Ramiz Kelmendi
Ish-zëvendëskryeministër
Ditëlindja: 01.05.1958
Vendlindja: Pejë

Ramiz Kelmendi është biznesmen dhe politikan. Është pronar i vetëm i kompanisë “Elkos” me seli në Pejë. Për dy mandate e ka ushtruar funksionin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, derisa për një mandat ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Në vitin 2011, Kelmendi ka hyrë në Kuvendin e Kosovës si deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa në maj të vitit 2014, karrierën politike e ka vazhduar në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Lëvizjet nëpër parti politike të Kelmendit nuk përfunduan me kaq.
Në vitin 2016, ai ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dhe përfundimisht, më 13 janar të vitit 2021, e braktisi këtë parti dhe u rikthye në Partinë Demokratike të Kosovës.
Për një kohë të gjatë, veçmas kur ushtronte funksione publike, Kelmendi kritikohej nga partitë opozitare se ishte distributor i prodhimeve serbe në Kosovë. Por, pavarësisht kritikave, ai vazhdon të jetë njeri nga importuesit kryesor të produkteve serbe në vendin tonë.
Aktualisht, Kelmendi nuk ushtron asnjë funksion publik.

Pasuria:
119,428,428 € është vlera e kompanisë “Elkos” të cilën Kelmendi e ka deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë në vitin 2019, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Pas atij viti, ai nuk e ka deklaruar më pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasi që nuk ka ushtruar asnjë funksion publik. Në formularët e vitit 2019, Kelmendi ka deklaruar se i ka në pronësi 2 shtëpi në vlerë prej 230 mijë euro, si dhe dy parcela në vlerë prej 45 mijë euro.

Të hyrat:
127 mijë euro është shuma e të hyrave vjetore që Kelmendi i ka deklaruar në vitin 2019. Këtu hyjnë: paga e tij si deputet, paga nga “Elkos” si dhe paga e gruas së tij- po ashtu nga kompania “Elkos”.

Para të gatshme:
3,781.28 € ka qenë shuma e parave të gatshme që Kelmendi i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit në vitin 2019, kur për herë të fundit e ka deklaruar pasurinë si zyrtar publik.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.