Kryeministri Kurti “kampion” i luksit, shteti po shpenzon më shumë në udhëtime zyrtare, derivate dhe telefon
Prokurim / 16 Gusht, 2023
admin

Zyrtarët shtetërorë po e rrisin luksin nga viti në vit nën udhëheqjen e Albin Kurtit, ndonëse ky i fundit e kishte premtuar të kundërtën sa ishte në opozitë.

Institucionet e shtetit harxhuan vetëm në gjashtë muajt e parë të 2023-ës më shumë në periudhën e njejtë e vitit 2022 për udhëtimet që realizuan, mbushjet e telefonit e internetit si dhe derivatet që dogjën, raporton Instituti për Hulumtime Front.

19.4 milionë euro u shpenzuan nga institucionet e Kosovës nga janari e deri në qershor të 2023-ës, kurse 17.3 milionë euro në periudhën e njejtë të 2022-shit, sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Financave.

Albin Kurti sa ishte në opozitë kishte “gozhduar” me kritika për luksin e tepruar kundërshtarët e tij politikë që qeverisnin me vendin.

Nga 19.4 milionë euro sa u shpenzuan deri tash në 2023-ën, 12.6 milionë shkuan për derivate, 4.6 për udhëtime dhe 2.2 sosh për mbushje telefoni dhe interneti, raporton Instituti për Hulumtime Front.

Kurse 17.3 milionëshi i vitit të shkuar është i shpërndarë kësisoj: mbi 12 milionë euro për karburante, mbi 2 milionë për telefona dhe internet dhe 3.2 milionë euro për udhëtime.

Rritja e shpenzimeve për karburante

Shteti ka shpenzuar 8.4 milionë euro për derivate më 2021.

Shuma shkoi në 12 milionë më 2022, raporton Instituti për Hulumtime Front.

Kurse vetëm në gjysmën e parë të vitit 2023, për djegien e karburanteve, u harxhuan 12.6.

Vlera pritet të rritet akoma në gjysmën e dytë të mbetur të vitit.

Luksi në qiell

Rritje evidentohet edhe tek kategoria për udhëtime.

Zyrtarët shtetërorë kanë harxhuar për gjashtë muaj të 2023-ës pos 80 mijë euro më pak sesa që harxhuan nga janari e deri në qershor në dy vitet paraprake, 2021 dhe 2022, raporton Instituti për Hulumtime Front.

 

Harxhimet telefonike shtetërore

Tek kategoria e harxhimeve për telefona e internet ka një luhatshmëri.

Përderisa në vitin 2021, janar – qershor,  ishin shpenzuar 2.3 milionë euro, shifra ra në 2 milionë më 2022.

Shpenzime u rriten prapë më 2023, duke shkuar në 2.6 milionë, për gjashtë muajt e parë të vitit.

Ekonomistët: U rrit luksi, por jo edhe investimet kapitale

Të kota i kanë quajtur ekonomistët shpenzimet e larta shtetërore për udhëtimet, karaburantet e shërbimet e telefonisë.

Njohësi i ekonomisë, Erzen Hyseni e shpjegoi arsyen.

“E dimë që shpenzimet kapitale kanë qenë mjaf të ulëta. Investimet kapitale ndikojnë në rritjen ekonomike kurse rritja e shpenzimeve të luksit është e kotë. Pra janë shpenzime koti”, theksoi Hyseni për Institutin për Hulumtime Front.

Kurse, ish-Ministri i Financave, Haki Shatri tha se rritja e shpenzimeve të luksit po ndodh në kohë kur pagat s`janë rritur.

“Kategoria e pagave është rrit shumë më pak. Qeveria po bie në kundërshtim me premtimet e veta zgjedhore”, potencoi Shatri.

Instituti për Hulumtime Front edhe më herët ka raportuar për shpenzimet e zyrtarëve shtetërorë.

Shteti harxhon më shumë miliona në luks me Kurtin kryeministër, më pak u harxhuan me Hotin dhe Haradinajn (DOKUMENTE)

 

Shperndaje: