreth 21 mijë metra tokë në bashkëpronësi në Landrovicë të Prizrenit, ku pjesa e saj e tokës sillet rreth 8000 euro.

Të hyrat

Mbi 20 mijë euro kanë qenë të hyrat vjetore të deklaruara nga Tahiri në vitin 2017, kur edhe ka mbajtur për herë të fundit funksion të lartë publik.

Para të gatshme

Në vitin 2017, Tahiri kishte deklaruar 500 euro para të gatshme në bankat komerciale të vendit, përderisa më së shumti para të gatshme kishte në vitin 2011, kur i kishte deklaruar 20 mijë euro.

Kreditë

Vlera e përgjithshme e kredive të deklaruara nga Edita Tahiri në vitin 2017 ka qenë 45 mijë euro, 30 mijë euro kredi për blerje të banesës dhe 15 mijë euro kredi për shkollim.

Vetura

Edita Tahiri kishte deklaruar në vitin 2012 se posedon një veturë në vlerë prej 12000 €.

 

 

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.