IVF në Gjinekologji/1.2 milionë euro pajisjet mjekësore, furnizimi pritet të bëhet brenda 4-5 muajve
Lajme / 8 Janar, 2024
admin

Më 26 janar Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor .

Deri tani ky shërbim për qytetarët e Kosovës është kryer vetëm në klinika private dhe jashtë vendit.

Në pamundësi të realizimit në spitalet publike, çiftet kosovare kanë harxhuar mijëra euro për këtë proces.

Çiftet të cilat për shkak të problemeve të ndryshme që nuk kanë mundur të bëhen prindër në rrugë normale, u janë rekomanduar procedurat e IVF-së e cila është metodë ndihmëse për të arritur një shtatzëni.

Fertilizimi i asistuar mjekësor është frytnimi i asistuar mjekësor me ç ‘rast përdoren qelizat riprodhuese personale të të dy bashkëshortëve.

 MSH: Pas vendimit të OSHP-së, brenda 4-5 muajve furnizohet me pajisje reparti i IVF-së në Gjinekologji

Pjesa teknike e repartit të IVF-së tashmë ka përfunduar por ende funksionalizimi nuk është i mundur.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur për Front Online se pas hapjes së tenderit për furnizimin me pajisjet mjekësore, ky është pezulluar.

Një ankesë e cila është bërë në OSHP për Lotin 1 ka bërë që aktiviteti të pezullohet deri në vendimin e radhës, thonë nga MSH-ja.

“Brenda afatit kohor për sqarime shtese kanë parashtruar pyetje sqaruese tetë (8) operator ekonomik. Këto pyetje janë shqyrtuar nga SHSKUK si Njësi e kërkesës, duke dhënë përgjigjeje për secilën pyetje veç e veç, të cilat përgjigje me datë 09.11.2023 janë proceduar në e-prokurim duke i njoftuar të gjithë OE, nga MSH-SHSKUK, i njëjti OE me datën 04.12.2023 është ankuar në OSHP dhe aktiviteti në tërësi është pezulluar deri në një vendim të OSHP-së. Besohet se kjo procedure do të kryhet me sukses, në qoftë se nuk do të vonohet shqyrtimi i ankesës nga ana e OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

MSH-ja ka bërë të ditur në detaje procesin se si ka shkuar hapja e tenderit për furnizimin e pajisjeve në këtë repart.

 “Pas anulimit të IVF herën e parë, sipas rekomandimit të profesionistëve nga komisioni vlerësues, janë rishikuar specifikat teknike para se te ritenderohet aktiviteti. Me datë 24.10.2023 është tenderuar aktiviteti me titull: Ri-tender “Furnizim me pajisje mjekësore, instrumente mjekësore për Njësitë organizative të QKUK-së” me nr. të prokurimit: 206-23-11488-1-1-1 , aktivitet me 20 Lote. Afati kohor për sqarime shtesë në dosje të tenderit ka qenë 03.11.2023, ndërsa hapja e ofertave fillimisht ka qenë e planifikuar të bëhet me datën 20.11.2023”.

Nëse nuk vonon vendimi nga OSHP, brenda 4-5 muajve bëhet furnizimi dhe instalimi i pajisjeve.

Kështu kanë bërë të ditur në një përgjigje nga MSH-ja për Front Online.

“Sipas një përllogaritje të afateve optimale (nëse nuk vonon vendimi nga OSHP) brenda 4-5 muajve presim të bëhet furnizimi dhe instalimi i pajisjeve, ndërsa fillimi i shërbimit varet edhe nga përgatitja e stafit dhe parakushtet tjera në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK”.

1.2 milionë euro do të kushtojë furnizimi me pajisje i repartit IVF në Klinikën e Gjinekologjisë

Furnizimi me pajisje në repartin e IVF-së në Klinikën e Gjinekologjisë do të kushtojë 1.2 milionë euro.

Kjo është bërë e ditur për Front Online nga Ministria e Shëndetësisë.

Në këtë shumë përfshihen 5 lote.

“Vlera e parashikuar në këtë aktivitet është rreth 1.2 milion euro, ku përfshihen 5 Lote: Pajisje te IVF, si dhe pasje, aksesor dhe inventar përcjellës për Sallën e IVF-it ne Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Drejtori i Gjinekologjisë: Ende nuk është caktuar çmimi i IVF-së, interesimi shumë i madh

Interesimi i qytetarëve për realizimin e IVF-së është shumë i madh.

Kështu thotë drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Ai për Front Online bëri të ditur se ende s’janë përcaktuar çmimet për këtë proces.

“Çmimi dhe mënyra e pagesës ende nuk janë të përcaktuara. Interesimi për realizimin e IVF është shumë i madh qysh tash kanë filluar thirrjet dhe interesimi nga qytetarët për procedurat e IVF-së”.

Ndrejaj thotë se kryerja e këtij shërbimi në Kosovë do ta kursejë buxhetin familjar të qytetarëve.

 “Reparti i IVF-së është repart i shumë pritur për popullatën për shumë arsye, kursen buxhetin familjar për mijëra euro, është repart në sektorin publik me afër qytetarit pa pasur nevojë të shkojë në udhëtime jashtë vendit për trajtim”, u shpreh Ndrejaj.

Pjesa teknike e këtij reparti tashmë ka përfunduar, thotë drejtori i Gjinekologjisë.

“Infrastruktura e repartit ku do të kryhet IVF ka përfunduar. Stafi mjekësorë është trajnuar për këtë procedurë. Nga ministria parat janë ndarë për blerjen e aparaturës”, thotë Ndrejaj.

 Haxhiu: Fajtorët për mos miratimin e ligjit për shëndetin riprodhues dhe blerjen e pajisjeve duhet të kërkohen tek Vetëvendosja

Vetëm në lexim të parë është miratuar në Kuvend projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar.

Projektligji ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve të pushtetit.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, pati thënë se e kundërshton idenë që e drejta e fertilizimit të asistuar mjekësor t’u jepet edhe grave të pamartuara pasi ka rrezik të incestit në të ardhmen.

E lidhur me këtë çështje ka folur edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ai tha për Front Online se projektligji nuk është votuar për shkak të mospajtimeve të VV-së mes vete.

Fajtorët për mos miratimin e ligjit dhe blerjen e pajisjeve duhet të kërkohen tek VV-ja, thotë Haxhiu.

“Ligji i ri që ka ardh në Kuvend është prolonguar  për shkak të mospajtimeve të brendshme brenda GP të VV-së, derisa ne si opozitë kemi dhe e kontributin tonë në grup punës për ta pas një ligj sa më të mirë. Fajtorët për këto vonesat në miratim të ligjit dhe blerjen e pajisjeve duhet të kërkohen tek partia në pushtet”, ka thënë Haxhiu.

Ai tha se vonesat e tenderit për blerjen e pajisjeve është e qëllimshme për grupet e interesit që përfitojnë në sektorin privat.

 “Nuk ka pas menaxher që funskionalizojnë këtë shërbim në sektorin publik. Vitin që po lëmë pas ka dështuar tenderi për blerjen e pajisjeve për IVF në klinikën dhe këto vonesa duket të jenë të qëllimshme për interesa të grupeve të interesit që kanë përfitime milionëshe në sektorin privat të lidhura me kompani jashtë Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputeti i PDK-së thotë se ky ligj është në fuqi nga viti 2007.

“Nga viti 2007 në Kosovës është në fuqi LIGJI NR. 02/L-76 PËR SHËNDETIN RIPRODHUES me të cilin rregullon organizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimtarive që zhvillohen në fushën e shëndetit riprodhues IVF”, u shpreh ai.

Ky ligj parasheh rregullimin e organizimit, funksionimit, rolit dhe përgjegjësisë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues, me qëllim të ruajtjes, promovimit, përmirësimit të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues./Front Online/

Shperndaje: