KEK-u bëhet gati për Arbitrazh, paguan afër 1 milion euro për të paditur KESCO-n dhe KEDS-in
Ekonomi / 29 Janar, 2024
admin

Hiq më pak se 736 mijë euro do të paguajë Korporata Energjetike e Kosovës për të paditur Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji (KESCO) dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

KEK-u ka angazhuar kompani ndërkombëtarë për “SHËRBIME PËR PËRFAQËSIM NË ARBITRAZH NDËRKOMBËTAR”, ku në njoftim thuhet se kjo korporatë është pala paditëse ndërsa të paditurit janë KESCO dhe KEDS.

Kompania e cila do të angazhohet nga KEK është “Squire Patton Boggs (US) LLP” me seli në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo kompani ishte edhe e vetmja e cila ka shprehur interesim për përfaqësim të KEK-ut.

“Lënda e kësaj kontrate ka të bëjë me shërbime profesionale ligjore dhe specifike të përfaqësimit pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Swiss Arbitration Center”), nga avokat të licencuar dhe me përvojë të përfaqësimit në një institucion të tillë të arbitrazhit.  KEK-u është palë paditëse, derisa KEDS dhe KESCO është palë e paditur. Kontesti lidhet me interpretimin dhe kalkulimin e disa aspekteve të raportit kontraktual në mes të palëve, derisa Padia e KEK-ut është inicuar pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit, në përputhje me rregullat e saj”, thuhet në njoftimin për kontratë.

E përderisa vlera e parashikuar e kontratës ka qenë fillimisht 300 mijë euro ajo më pas ka rritur në afro një milion euro sipas njoftimit për kontratë.

“Përmes këtij aktiviteti te prokurimit pritet që te angazhohet një kompani ligjore e licensuar dhe me ekspertizën dhe eksperiencën e nevojshme për përfaqësim të KEK-ut. Kjo duhet të përfshijë edhe aspektin procedural të rregullave të arbitrazhit të aplikueshme, dhe gjithashtu edhe ligjit të aplikueshëm dhe aspektit kontraktual”, thuhet në sqarimin e shkurtër nga KEK-u në lidhje më këtë kontratë.

Shperndaje: