100-ditëshi i Përparim Ramës/ 1.5 milionë € tenderë, disa prej tyre të negociuar
Prokurim / 17 Mars, 2022
admin

Përparim Rama ka mbërritur 100 ditëshin e tij të parë si kryetar i Prishtinës.

Përgjatë kësaj periudhe ai nënshkroi 20 tenderë, vlera e përgjithshme e të cilëve është afër 1.5 milionë euro.

Në dhënien e disa prej tyre u ndoqën procedurat e hapura. Në disa të tjerë u shkua me procedurë të negociuar – pa publikim të njoftimit për kontratë.

Tenderët e Ramës

Shtatë nga tenderët e nënshkruar në qeverisjen Rama hyjnë në kategorinë e punës.

Kryetari Rama duket se i ka kushtuar vëmendje sportit, meqë projekti më i madh në këtë klasifikim, ka të bëjë me këtë fushë.

Mbi 252 mijë euro i ndau për terrenet e reja sportive në kryeqytet. Ato do t`i ndërtojë konsorciumi “Thesar” & “TINI”.

52 mijë sosh u ndan edhe për rregullimin e fushave rekreative, të cilat veçse ekzistojnë. Puna për këtë iu besua kompanisë “MBB Construction”.

Rama nuk i la anash as rrugët.

Për rikonstruimin e “Ilir Konushevcit”, i dha një kontratë mbi 226 mijë euroshe operatorëve ekonomikë “Eskavatori” dhe “Best Company”.

Kryetari, që la Londrën për Prishtinën, mendoi edhe për shtigjet e vrapimit e ecjes.

Për një të tillë dhuroi mbi 10 mijë euro. Paratë u dhanë përmes një tenderi që ishte me procedurë të negociuar – pa publikim të njoftimit për kontratë.

Tjerat kontrata që u nënshkruan kapin shifra më të vogla.

8 mijë e 350 euro për renovimin e shtëpisë së djegur në Lebanë. 4 mijë e 487 për meremetet në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” e 990 për ato te objekti i zjarrfikësve.

Furnizimet “gëlltitin” mbi 700 mijë euro

Shtatë tenderë të tjerë që i dha komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Përparim Rama, klasifikohen në kategorinë e furnizimit.

Për mbi 100 mijë teste antigjene, dedikuar shkollarëve kryeqytetas, pagoi 316 mijë euro. 126 mijë të tjera u dhanë për sigurinë e objekteve të saj. Në këto dy kontrata me vlerë të madhe, komuna negocioi direkt me kompanitë. Zgjodhi procedurën e negociuar – pa publikim të njoftimit për kontratë.

Tek furnizimet, 132 mijë euro i kushtoi komunës sigurimi i ushqimit për punëtorët e saj.

Para, përmes tenderit, u derdhën edhe për pikat ushqyese te qenve endacakë.

18 të tilla u vendosën në kryeqytet, teksa kushtuan 76 mijë euro.

52 mijë euro komuna i kaloi në xhirollogarinë e biznesit “Liki”, që do të furnizojë me pelet çerdhet, shkollat fillore e të mesme të Prishtinës.

Mbi 12 mijë euro i ndau për disa infografika dhe materiale tjera zyreje. E gati kaq për disa pajijse, të nevojshme për kabinetet shkollore.

Shërbimet në qeverisjen “Rama” 

Tenderë u dhanë edhe në kategorinë e shërbimeve.

U ndan përmes tenderit një burimor mbi 46 mijë euro për t`ua bërë qaren kafshëve endacake.

Afër 30 mijë euro për artistët prishtinasë. Mbi 50 mijë të tjera për transportin e nxënësve dhe arsimtarëve në viset rurale kryeqytetase, zona e Gallapit.

Mbi 2 mijë e 600 për mirëmbajtën e ngrohjes qendrore në shkollat dhe institucionet tjera komunale.

Që t`i mundësohet qasje qytetarëve në seancat e asamblesë, ku diskutohen këto kontrata dhe tema të ndryshme komunale, komuna ndau afër 10 mijë euro për transmetim live të tyre.

Krejt në fund diku 450 euro shkuan për përfaqësim ligjor të komunës.

Shperndaje: