BE-ja – Kosovës dhe Serbisë: Është urgjente finalizimi i zbatimit të Udhërrëfyesit për Energjinë
Energji / 22 Dhjetor, 2022
admin

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

 

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

 

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.

Bashkimi Evropian njoftoi se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe Elektrosever nga Mitrovica e Veriut, më 18 tetor kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri.

 

Por më gjithë marrëveshjes së nënshkruar, dispozitat që parashihen në marrëveshje nuk po zbatohen nga kompania serbe Elektroserv.

 

Zbatimin e kësaj marrëveshje po e kërkon Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë se finalizimi i zbatimit të marrëveshjes është urgjent.

 “Finalizimi i zbatimit është urgjent duke pasur parasysh sezonin e dimrit dhe në dritën e ruajtjes së sigurisë energjetike të qytetarëve në Kosovë dhe zbutjes së përhapjes së çfarëdo rreziku për rrjetin elektrik të Evropës në këto kohë sfiduese”, ka thënë Stano për Front Online.

Nga BE-ja thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me palët përgjegjëse dhe u kërkojnë atyre që të përshpejtojnë zbatimin e të gjitha dispozitave në pritje të Udhërrëfyesit për Energjinë.

“Bashkimi Evropian mbetet në kontakt të afërt me të gjithë aktorët përkatës të energjisë dhe i nxit ata që të përshpejtojnë zbatimin e të gjitha dispozitave në pritje të Udhërrëfyesit për Energjinë”, thotë Stano për Front Online.

 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka përmendur edhe deklaratat e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se vonesat duhet të shmangen dhe se përgjegjësia u takon Kosovës e Serbisë.

 

 “Përfaqësuesi special i BE-s Lajcak përsëri nënvizoi në fillim të këtij muaji në Beograd dhe Prishtinë se vonesat shtesë duhet të shmangen, gjë që është përgjegjësi e Kosovës dhe e Serbisë”, ka thënë Stano për Front Online.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

Shperndaje: