KEK-u ia trash kuletën për 1.4 milionë € kompanisë “Rojet e Nderit”, tri kontrata një burimore në 6 muaj
Prokurim / 6 Korrik, 2023
admin

Në Korporatën Energjetike të Kosovës po shmangen “kokë e këmbë” transparenca dhe konkurrenca, dy parimet themelore të prokurimit. Krejt kjo po ndodh tek tenderët për sigurim fizik të pronës së kësaj ndërmarrje publike, me të cilën menaxhon Qeveria.

Prodhuesi kryesor i energjisë në vend i dha gjatë këtij viti (2023) tri kontrata të njëpasnjëshme, një burimore, në vlerë totale rreth 1.4 milionë euro kompanisë së sigurimit, “Rojet e Nderit”. Procedura përmes të cilës janë kryer pazaret – ajo e negocimit të drejtpërdrejtë, pa publikim të njoftimit për kontratë – kufizon garën dhe po ashtu shton mundësitë për keqpërdorime.

Dy muaj më herët në KEK u arrestua kryeshefi Nagip Krasniqi, i afërt me Vetëvendosjen, pikërisht nën dyshimet për dallavere me dy tenderë. Ai ndodhet në paraburgim dhe dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim i ndikimit” dhe “konflikt i interesit”, raporton Front Online.

Fitimi i kontratave dhe “trashja” e tyre

Kompania “Rojet e Nderit” u rekomandua për kontratën e fundit – nga tri sosh sa i fitoi në gjashtë muaj – më 29 qershor. Firmat u hodhën pastaj në letër në javën e parë të korrikut.

Ujdia e lidhur e obligon operatorin ekonomik të kujdeset për sigurimin fizik veç për dy muaj, korrik e gusht, të objekteve të autoritetit kontraktues, KEK, për çka do të arkëtojë 473 e 930 mijë euro.

“Rojet e Nderit” ishte kompania e vetme, e cila qe ftuar për negocim të kontratës.

Kaq sa i përket marrëveshjes së parë.

Shitësi i shërbimeve “KEK” dhe blerësi i tyre “Rojet e Nderit” ngjashëm ranë në ujdi edhe për dy kontratat tjera, ku u eliminuan në start kompanitë e tjera si pasojë e aplikimit të procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë.

“Rojet e Nderit” mori 466 mijë e 344 euro nga KEK-u për t`ia siguruar objektet në maj e qershor, raporton Front Online.

 

Kontrata maj – qershor

458 mijë e 699 euro për kontratën e marsit e prillit, raporton Front Online.

Kontrata mars – prill

Kontratat, ani se të tria të lidhura për shërbime të njëjta, vërehet një trashje e vlerës së tyre.

Kontrata për muajt “korrik e gusht” është për 7 mijë euro më e shtrenjtë sesa ajo për “maj dhe qershor” dhe për 15 mijë euro më e lartë sesa për “mars e prill”.

Monopoli i mundësuar nga KEK, heshtje tek korporata

Aktiviteti i prokurimit që i mundësoi monopolin kompanisë “Rojet e Nderit” është i gjatë.

Fillimisht kah fundi i nëntorit KEK-u kishte bërë ‘njoftim për kontratë’, ku vlera e parashikuar e kontratës për një vit ka qenë 2,6 milionë euro.

Njëra nga kompanitë, Jaguar Security, pretendoi se disa kritere në Dosjen e Tenderit ishin të kundërligjshme. Andaj edhe u ankua tek Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP).

Eksperti i Gjykatës së Tenderëve vlerësoi se kishte kritere të jashtëligjshme dhe i rekomandoi panelit të OSHP-së të miratojë ankesën e kompanisë ankuese.

Kësisoj OSHP tek në prill nxori vendim që obligonte KEK-un të bënte përmirësimet në dosje të tenderit, raporton Front Online.

Korporata nuk priti aktvendimin dhe përdori procedurën e negociuar për të lidhur kontratën për mars e prill, ashtu edhe për maj e qershor me “Rojet e Nderit”.

Megjithatë mbetet i dyshimtë fakti se pse KEK vazhdoi njëjtë edhe pas vendimit të OSHP-së, raporton Front Online.

Nuk ndoqi tenderin afatgjatë, sikurse në nëntor, me procedurë të hapur, por lidhi prapë kontratë një burimore për korrik e gusht me kompaninë “Rojet e Nderit”.

Front Online ka kërkuar arsyeshmëri nga KEK për të gjitha këto telashe, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së mërkurës.

Çka thotë Ligji për kontratat një burimore?

Procedura e negocimit direkt lejohet ligjërisht, por ka raste specifike se kur mund të aplikohet, raporton “Front Online”.

Autoriteti kontraktues, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, mund ta përdor për ushtrimin e aktiviteteve të prokurimit që kanë për qëllim dhënien e:

2.1. çfarëdo kontrate publike:

(i) nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet t`i jepet një operatori të caktuar ekonomik;

(ii) nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i jepet vetëm një operatori të caktuar ekonomik;

(iii) nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues.

Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues.

Rreth kompanisë “Rojet e Nderit”

Pronësia e kësaj kompanie tashmë është bartur në emër të Gëzim Paçarizit, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Më herët drejtohej nga themeluesi i saj biznesmeni Kushtrim Krasniqi, i arrestuar për prostitucion.

Kompania njihet për fitimin e tenderëve nëpër institucionet e Kosovës.

Ajo ka degë në katër qytete dhe aktivitet primar i saj është siguria.

 

Pse ruhet KEK-u?

Korporata Energjetike e Kosovës është vendi ku nxirren miliona tonë qymyr, lëndë kjo që shfrytëzohet pastaj për prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Si e tillë hapësira e saj konsiderohet si vlerë nacionale.

Sipërfaqja ku do të bëjnë rojën punëtorët e kompanisë “Rojet e Nderit” është 4.5 hektarëshe.

Pjesa më e madhe aty është e paasfaltuar dhe e pa rrethuar.

 

Shperndaje: