220 vajza të vaksinuara kundër kancerit të qafës së mitrës, nga shkurti vaksinimi nis edhe në shkolla
Lajme / 5 Shkurt, 2024
admin

220 vajza deri më tani janë vaksinuar me vaksinën e cila i mbron nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës.

Këtë e kanë bërë të ditur për Front Online nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës.

“220 vajza deri më tani janë vaksinuar me HPV”, kanë thënë nga IKSHPK.

Madje ky proces i vaksinimit nga mesi i muajit shkurt do të fillojë përmes shkollave, për vajzat 12 vjeç.

Kështu kanë thënë për Front Online në një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

“Gjatë vitit qe shkoi vaksinimi kundër HPV vaksinës është pilotuar si projekt me 300 vaksina të dedikuara kryesisht për vajza të reja që kanë predispozita familjare për kancer të qafës së mitrës. MSH dhe IKSHPK kanë bërë përgatitjet që nga mesi i muajit shkurt të fillojë vaksinimi përmes shkollave i vajzave të klasës së VI-të (mosha 12 vjeçe) me vaksinën kundër HPV”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

 MSH-ja ka siguruar edhe 15 mijë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar edhe 15 mijë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, nga 300 sa ishte furnizimi paraprak.

“Vaksina HPV është bërë tashmë me vendim të Ministrisë prej vitit të kaluar 2023, pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe fushata e vaksinimit të rregullt në krejt vendin për vajzat e moshës 12 vjeçe fillon nga muaji tjeter. Janë siguruar mbi 15 000 vaksina”, thonë në përgjigje nga MSH.

Si rrjedhojë e kësaj, nga ministria dhe nga IKSHPK thonë se interesimi është i mirë.

“Prindërit kanë filluar të interesohen dhe ata po informohen për këtë proces, dhe siç edhe keni mundur të vëreni janari është duke u shënuar me aktivitete sensibilizuese dhe informuese për kancerin e qafës së mitrës dhe vaksinimin kundër HPV, interesimi është i mirë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

 Gjinekologu Syla: Jo të gjitha vajzave duhet t’iu jepet vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

 E gjinekologu, Blerim Syla e konsideron të rëndësishme këtë vaksinë kundër HPV-së.

Mirëpo ai ka edhe rezerva.

Kjo për shkak që sipas tij, vaksina kundër HPV nuk duhet t’iu jepet të gjitha vajzave, pa e shikuar anamnezën.

“Është shumë e rëndësishme me marr një vaksinë të tillë, mirëpo duhet të kontrollohet anamneza, e jo të gjithë fëmijëve duhet me iu dhënë kjo vaksinë. Ajo sugjerohet të jepet prej moshës 12 vjeçare e sidomos tek familjet të cilat e kanë anamnezën e ngarkuar, në këtë rast në qoftë se e kanë dikënd me kancer të qafës së mitrës, atëherë është e preferueshme”, ka thënë ai.

Syla ka edhe kritika.

Ai thotë që në këtë çështje ka qenë më shumë politika, sesa Shoqata e Gjinekologëve.

Sipas tij, këto janë vendime më shumë politike.

“Unë nuk i di qëndrimet, sepse ky më shumë ka me qenë vendim politik dhe i shtetit se këto i bënë Ministria e Shëndetësisë, mirëpo e kam një kritikë që Shoqata e Gjinekologëve nuk ka qenë fortë në këtë çështje, dhe unë mendoj që Shoqata e Gjinekologëve duhet me dal me një qëndrim, e jo politika. Unë nuk e di sepse IKSHPK është përgjegjëse për të gjitha vaksinat, mirëpo në këtë rast që po flasim duhet me dal Shoqata e Gjinekologëve me një qëndrim sepse ajo është në domenin e tyre, ndërsa IKSHPK-ja normal që merret me krejt vaksinat”, u shpreh ai për Front Online.

Për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual./Front Online/

 

Shperndaje: