Disa furra në Prishtinë shtrenjtojnë bukën në 60 centë, mullisët të habitur-thonë se ka ulje të çmimit të miellit (Foto)
Ekonomi / 15 Mars, 2024
admin

Agjencia e Statistikave të Kosovës në muajin shkurt në indeksin e tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit ka bërë të ditur se është më i lartë prej 1.8% në muajin janar 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023.

Krahasuar me muajin dhjetor çmimet në janar janë rritur tek qumështi, djathi, vezët prej 1.3%, perimet 3.7%.

Ndërsa, buka dhe drithërat kanë pësuar ngritje prej 0.9%, sipas ASK-së.

 

Kryetari i Mullisëve: Pritet rënie e çmimit të miellit, jam i habitur me rritjen e çmimit të bukës

 

Në disa furra të Prishtinës është vërejtur ngritja e çmimit të bukës.

Nga 50 centë sa ka qenë çmimi i një buke, ditëve të fundit është ngritur në 60 centë.

Kjo vërehet edhe nga kuponët fiskal që kanë dërguar qytetarët nga furra të ndryshme në Prishtinë.

 

 

 

I habitur me ngritjen e çmimit të bukës është shprehur kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu.

Ai tha se pasi ka ulje të çmimit të miellit ka pritur që të ketë edhe të bukës.

“Jam i habitur që paska ngritje të çmimeve të bukës se kemi pritë të bie jo të ngritët. Por kjo varët nga furrat. Që një vit e gjysmë mielli është në rënie, këto ditë do ketë rënie shtesë”, u shpreh ai.

As në planet e afërta nuk është ngritja e çmimit të miellit, thotë Zejnullahu.

Ai tha se ka sasi të bollshme edhe për vitin 2025.

“Nëse flasim për para një viti e gjysmë rreth 40 % ka rënie të çmimit të miellit. Sasi ka të mjaftueshme edhe për vitin 2025. Ka ulje të madhe të çmimit të miellit, dhe nuk është as në plane për t’u ngritur”, tregoi Zejnullahu.

 

Kaçaniku: Çmimet po rriten në mungesë të Ligjit për bukën e mos kujdesit të Qeverisë për qytetarin

 

Selatin Kaçaniku nga Shoqata e Konsumatorit ka folur për Front Online lidhur me shtrenjtimin e çmimit të bukës në Prishtinë.

Kaçaniku tha se në mungesë të Ligjit për bukën e mos kujdesit të Qeverisë për qytetarët, rritën çmimet.

Ai thotë se Qeveria ende nuk e njeh qytetarin konsumator.

“Shteti e ka për obligim që qytetarit konsumator në veçanti atyre me standard të ulët t’ua sigurojë bukën popullore me çmim të garantuar dhe cilësi komfor standardeve. Mungon Ligji për Bukën dhe kujdesi i qeverisë për qytetarët konsumator të cilën nuk e njeh akoma”, thotë ai.

Kaçaniku deklaroi se nëse është ngritë çmimi i bukës standarde fajin e ka Qeveria.

 “Nëse kemi të bëjmë me ngritjen e çmimit të bukës popullore atëherë qeveria është përgjegjëse por nëse me lloje të tjera të bukës që janë jo standarde e të cilësive më të larta atëherë vlen Ligji i Tregut dhe të gjitha ligjet e tjera që e rregullojnë tregun dhe e mbështetin ekonominë”, u shpreh Kaçaniku për Front Online.

 

Shperndaje: