Ish-ministri Ismajli: Qytetarëve t’u kthehen mjetet për rrymën e paguar në veri duke ua zbritur shumën e faturave
Ekonomi / 13 Mars, 2024
admin

Të hënën, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që rreth 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve, të cilët e kanë paguar rrymën për serbët në veri të Kosovës.

Ky vendim është bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji në vitin 2012 i cili sipas Kushtetueses i ka shkelur disa ligje.

Për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar, ish-ministri i Energjisë, Fadil Ismajli.

Ismajli tha se nëse Qeveria i kthen mjetet për qytetarët nga buxheti i bie se qytetari po rimbursohet me mjetet e veta.

Ai për Front Online thotë se rregullatori ka marr një vendim korrekt.

“Kush duhet me pagu energjinë e cila është shpenzuar në veri pasi rrethanat e kanë pamundësuar mbledhjen e parave të energjisë së shpenzuar në atë pjesë. A duhet të paguaj Qeveria prej buxhetit se tjetër burim se nga duhet të vijnë ato para nuk ka dhe nëse po, buxheti është i grumbulluar nga qytetarët. Trajtimi i temave të tilla në legjislacionin tonë mungon. Rregullatori ka marr një vendim i cili është korrekt”, u shpreh Ismajli.

Ish-ministri i Energjisë ka thënë se nuk konsiston një nen i cekur me vendimin.

“Ligji mbi marrëdhënien e detyrimeve tek neni 194 thotë se personi që pasurohet me mjetet e dikujt tjetër, obligohet që të njëjtat t’i kthej dhe me kompensu vlerën e fitimit të arritur. Në këtë rast thirrët dhe aludohet që KESCO është pasuruar me bazë joligjore prej mjeteve që janë ngarkuar konsumatorët e Kosovës, pa ata në veri. Këtu nuk kemi të bëjmë me pasurim as rregullatori e as KESCO nuk pasurohet por kërkojnë me u kompensu për një mall me të cilin kanë furnizuar qytetarët në veri, thirrja në këtë nen nuk konsiston me këtë”.

Ismajli ka treguar mënyrën se si do të duhet të rimbursohen parat tek qytetarët.

“Mënyra për kthim është e rregulluar me rregullativat e Zyrës së Rregullores së energjisë, mjetet që janë marr më tepër prej konsumatorëve ato zbritën prej faturave në të ardhmen deri të barazohet shuma”, tha ai.  

Shala: Me urgjencë të zbatohet vendimi i Kushtetueses për kompensimin e qytetarëve që paguan rrymën për veriun

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e qytetarëve për rrymën në very.

Shala ka kërkuar që me urgjencë të zbatohet ky vendim.

Ai tha për Front Online se vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm por pak i vonuar por vendimet e Kushtetutës nuk duhet të diskutohen e zbatohet me urgjencë dhe vetëm të mendohet se si të filloj procesi i kthimit të parave dhe janë të qytetarëve”, tha Shala për Front Online.

Deputeti i PDK-së thotë se institucionet përkatëse do të vendosin se si do të kthehen ato para.

“Mjetet e huaja nuk mund t’i mbajë asnjë institucion. Se cila do të jetë forma do ta definojnë organet përgjegjëse ligjore”, theksoi Shala.

 Shatri: ZRrE-ja të bisedojë me Kurtin për sigurimin e mjeteve për qytetarët që paguan rrymën për veriun

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri e ka cilësuar si të qëlluar vendimin e Kushtetueses për kthimin e parave për qytetarët për rrymën në veri.

Shatri thotë për Front Online se ZRrE-ja duhet të bisedojë me Kurtin për sigurimin e mjeteve.

Ai tha se kryeministrin nuk do ta ‘lejnë në lloq’ personat që i ka punësuar.

“Nuk kam ide se çfarë mënyre do të gjejnë për t’i kompensuar qytetarët a ja zbresin në faktura apo çka bëjnë, kjo është punë teknike ZRrE të merret vesh me Kurtin i gjejnë mjetet se ky i ka punësuar njerëzit e vetë që nuk do ta lejnë në lloq . Ky është vendim i qëlluar se ka qenë një padrejtësi me i paguar dikujt tjetër rrymën qytetarët tanë rrymën”, u shpreh Shatri.

Kompensimi i qytetarëve për rrymën në veri, deputetja e LDK-së: Në formë të dhunshme nuk mundësh ti mbingarkosh qytetarët për të paguar për dikë tjetër

“Vendim i qëlluar”.

Kështu po e vlerëson anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Valentina Bunjaku-Rexhepi vendimin e Kushtetueses për kompensimin e qytetarëve për rrymën në veri.

Deputetja nga radhët e LDK-së tha se në formë të dhunshme nuk mundësh ti mbingarkosh qytetarët për të paguar për dikë tjetër rrymën.

 “Vendimi i Gjykatës Kushtetutës është i drejtë, i qëlluar dhe mbron të drejtat e konsumatorëve. Nuk mund të mbingarkosh asnjë qytetar të paguajë për dikë tjetër, në formë të dhunshme”, tha ajo.

Këto janë tre hapat që duhet të merren pas vendimit të Kushtetueses, sipas Bunjaku-Rexhepit.

“Tash duhet menjëherë të diskutohen format e kompensimit të qytetarëve, në forma si: 1) për çdo muaj, të hiqet një shumë e caktuar deri në vitin kur kompensohen në plotëni;

2) kthimi i mjeteve për çdo konsumator të regjistruar në llogarinë bankare të ndonjë anëtari të amvisërisë shtëpiake, pasi dikush e ka faturën në emrin e gjyshit dhe gjyshi mund të jetë i vdekur e nuk ka llogari bankare post mortum;

3) faturat e reja të vijnë më pak në përputhje me shumën totale financiare për Veriun”, deklaroi Bunjaku-Rexhepi.

Avokati i Popullit kishte paraqitur padinë për anulimin e këtij vendimi dhe kompensimin e dëmit për konsumatorët.

Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja kanë konfirmuar se vendimi i ZRrE-së ishte i kundërligjshëm dhe kanë urdhëruar kthimin e shumës së faturuar.

“Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Front Online ka kërkuar nga ZRrE-ja dhe KEDS-i përgjigje lidhur me vendimin e Kushtetueses, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit deri në momentin e publikimit të artikullit.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), Ymer Fezjullahu, ka thënë për Front Online se nuk e kanë pranuar vendimin e Kushtetueses dhe se do ta shqyrtojnë sapo ta kenë.

Shperndaje: