Glauk Konjufca
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Ditëlindja: 25/07/1981
Vendlindja: Prishtinë
Përkatësia: Lëvizja Vetëvendosje

Glauk Konjufca ka lindur më 25 korrik të vitit 1981 në Prishtinë. Ka përfunduar studimet për filozofi në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës.

Është aktivizuar në Lëvizjen Vetëvendosje! që në fillimet e saj.

Në vitin 2010 u zgjodh deputet i legjislaturës së IV-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2014 u zgjodh sërish deputet dhe u emërua shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në të njëjtin vit, ai u emërua nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pozitë të cilën e mbajti deri me 12 mars 2015.

Në legjislaturën e V-të ishte zv. kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës.

Në legjislaturën e VI-të, ai u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ishte anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit për Punë të Jashtme.

Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Konjufca u zgjodh deputet dhe me 26 dhjetor të po atij viti u propozua dhe u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, deri me 3 shkurt 2020.

Me formimin e Qeverisë Kurti, Glauk Konjufca emërohet ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mandat të cilin e ushtroi deri në qershor të vitit 2020.

Aktualisht është kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Patundshmëritë

Kryekuvendari Glauk Konjufca, sipas përllogaritjeve të dala nga raporti i deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2022, del se ka një pasuri të paluajtshme prej mbi 325 mijë euro në pronësi të përbashkët familjare.

Banesë

Për dallim prej vitit 2021, ai tash ka shtuar edhe një banesë në vlerë 44 mijë euro, të cilën ka deklaruar ta ketë blerë në vitin 2021 me kredi dhe kursime.

Megjithatë, sipas një fature të datës 24 janar 2022, të cilën kemi arritur ta sigurojmë, ai nuk e ka deklaruar një objekt tjetër rezidencial në rrugën “Sylejman Vuçitërna” në Prishtinë. Atë e ka vlerësuar me 2 mijë e 508 euro. Vlera e përgjithshme e borxhit të cilin ai duhet t’ia paguajë shtetit është 182.14 €.

 

Të hyrat

Konjufca ka deklaruar se i ka 8 mijë e 243 euro para të gatshme në xhirollogari bankare.

Krahasuar me vitin e kaluar kur i kishte deklaruar pak më shumë se 4 mijë euro, tash rezulton se i ka dyfishuar paratë kesh.

Si të hyra vjetore nga paga dhe mëditjet që i merr si kryetar Kuvendi dhe nga paga që e merr në Vetëvendosje, ai i ka deklaruar 32 mijë e 287 euro.

 

Kreditë

Lidhur me detyrimet, i pari i Kuvendit të Kosovës thotë se ka kredi 67 mijë euro, të cilën duhet ta shlyej për 12 vjet.

 

Vetura

Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, rezulton se ai nuk ka veturë personale.

Për dallim nga tani, Konjufca në vitin 2019 kishte deklaruar një veturë me çmim 3 mijë e 500 euro.

 

 

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.