Enver Hoxhaj
Ish - zëvendëskryeministër
Ditëlindja: 13 janar 1969
Vendlindja: Suharekë
Përkatësia: Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Enver Hoxhaj është një nga politikanët më aktivë të Kosovës në dhjetë vjetët e fundit. Ka ushtruar detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme fillimisht nga viti (2011-2014) dhe më pas nga muaji Maj i vitit 2016 deri më 2 Gusht, 2017.

Enver Hoxhaj, në qeverinë Haradinaj ka shërbyer si zëvendëskryeministër, duke përfaqësuar PDK-në, në qeveri.

Në nëntor të vitit 2020, Hoxhaj ka marrë pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, pasi në atë kohë Gjykata Speciale me seli në Hagë e konfirmoi aktakuzën ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Në një pozitë të tillë partiake ai ka qenë për më pak se dy vite.

Në të kaluarën Hoxhaj ka shërbyer si ministër i Arsimit (2008-2011), si dhe ka shërbyer si deputet në katër legjislatura, ndërsa së fundi ishte kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme (2014-2016).

Hoxhaj ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final të Kosovës (2005-2007), të udhëhequra nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Presidenti, Martti Ahtisaari, Enver Hoxhaj ishte pjesë e delegacionit kosovar në të gjitha takimet.

Hoxhaj ka mbaruar studimet e doktoraturës për histori dhe politikë në Universitetin e Vjenës.

 

Patundshmëritë

435 mijë euro është vlera e përgjithshme e patundshmërivve të deklaruar nga Enver Hoxhaj në vitin 2022, ku përfshihen dy banesa në vlerë prej 230 mijë euro, një parcelë toke dhe ndërtimi i një shtëpie malore në vlerë prej rreth 205 mijë euro.

Vlera e patundshmërive të Hoxhaj është dyfishuar për një dekadë, pasi që në vitin 2011 ai kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion vetëm dy banesa në vlerë prej 230 mijë euro.

Parcelën e tokës, me një sipërfaqe prej 14.6 ari, ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2017, në atë kohë vlerën e saj e kishte paraqitur 45 mijë euro. Ndërsa në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2021, ka deklaruar se parcela i ka 20.6 ari, të cilën e ka deklaruar 95 mijë euro dhe rreth 110 mijë euro ka ndërtuar një shtëpi në atë pronë.

Gjatë një hulumtimi disa mujor Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-zëvendëskryeministri Hoxhaj. Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive, Hoxhaj ka blerë këtë parcelë toke dhe ka ndërtuar shtëpi në Komunën e Shtërpcës, përkatësisht në qendrën kosovare të turizmit dimëror-Brezovicë. Sipas faturave të tatimit në pronë, shtëpia e Hoxhës ka 250 metra katror, ku vlera e nje metri katror është llogaritur 675 €.

Instituti “Front” ka dërguar pyetje në adresë të Enver Hoxhajt për të marrë informacione nga ai në lidhje me këtë çështje, por as pas dy javë pritjeje i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Përndryshe, pas një aksioni të gjerë të Prokurorisë dhe Policisë, vila i ish-zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj është sekuestruar në fillim të tetorit 2022, e cila është ndërtuar në një zonë ku ndërtimi është i ndaluar, përkatësisht në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në këtë aksion janë sekuestruar 75 vila, ndërsa lista me prona të sekuestruara përmban emra gjyqtarësh të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë dhe qytetarë të tjerë.

Të hyrat

46.592 € janë të hyrat vjetore familjare të Enver Hoxhajt, ku përfshihet paga e tij si deputet dhe profesor, si dhe paga e bashkëshortes që punon si profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Të hyrat familjare të Hoxhajt për një dekadë janë rritur për rreth 35%, pasi që në vitin 2011, kur ishte ministër i Jashtëm i Kosovës, kishte deklaruar të hyra vjetore familjare prej rreth 29 mijë euro.

Para të gatshme

Mbi 16 mijë euro para të gatshme ka deklaruar Hoxhaj në vitin 2022, derisa maksimumin e parave të mbajtura në sistemin bankar e kishte arritur në vitin 2017, përkatësisht mbi 121 mijë euro.

 Kreditë

Nga viti 2010 deri në vitin 2021 Hoxhaj asnjëherë nuk ka deklaruar se ka detyrime financiare ndaj bankave komerciale të Kosovës, apo ndaj ndonjë personi fizik.

Vetura

Enver Hoxhaj ka deklaruar se posedon një veturë që është në bashkëpronësi me bashkëshorten në vlerë prej 9500 €.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.