Fatmir Limaj
Ish-zëvendëskryeministër
Ditëlindja: 4 shkurt 1971
Vendlindja: Malishevë
Përkatësia: Nisma Socialdemokrate

Fatmir Limaj është politikani kosovar që përgjatë dy dekadave të fundit ka kaluar nëpër shumë procese gjyqësore vendëse dhe ndërkombëtare, por asnjëherë deri më tani nuk është shpallur fajtor.

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-zv/kryeministri i Kosovës është gjykuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës dhe nga gjykatat kosovare, si dhe për korrupsion nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Rendit dhe Ligjit (EULEX), por në të gjitha këto procese gjyqësore është shpallur i pafajshëm.

Limaj ka qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me besimin e së cilës në vitin 2008 u zgjodh ministër i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT). Kjo ministri u bë sinonim i rastit ku Limaj dhe disa të tjerë akuzoheshin nën dyshimet për keqpërdorime në disa tenderë për mirëmbajtjen e rrugëve në rajonin e Gjilanit.

Në një proces të paprecedent juridik që zgjati rreth 2700 ditë, ku aktakuza mori trajta të ndryshme nga “MTPT 1” në “MTPT 2”, e pastaj në aktakuzën e konsoliduar, u dëgjuan dhjetëra dëshmitarë, u ndërruan disa prokurorë e gjyqtarë, por prokuroria nuk arriti që me provat e ofruara dhe të administruara në gjykatë të vërtetojë se Limaj dhe të akuzuarit e tjerë kishin kryer krim të organizuar lidhur me veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare si vepër kryesore e kësaj aktakuze.

Krahas këtyre proceseve gjyqësore nga të cilat Limaj doli i pafajshëm, ndryshime drastike pësoi edhe karriera e tij politike.

Limaj u largua nga Partia Demokratike të Kosovës dhe bashkë me Jakup Krasniqin dhe të tjerë politikanë, krijoj Nismën për Kosovë, e cila sot më vonë u shndërrua në partinë që sot thirret Nisma  Socialdemokrate.

Për disa vjet, kjo parti ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës, mirëpo që nga fillimi udhëheq me vetëm një Komunë në Kosovë- atë të Malishevës, prej nga vjen edhe vetë Limaj.

Pozitën më të lartë në shtetin e Kosovës, Limaj e ka ushtruar gjatë viteve 2017-2019, kur ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

 

Patundshmëritë

820.000 € është vlera e përgjithshme e pasurisë së patundshme të deklaruar nga Fatmir Limaj në vitin 2019, ku përfshihet një banesë- si trashëgimi familjare në vlerë prej 70 mijë euro; një shtëpi banimi në vlerë prej 250 mijë euro- po ashtu trashëgimi familjare; dhe 13 hektarë tokë bujqësore në vlerë prej 500 mijë euro.

Një deklarim të ngjashëm të pasurisë së patundshme, Limaj e ka deklaruar prej vitit 2010, kur ka qenë ministër i Transportit, e këndej.

Gjatë një hulumtimi disamujor, Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-zv/kryeministri Limaj. Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive, Limaj ka në emër të tij një shtëpi në vendlindjen e tij në Banjë të Malishevës me një sipërfaqe prej rreth 200 metrash katror, e cila nga shteti vlerësohet rreth 30 mijë euro dhe rreth 26 mijë metra katror në emër të tij- tokë, parcelë pyjore dhe parcelë për shtëpi familjare, vlera e së cilës është llogaritur mbi 150 mijë euro.

Të hyrat

42.087 € kanë qenë të hyrat vjetore të Fatmir Limajt dhe bashkëshortes së tij në vitin 2019. Kur ishte zv/kryeministër Limaj kishte të hyrat më të larta, në krahasim me vitin 2011, kur ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kishte deklaruar të hyra vjetore prej më pak se 9000 €.

Paratë Cash

6474 € para të gatshme ka deklaruar Limaj në vitin 2019, derisa më së shumti para cash kishte deklaruar në vitin 2010 kur ishte ministër i Transportit, përkatësisht 26.230 €.

Kreditë

Nga viti 2010 deri në vitin 2019, Limaj vazhdimisht ka deklaruar se e ka marrë një kredi 10-vjeçare në vlerë prej 40 mijë euro.

Vetura

Në vitin 2019, Limaj ka deklaruar se e posedon një veturë të markës “BMW” në vlerë prej 10 mijë euro, derisa gjatë viteve 2010-2012 ka deklaruar se i posedon dy vetura në vlerë prej 45 mijë euro. Ndërkaq në vitet 2013-16, ka deklaruar se e posedon një veturë në vlerë prej 30 mijë euro.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.