Hashim Thaçi
Ish-President
Ditëlindja: 24 Prill 1968
Vendlindja: Burojë/ Skenderaj

Hashim Thaçi është një nga figurat kyçe në historinë e vonshme të Kosovës. Ka qenë lider i Lëvizjes studentore në vitet 1990 – 1993 dhe njihet si njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë periudhës së luftës, ishte drejtues politik i kësaj ushtrie.

Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, (6 – 22 shkurt 1999) Hashim Thaçi ishte kryesues i Delegacionit të Kosovës.

Konferenca përfundoi në Paris më 18 mars 1999, dhe pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga intervenimit ushtarak të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe.

Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, Thaçi u bë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Këtë pozitë e mbajti nga marsi i 1999 deri në janar të viti 2000.

Në vitin 2000 u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, pozitë të cilën e mbajti deri në vitin 2016.

Gjatë procesit negociator për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, ai u zgjodh kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.

Me 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës e lexoi Deklaratën e Pavarësisë, nëpërmjet të cilës Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik.

Kështu, Thaçi njihet edhe si kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2014, për afro dy vjet i mbajti dy poste në Qeveri, atë të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm. Në këto funksione erdhi në bazë të një marrëveshjeje politike me ish-kreun e LDK-së, Isa Mustafën, i cili u zgjodh kryeministër.

Në prill të vitit 2016, Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës.

Disa muaj para përfundimit të mandatit 5-vjeçar, ai dha dorëheqje nga kjo pozitë pasi që Prokuroria e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë ngriti aktakuzë ndaj tij.

Në aktakuzën e Prokurorisë, ai është njëri nga të dyshuarit që janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Patundshmëritë

610 mijë € është vlera e përgjithshme e pasurisë së patundshme të deklaruara në vitin 2020 nga ish-presidenti Hashim Thaçi në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku përfshihen dy shtëpi dhe një parcelë toke.

Vlera e pasurisë së patundshme të tij është afërsisht e njëjtë që nga viti 2010, kur ka qenë kryeministër i Kosovës, përderisa në vitet 2017-18 kishte deklaruar patundshmëri në vlerë të përgjithshme prej 260 mijë euro, pasi që në atë kohë kishte shitur shtëpinë.

Gjatë një hulumtimi disa mujor, Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-presidenti Hashim Thaçi.

Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive, Thaçi ka në emër të tij një shtëpi në periferi të Prishtinës në vlerë prej mbi 130 mijë euro, e cila është ndërtuar mbi një parcelë toke që është vlerësuar 60 mijë euro. Toka ka një sipërfaqe prej 500 metrash katror, përderisa shtëpia 816 metra katror.

Me gjithë pronat e shumta, Thaçi për të njëjtat nuk i paguan tatimet ndaj shtetit. Sipas një fature të tatimit në pronë të datës 12 janar 2022, të cilën kemi arritur ta sigurojmë, borxhi i përgjithshëm i tatimit në pronë i Hashim Thaçit është mbi 1500 euro.

Të hyrat

60,500 € ka qenë të hyrat e përgjithshme vjetore familjare të ish-presidentit, Hashim Thaçi në vitin 2020, përfshirë këtu mbi 40 mijë euro pagë dhe mëditje nga Presidenca e Kosovës dhe rreth 20 mijë euro të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij nga Universiteti Publik i Mitrovicës.

Bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Thaçi në vitin 2010, kur ka qenë kryeministër i vendit ka pasur përgjysmë më pak të hyra familjare, përkatësisht mbi 32 mijë euro, 17 mijë euro pagë si kryeministër i Kosovës dhe mbi 15 mijë euro pagë vjetore të deklaruar nga bashkëshortja e tij.

Kreditë

Vlera e përgjithshme e kredive të deklaruara nga Hashim Thaçi në vitin 2020 ka qenë 10 mijë euro, përderisa në periudhën 2010-2017, kishte deklaruar 100 mijë euro kredi për blerje të shtëpisë.

Vetura

Hashim Thaçi ka deklaruar se posedon një veturë të markës “Audi” në vlerë prej 19000 €, përderisa në vitin 2018 kishte deklaruar dy vetura të markës “Audi” në vlerë prej 38000 €.

 Paratë CASH

11,070 € është shuma e parave CASH të cilat Hashim Thaçi i ka deklaruar në vitin 2020, për sa kohë që në vitin 2017, paratë që i mbante në sektorin bankar kishin arritur në rreth 320 mijë euro, pasi që kishte deklaruar se e ka shitur shtëpinë për 290 mijë euro. Në vitin 2010, ai i ka deklaruar rreth 225 mijë euro para të gatshme.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.