Fatmir Sejdiu
Ish-President
Ditëlindja: 23 tetor 1952
Vendlindja: Podujevë
Përkatësia: Lidhja Demokratike e Kosovës

Fatmir Sejdiu është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë. Për herën e parë u ngjit në krye të shtetit në vitin 2006, pas vdekjes së ish- presidentit Ibrahim Rugova. Pozitën e të parit të shtetit e mbajti deri në vitin 2010.

Sejdiu ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, më 1974. Më pas, ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare si dhe ka mbrojtur disertacionin e doktoratës. Ishte profesor në Fakultetin Juridik për rreth katër dekada. Përgjatë kohë ka ligjëruar edhe në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.

Fatmir Sejdiu ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989.

Në Kuvendin e Parë Zgjedhor, në vitin 1991, ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, më 1992- anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së.

Më 9 dhjetor 2006, Sejdiu u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtë funksion e mbajti deri në vitin 2010.

Ai ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për pavarësinë e Kosovës të mbajtur më 1991.

Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998.

Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, në të cilat cilësi është rizgjedhur sërish më 2004.

Më 10 shkurt 2006, Fatmir Sejdiu u zgjodh President i Republikës së Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ka udhëhequr Ekipin e Unitetit, në bisedimet për statusin final të Kosovës. Më 27 shtator 2010, ai dha dorëheqje nga posti i Presidentit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohej se ka bërë shkelje të Kushtetutës duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, post të cilin ai e kishte deklaruar si të “ngrirë”.

Patundshmëritë:

1 shtëpi

Në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit në vitin 2010 ish presidenti Sejdiu ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi të përbashkët prej mbi 200 metra katror në Prishtinë, pa e precizuar fare vlerën e përafërt të saj. Por, në bazë të një hulumtimi që ka realizuar Instituti për Hulumtime “Front” ka gjetur se shtëpia e ish presidentit Sejdiu në Prishtinë ka një sipërfaqe prej 250 metra katror, e vlerësuar prej 110 mijë euro. Pas këtij viti, Sejdiu nuk ka qenë i obliguar të deklaroj pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasi që nuk ka pasur ndonjë post publik.

Të hyrat

117,716 euro kanë qenë të hyrat familjare vjetore që ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka deklaruar në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Në këtë shumë përfshihet paga e tij si president, pagat e dy djemve të punësuar në Postë Telekomin e Kosovës, si dhe paga e njërit djalë të punësuar në bankën NLB.

 Kreditë:

Në vitin 2010 shuma e kredive të deklaruara nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka qenë 55,000 euro.

Vetura:

Fatmir Sejdiu ka deklaruar në vitin 2010 se posedon tri vetura, vlera totale e të cilave në atë kohë ishte 23,500 euro.

Kompanitë:

Rreth dy vite pas marrjes së mandatit, respektivisht në prill të vitit 2008, djali madh i ish presidentit, Bardhyl Sejdiu, krijon kompaninë “Empire” SH.P.K, ku aktivitet të saj primar e ka tregtinë me shumicë të kafes, çajit, kakaos dhe erëzave. Në bazë të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), ai figuron si aksionari më i madh me 66 % të aksioneve. Sipas të dhënave zyrtare të ARBK-së, biznesi në fjalë edhe më tutje vazhdon të jetë aktiv. Në maj të vitit 2009 edhe djali tjetër i ish presidentit, Shqipo Sejdiu themelon kompaninë “London Taxi Service” SH.P.K, ku sipas të dhënave zyrtare ai zotëron 25 % të aksioneve në këtë kompani. Sipas të dhënave zyrtare të ARBK-së, biznesi në fjalë edhe më tutje vazhdon të jetë aktiv.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.