Gripi sezonal/ Hashani: Për tri javë u vaksinuan mbi 6 mijë persona, këto janë simptomat
Shëndetësi / 31 Tetor, 2023
admin

Tashmë kemi hyrë në sezonin e vjeshtës dhe gripi sezonal është paraqitur tek qytetarët, sikurse edhe në çdo vit tjetër.

Shkak i kësaj, shumë prej tyre edhe po marrin vaksinat kundër tij.

Ndërsa, simptomat që aktualisht po paraqiten tek pacientët janë grithja e fytit, teshtima, temperatura, kollitja e simptoma të tjera.

Për të gjitha këto, në një intervistë për Front Online ka folur kryeshefi i departamentit të Mjekësisë Familjare doktori Valdet Hashani.

Ai, ka thënë se nuk vërehet që ka shtim të numrit të pacientëve, nëse krahasohet periudha e njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Nuk kemi ndonjë rritje të jashtëzakonshme të numrit të pacientëve. Numri është përafërsisht i njëjtë edhe mënyra e vaksinimit është duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Deri më 24 tetor i kemi të aplikuara mbi 6 mijë vaksina, përafërsisht brenda ditës duke përfshirë edhe të shtunën aplikohen nga 300 deri në 500 vaksina”, ka thënë Hashani për Front Online.

Doktori Hashani, ka treguar edhe sa është numri i vaksinave që jepen për qytetarët në komunën e Prishtinës.

“Sa i përket gripit është grip sezonal që zakonisht ndodhë në këtë kohë ose po themi në fillim të vjeshtës, ndërsa vaksinimi siç e dini fillon më 1 tetor që është termin i caktuar nga IKSHPK-ja. Zakonisht vaksinimi ndodhë në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor mirëpo kemi aplikime edhe deri në maj të vitit të ardhshëm, mirëpo sigurisht se numri i atyre që vijnë për t’i marrë bie në mënyrë të dukshme. Sasia e vaksinave që Prishtina i aplikon i kemi dikund 10 apo 11 mijë vaksina, mirëpo mund të shkojë brenda vitit edhe në 12 mijë vaksina. Nëse nevojiten sigurisht sasi të tjera atëherë IKSHP-ja i ka në stok dhe na furnizon”, ka shtuar ai.

 Hashani: Sikur të kishim mjaftueshëm vaksina do t’u jepnim të gjithë qytetarëve

Kryeshefi i departamentit të Mjekësisë Familjare doktori Valdet Hashani derisa ka folur për vaksinat kundër gripit sezonal, ka deklaruar se sikur të kishin mjaftueshëm do të vaksinonin të gjithë qytetarët.

“Nëse do të kishim vaksina të mjaftueshme do të merrnin edhe qytetarët që nuk janë në grupin e atyre kategorive që jemi mësuar, e që janë mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, personat që kanë imunitet të dobët, që kanë probleme kronike e kështu me radhë. Pra kjo është vaksinë katër valente që nënkupton që i ka katër komponentë të vaksinave brenda i ka dyA dhe dyB, është vaksinë jashtëzakonisht e sigurtë mirë dhe aplikohet edhe tek fëmijët mbi 6 muaj deri në moshat e shtyra do të thotë pa asnjë kundër indikacion me përjashtime të vogla nëse personi është në gjendje gripoze ose fibrile nuk rekomandohet që të merren, ose nëse pacienti ka alergji në vezë ose në proteina të mishit të pulës”, ka thënë Hashani për Front Online

Në të kundërtën sipas tij të gjithë personat mbi 6 muaj deri në moshën e shtyer mund të marrin këtë vaksinë.

Hashani tregon se cilat janë simptomat e gripit sezonal tek qytetarët

Grithja e fytit, teshtima, temperatura janë simptomat e para që tregojnë se personi ka grip sezonal.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Front Online, kryeshefi i departamentit të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani.

“Zakonisht sikurse çdo virozë e në veçanti gripi sezonal që është infeksion nga virusi i gripit sezonal manifestimi i parë është grithja e fytit, teshtima, temperaturë, mirëpo nëse atakon edhe sistemin gastroindestinal atëherë manifestohet me vjellje edhe barkqitje mirëpo raportimet që i kemi nga qendrat i kemi të distribuuar shumë mirë dhe nuk kemi ndonjë raportim të gjendjes të rënduar, zakonisht gjendje që kalojnë edhe me antihiperitik duke iu shmangur dhënies së antibiotikëve”, ka thënë  ai.

Ndërsa, ka treguar se si mund të kalohet kjo gjendje gripoze.

“Për, këtë arsye edhe pacientët duhet të kenë parasysh se kjo gjendje gripoze mund të kalohet me paracetamol, me çajëra, me lëngje dhe nëse është në fazën e inkubimit që zhvillohet infeksioni është mirë që të mos bie në kontakt me persona të tjerë, meqë nëpërmjet spërklave mund të infektojë edhe personat e tjerë. Katër ose pesë ditë ndodhë që pacienti ta tejkalojë këtë gjendje, ndërsa nëse gjendja vazhdon e njëjtë atëherë patjetër se duhet të vizitohet mjeku me qëllim që të bëhen edhe analiza të caktuara por edhe të jepet terapia e përshkruar nga mjeku”, ka shtuar Hashani.

Hashani shpjegon se për çka shërbejnë tri vaksinat e reja tek fëmijët

Nga tetori i këtij viti kalendarit të vaksinimit të fëmijëve u janë shtuar edhe tri vaksina të reja.

Kryeshefi i departamentit të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani, tha se me vendosjen e këtyre  vaksinave, Kalendari i vaksinave të obligueshme të fëmijëve në Kosovë i përafrohet kalendarit Evropian.

“Kosova përmes IKSHPK-së, e ka zgjeruar lepezën e vaksinave të kalendarit të vaksinimit te fëmijët nëpërmjet tri vaksinave të reja që është vaksina për humanpapilloma virusin, pneumokokun dhe vaksinat për rotavirusin. Në fakt dy vaksinat e fundit kanë filluar aplikimin dhe po aplikohen ashtu siç është e paraparë edhe nëpërmjet kalendarit të vaksinimit ndërsa vaksina humanpapilloma do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Kurse, ka shpjeguar veç e veç se për çka shërbejnë këto tri lloje të vaksinave.

“Humanpapilloma virus është një infeksion i cili shkakton karcinomën e qafës së mitrës dhe kjo vaksinë e cila do të aplikohet nga janari i vitit të ardhshëm do të pengojë ose do të ndalojë përhapjen e kancerit të qafës së mitrës tek vajzat andaj edhe aplikimi i vaksinës do të ndodhë tek vajzat 9 vjeçare dhe kur paramendohet që nuk kemi fillim të aktivitet seksual tek vajzat”, ka thënë ai.

Për vaksinën e pneumokokut ka pohuar se mbron fëmijët deri në moshën një vjeç.

“Ndërsa, sa i përket vaksinës së pneumokokut është vaksinë e cila mbron fëmijët që janë deri në një vjet, jepet në tri doza, do të thotë dy muaj, katër muaj dhe në një vjet dhe është vaksinë e cila e pengon përhapjen e një agjenti të një mikroorganizmi i cili shkakton komplikime jashtëzakonisht të mëdha në mushkëri”, ka shtuar Hashani

Ndërsa, rotavirusi është vaksinë e cila jepet nëpërmjet pikave, jepet në formën siç thith fëmija, jepet në mënyrë shumë të ngadalshme dhe me qëllim të mos vjellët, sepse nëse fëmija e vjell nuk rekomandohet që të jepet prapë dhe përmes kësaj i mbrojmë fëmijët nga barkqitjet./Front Online

Shperndaje: