Kosova s’ka asnjë anesteziolog të papunë, nuk po arrihen të përmbushën kërkesat e Klinikave
Lajme / 17 Korrik, 2023
admin

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) aktualisht është duke operuar me 45 anesteziologë.

Kështu ka bërë të ditur, drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija.

“Në klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv janë të punësuar momentalisht 45 anesteziologë”, tha ai në një përgjigje për Front Online.

Spahija: Klinikës pritet t’i shtohen 4 anesteziologë, është hapur konkursi

Drejtori i Anesteziologjisë, Gazmend Spahija, tha për Front Online se ka vullnet për ta rritur numrin e anesteziologëve nëpër klinika, por që momentalisht nuk ka të papunë në këtë drejtim.

Ai ka treguar se është hapur konkursi për katër anesteziologë të interesuar të punojnë në këtë Klinikë.

 “Javë më parë është hapur konkursi për katër anesteziologë të cilët janë të interesuar të punojnë në Klinikën e Anestezionit. Për momentin në Republikën e Kosovës nuk ka anesteziologë të papunë, se vullneti i Ministrit është që të gjithë anesteziologët e interesuar të punësohen”, tha ai për Front Online.

Spahija thotë se numri i vogël i anesteziologëve ka shtuar listat e pritjeve të pacientëve.

Sipas tij, është e pamundur të plotësohet kërkesa e të gjitha klinikave, në kohën kur po shtohen edhe shërbime tjera brenda QKUK-së.

“Me këtë numër të vogël të anesteziologëve është e pamundur të plotësohen kërkesat e të gjitha klinikave kirurgjike dhe jokirurgjike, duke ditur faktin që shërbimet shëndetësore në QKUK vazhdimisht po shtohen”, deklaroi ai për Front Online.

Spahija thotë se edhe Ministria e Shëndetësisë është në dijeni për këtë mungesë, dhe ka reflektuar duke e hapur konkursin, por që fatkeqësisht numri është i vogël.

“Ministri i Shëndetësisë është i informuar me gjendjen në Klinikën e Anestezionit dhe në momentin kur është shfaq interesimi i anesteziologëve për punësim në QKUK, menjëherë ka reflektuar me hapjen e konkursit, fatkeqësisht edhe ky numër është i vogël”, deklaroi ai për Front Online.

Drejtori i Anesteziologjisë: Vitin e kaluar lëshuan punën 10 anesteziolog, këtë vit asnjë

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija, ka bërë të ditur për Front Online se gjatë këtyre 6 muajve nuk ka lëshuar asnjë anesteziologë vendin e punës në QKUK, por ka përmendur statistikat se vitin e kaluar vendin e punës e braktisën 10 anesteziolog.

“Vitin e kaluar e kanë lëshuar punën 10 anesteziolog, në gjashtë muajt e parë të këtij viti nuk e ka lëshuar punën asnjë anesteziolog”, u shpreh ai.

Ikja e mjekëve dhe kuadrove të tjerë në shëndetësi po konsiderohet si shqetësuese.

Të njëjtit po detyrohen që të lëshojnë vendin e tyre të punës për shkak të siç po thonë kushteve jo të mira, shkruan Front Online.

Shperndaje: