Ish-sekretari i UP-së emërohet pa konkurs drejtor i Bibliotekës Qendrore Universitare (Dokument)
Lajme / 4 Prill, 2024
admin

Esat Kelmendi, ish sekretar i Përgjithshëm i Universitetit “Hasan Prishtina”,  është emëruar pa konkurs si drejtor i Bibliotekës Qendrore Universitare (BQU) për një mandat 4 vjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për katër vite tjera, në kundërshtim me Ligjin për Bibliotekat, por edhe Statusin e Universitetit të Prishtinës, raporton Front Online.

Neni 11 i Ligjit për Bibliotekat  saktëson qartë se drejtori i Bibliotekës zgjidhet vetëm me konkurs publik.

Po ashtu, edhe pika 4 e nenit të 85 të Statutit të Universitetit të Prishtinës thotë se Drejtori i Bibliotekës Qendrore Universitare zgjidhet me konkurs Publik sipas Ligjit për Bibliotekat.

Por, në këtë rast për emërimin Kelmendit në pozitën e drejtorit Rektorati ka shkelë me dy këmbë si Ligjin, ashtu edhe Statutin e Universitetit të Prishtinës.

Për këtë çështje portali Front Online i ka dërguar pyetje Rektoratit dhe disa anëtareve të Këshillit drejtues, por as pas më shumë se dy javë pritje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Front Online gjithashtu ka kërkuar edhe qasje në dokumente zyrtare në Rektorat, por as kjo e drejtë ligjore nuk realizuar nga ana e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Por, në bazë të dokumenteve të siguruara nga Front Online shihet se pas përfundimit të mandatit si sekretar i Universitetit të Prishtinës Kelmendi ishte emëruar si zyrtarë i lartë i Shërbimit të Studenteve në Fakultetin e Arkitekturës.

Por, kjo pozitë nuk i kishte pëlqyer ish sekretarit. Ky i fundit ishte drejtuar me ankesë Komisionit për Ankesat e Nëpunëseve të Shërbimit Publik (KANSHP).

Më 9 janar të këtij viti drejtori i Personelit në Universitetin e Prishtinës ka pranuar kërkesën nga sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës për zbatimin e vendimit të KANSHP-së.

Neni 11 i Ligjit për Bibliotekat

KANSHP më datë 12.01.2023 ka nxjerrë vendim për aprovimin si të bazuar të ankesës të ish sekretarit kundër vendimit për emërimin e tij si zyrtarë i lartë i Shërbimit të Studenteve në Fakultetin e Arkitekturës.

Në pikën 3 të këtij vendimi kërkohet nga rektori i Universitetit të Prishtinës që ta autorizoj Këshillin Drejtues të Bibliotekës për sistemimin e Kelmendit në pozitën e drejtorit të Bibliotekës

Neni 85 i Statutit të Universitetit të Prishtinës

Këshilli Bibliotekës refuzoi emërimin pa konkurs  

Më tutje në arsyetimin e vendimit të Rektoratit për emërimin pa konkurs të Esat Kelmendit në pozitën e drejtorit të Bibliotekës thuhet se në fund të vitit që lamë pas rektori i Universitetit të Prishtinës kishte kërkuar nga Këshilli drejtues i Bibliotekës Qendrore Universitare, që ta “ rehatojnë” Kelmendin në pozitën e drejtorit,  por këta të fundit përmes shkresës së kthyer kanë treguar se nuk kanë mandat ligjor për sistemimin e zyrtareve publik.

Këshilli Drejtues i Bibliotekës në përgjigjen kthyer rektorit ka konstatuar se Zyra e Personelit e Universitetit të Prishtinës duhet ta ekzekutoj vendimin.

Më tutje thuhet se Këshilli Drejtues i Bibliotekës Qendrore Universitare ka analizuar edhe praktiken e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ku sekretari i Përgjithshëm atje pas mos vazhdimit të mandatit është sistemuar pa konkurs në këtë pozitë. Më tutje Këshilli Drejtues konstaton se ish sekretarin në Prizren nuk e ka sistemuar Këshilli Drejtues në pozitën e drejtorit të Bibliotekës, por Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore.

Në fund të arsyetimit thuhet se drejtorit i Personelit ka analizuar kërkesën e sekretarit të Universitetit, provat të cilat kanë të bëjnë me ri-sistemimin e Kelmendit, ka ndërlidhur ato mes veti, si dhe ka krahasuar me dispozitat ligjore të aplikueshme dhe ka ardhur në përfundim se Esat Kelmendi mund të ri-sistemohet në vendimin e punës si drejtor i Bibliotekës. Front Online për këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe Esat Kelmendit, por nuk ka arritur të marrë përgjigjie nga ky / Front Online /

Shperndaje: