Pal Lekaj
Ish-kryetar i Gjakovës
Ditëlindja: 29 qershor 1962
Vendlindja: Gjakovë
Përkatësia: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Pal Lekaj, aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Për një kohë, Lekaj ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës. Pas përfundimit të mandatit si ministër ndaj tij u ngre aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Po ashtu, një kohë pas përfundimit të mandatit si kryetar i Komunës së Gjakovës ndaj Lekajt ishte ngritur edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në janar të vitit 2019, Gjykata Themelore në Gjakovë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në shkurt të vitit 2021 është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjakovë, për keqpërdorim detyre, nën akuzën lidhur me subvencionet e shpërndara në ketë̈ komunë.

Pal Lekaj u dënua me burg me kusht prej 1 vit e 6 muaj. Dënimi nuk do t’i ekzekutohet nëse për dy vite ai nuk do të kryejë vepra të tjera penale.

Në gusht të vitit 2021 Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili në shkurt të vitit 2021 ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Gjakovë, nën akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës në fjalë. Ky proces gjyqësor ende nuk e ka marrë një epilog.

Po ashtu, më 4 shkurt të këtij viti Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy personave të tjerë për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”. Ky proces gjyqësor nuk ka filluar ende.

Patundshmëritë:

Deri në vitin 2015, Pal Lekaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar pasuri familjare brenda dhe jashtë vendit mbi 5 milionë euro. Por, në vitin 2017 e këndej, ai ka deklaruar një shtëpi në vlerë prej 280 mijë euro si dhe tokë në vlerë prej 1,5 milionë euro. Në vitin 2020, Lekaj e ka deklaruar edhe një banesë në vlerë prej 80 mijë euro, e përfituar në vitin 2016, por e njëjta nuk figuron në formularët e AKK-së të vitit 2016 e deri në vitin 2020. Në formularët e AKK-së në vitin 2022, ai ka deklaruar se ka në pronësi 4 automjete në vlerë prej më shumë se 54 mijë euro.

Lekaj është pyetur nga Instituti “Front” se si ka arritur t’i blej këto vetura dhe pse nuk e ka deklaruar pasurinë pas vitit 2017 ashtu siç kishte bërë më parë,  por ai ka thënë se pyetjet duhet t’i adresohen Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ai nuk ka dashur të flasë as për procesin gjyqësor ndaj tij derisa ka rekomanduar që pyetjet e tilla t’i dërgohen Prokurorisë.

Të hyrat:

Të hyrat e vjetore personale të Lekajt prej vitit 2010 e deri në 2021 kanë variuar nga 11 deri në 24 mijë euro. Të hyra të tjera, ai nuk ka deklaruar fare. Në vitin 2022, ka deklaruar se paga e tij vjetore është 24 mijë e 263 euro.  Lekaj ka deklaruar edhe pagën e djalit në tij në kompaninë “Art Motion” e cila është 14,400 euro në vit.

 

 

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.