Ramush Haradinaj
Ish-kryeministër i Republikës së Kosovës
Ditëlindja: 3 korrik 1968
Vendlindja: Deçan
Përkatësia: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Ramush Haradinaj ka qenë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë viteve 1998-1999.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishte emëruar zëvendëskomandant i ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Në prill të vitit 2000, Haradinaj është larguar nga jeta ushtarake dhe ka themeluar partinë- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kryetar i së cilës është që nga ajo kohë.
Katër vjet pas themelimit të partisë, si rezultat i një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila në atë kohë udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, Haradinaj zgjidhet kryeministër i Kosovës (3 dhjetor 2004).
Pa i mbushur 100 ditë në krye të Qeverisë, përkatësisht më 8 mars 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi me seli në Hagë publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij dhe si rrjedhojë po atë ditë Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës.
Në vitin 2008 u shpall i pafajshëm, por procesi do të përsëritej pas katër vjetësh (më 2012) për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj.
Në fund të nëntorit të vitit 2012, Haradinaj sërish shpallet i pafajshëm.
Pesë vjet më vonë, përkatësisht më 9 shtator 2017, në marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, që asokohe drejtohej nga Kadri Veseli, Haradinaj zgjidhet për herë të dytë kryeministër i Kosovës, funksion të cilin e ushtroi deri më 19 korrik 2019, kur edhe dha dorëheqje nga kreu i Qeverisë me arsyetimin se është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale me seli në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.
Pavarësisht kësaj, deri më sot, kjo gjykatë nuk ka ngrehur aktakuzë ndaj tij.
Aktualisht Ramush Haradinaj është deputet në Kuvendin e Kosovës.

Patundshmëritë

Shtëpi

3 shtëpi + 1 vilë malore në vlerë prej 892 mijë euro

Banesë

1 banesë në vlerë prej 70 mijë euro

Parcela toke

2 parcela toke në vlerë prej mbi 102 mijë euro

1 milion e 64 mijë euro arrin vlera e patundshmërive të deklaruara nga Ramush Haradinaj në vitin 2022, apo rreth 50% më shumë se që kishte deklaruar në vitin 2014.

Haradinaj në vitin 2014 i kishte deklaruar dy shtëpi në vlerë prej 570 mijë euro dhe dy banesa në vlerë prej mbi 102 mijë euro, apo gjithsej 672 mijë euro patundshmëri.

Gjatë një hulumtimi disamujor, Instituti për Hulumtime “Front” ka zbuluar të gjitha patundshmëritë që i disponon ish-kryeministri Haradinaj. Sipas dokumenteve ekskluzive, Haradinaj ka në emër të tij një shtëpi në Prishtinë që i është vlerësuar 1.254.000 €, e cila është ndërtuar mbi një parcelë toke prej 800 m2.

Po ashtu, sipas dokumenteve zyrtare që i posedon “Front”, Haradinaj i ka edhe 2100 metra katror parcela të ndryshme në bashkëpronësi në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Me gjithë pronat e shumta që i ka, Haradinaj nuk i paguan për to tatimet ndaj shtetit. Sipas një fature të datës 24 janar 2022, të cilën kemi arritur ta sigurojmë, borxhi i përgjithshëm i tatimit në pronë të Ramush Haradinajt arrin mbi 6000 euro.

Megjithatë, këto parcela toke në Brezovicë, Haradinaj nuk i ka paraqitur në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2022 në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Instituti “Front” ka kërkuar shpjegime rreth kësaj çështjeje, mirëpo nga kabineti i Haradinajt kanë thënë se të gjitha informatat për pasurinë e tij janë publike në deklarimet e pasurisë që ai i ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ata nuk kanë dhënë përgjigje konkrete në pyetjet e parashtruara.

“Të gjitha përgjigjet për këto pyetje, i gjeni në deklarimin vjetor të pasurisë së z. Haradinaj”, thuhet në përgjigjen që i ka kthyer kabineti i Haradinajt Institutit “Front”.

Të hyrat

96.086 € janë të hyrat vjetore familjare të Ramush Haradinajt, ku përfshihet paga e tij si deputet, pensioni invalidor, dy paga të bashkëshortes dhe të hyrat nga qiraja e shtëpisë.

Të hyrat familjare të tij në vitin 2014 ishin dukshëm më të ulëta, përkatësisht mbi 36 mijë euro në vit, ku përfshihej një pagë e tij, pensioni invalidor, paga e bashkëshortes dhe pensioni i prindit.

Maksimumin e të hyrave familjare Haradinaj e ka arritur në mandatin e tij të dytë si kryeministër i Kosovës, përkatësisht në vitin 2017, me mbi 141 mijë euro të hyra vjetore, përfshirë këtu pagën nga buxheti i Kosovës, pagën si kryetar i partisë, pensionin invalidor, qiranë e shtëpisë dhe tri paga të bashkëshortes së tij.

Kreditë

Vlera e përgjithshme e kredive dhe borxheve tatimore të deklaruara nga Ramush Haradinaj në vitin 2021 ka qenë mbi 152 mijë euro. Në kategorinë e detyrimeve financiare, Haradinaj i ka paraqitur 20 mijë euro borxh për blerjen e një banese në bregdetin shqiptar, në Golem.

Vetura

Ramush Haradinaj ka deklaruar se posedon një veturë që është në pronësi të bashkëshortes në vlerë prej 8000 €.

Kompanitë

Pas përfundimit të mandatit si kryeministër, Ramush Haradinaj ka themeluar një kompani ndërtimore HCC SH.P.K, ku bashkë me bashkëshorten kanë nga 50% të aksioneve.

Vlera e kompanisë              % e aksioneve   Pronësia

HCC     500 €                                    50 %                   Ramush Haradinaj

500 €                                     50 %                  Anita Haradinaj

 

 

Privatizimet

Ramush Haradinaj në vitin 2009 nëpërmjet procesit të privatizimit ka blerë 200 hektarë tokë në Komunën e Deçanit në vlerë prej 75 mijë euro. Ai është kritikuar nga kundërshtarët politik për çmimin e lirë të privatizimit të kësaj toke, përkatësisht 3.7 euro për 1 ari, apo 375 € për një hektar.

Instituti për Hulumtime “Front” ka arritur ta siguroj komplet dosjen prej mijëra faqesh të  procesit të privatizimit në Kosovë, e cila përmban fakte të shumta rreth keqpërdorimeve që kanë ndodhur me procesin e privatizimit.
Pasi që ishte shpallur fitues i përkohshëm, AKP-ja kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që ta bëj verifikimin e historikut të fituesit e përkohshëm të valës së 26-të të privatizimit, Ramush Haradinaj.
Në këtë dokument të Policisë së Kosovës, të cilin po ashtu e posedon Instituti për Hulumtime “Front”, thuhet se: “Drejtorati i Analizës së Krimit (sektori i inteligjencës kriminale) ka bërë verifikimin e duhur të historikut për personin e parashtruar në kërkesën e AKP-së në të gjitha burimet dhe potencialet që ka pasur mundësi, si në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK), sistemin e databazës së inteligjencës kriminale, si dhe kemi bërë kërkesë për verifikimin në Qendrën e Inteligjencës Financiare, në Drejtoratin kundër Krimit të Organizuar, në EULEX, si dhe në njësi ndërkombëtare të Inteligjencës.
Rezultati i këtij verifikimi është: Ramush Hilmi Haradinaj i lindur më 3 korrik 1968 për momentin nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare për përfshirjen e tij në ndonjë aktivitet kriminal, përveç një të dhëne zyrtare në sistemin informativ të Kosovës se më 31/10/2001 nuk i ka respektuar urdhërat e Policit Nr: 2001-BD-2234. Por, ky rast rezulton i mbyllur”.

Përndryshe, Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt, muaj më parë ka deklaruar për medie se toka e privatizuar ka qenë historikisht e familjes së tij dhe pjesës tjetër të fshatit.

“Ajo tokë ka qenë historikisht e jona, e baballarëve, babai im aty e ka livru atë tokë dhe e ka mbjellë. Serbia ia ka marrë me dhunë. Nuk është pronë vetëm e Haradinajve, sepse ne jemi  shtëpi pak më e madhe, por është e fshatit Gllogjan. Nëse nuk gaboj, mbi 70% e bashkëvendasve të mi kanë hise në këtë pronë. Ajo pronë është dalë në shitje e në stërshitje edhe nuk e ka ble kurrkush, historikisht është ditë që është pronë e Gllogjanit, pronë e Haradinajve. Siç duket Haradinajt si shtëpi më e madhe kanë hise më shumë”, pati deklaruar Haradinaj.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.